Përgjigjja imunitare është e ndryshme për pacientë të ndryshëm, po ashtu edhe dinamika e komponentëve të ndryshëm të sistemit imunitar. Për ta përcaktuar me saktësi dhe rigorozitet kohëzgjatjen ekzakte, nevojiten studime longitudinale (=afatgjata). Megjithatë në kushtet aktuale, ekzistojnë prova të cilat mund të na ndihmojnë të kuptojmë më shumë për këtë temë.
Konkretisht, një studim shkencor (06 janar 2021) në të cilin u përfshinë pacientë të shtruar apo jo në spital, raportoi se pacientët:
- Rezultuan pozitiv për IgG-në e gjilpërës, nukleokapsidit dhe RBD-së, deri në 5-8 muaj pas kontraktimit të infeksionit edhe pse nivelet ishin në rënie.
- Qeliza të ndryshme që përbëjnë imunitetin adaptiv (=e fituar) (p.sh. Qelizat B, CD4+ T, CD8+ T, etj.) mund të zbulohen dhe të jenë të qëndrueshme edhe pas 6-8 muaj nga momenti i infektimit.
- Kujtesa e qelizave B për SARS-CoV-2 rezultoi më e ‘fortë’ dhe me gjasa që të zgjasë më tej. Ky është një aspekt kyç që shpeshherë anashkalohet kur flitet për përgjigjen imunitare kundrejt SARS-CoV-2.
Nga pikëpamja imunologjike, ishte interesant fakti që afro 90% e pacientëve ishin pozitivë për antitrupat sterilizues deri pas 6-8 muajsh (=titër ≥ 20) edhe pse në nivele zbritëse dhe me shumë ndryshueshmëri ndërmjet individëve (për më tepër konsultoni: https://science.sciencemag.org/content/early/2021/01/06/science.abf4063)
Prania e antitrupave IgG pas 5-8 muajsh a tregon që jemi të mbrojtur?
Studime të ndryshme laboratorike kanë demonstruar që nivelet relativisht të ulëta të antikorpeve sterilizuese (≥1:20) mund të lidhen me një nivel mbrojtjeje nga COVID-19 (për më tepër kliko). Por duhet pasur parasysh fakti se sistemi ynë imunitar nuk funksionon ekzaktësisht njësoj si ai i kafshëve laboratorike eksperimentale. Një tjetër studim provoi se jo të gjithë pacientët rezultuan pozitiv për antikorpe sterilizues pas 6-8 muajsh, edhe pse ndërkohë rezultuan pozitiv për IgG. Me pak fjalë është si të vesh një bast, pa pasur siguri!
Përgatitën:
Dr.shk Denisa Baci, Dr.shk Aldi Pupuleku, Dr.shk Erand Llanaj, Prof.Ass Mirela Kuka
Në vijim ekipi i mësipërm i specialistëve imunologë dhe epidemiologë do vazhdojë të qartësojë çeshtjet që lidhen me imunitetin dhe efektin e vaksinave.
Kliko për të lexuar artikullin e mëparshëm: https://www.heda.al/artikuj/cfare-tregon-sasia-e-antitrupave
Nëse keni pyetje, mund t’i dërgoni në adresën info@heda.al