Pse SARS-CoV-2 duket se është më i rrezikshëm tek meshkujt? Rëndësia e një analize specifike gjinore.

COVID-19 tek meshkujt

Përmbledhur dhe përshtatur në shqip nga:

  • Julia Daragjati, PhD

Recensente:

  • Teuta Muhollari, PhD (c)

Vajza, gra, djem e burra jemi të ndryshëm. Përkatësia gjinore lidhet edhe me ndryshimet e ambjentit, kulturës, ekonomisë dhe sjelljeve gjinore ku jeton individi i grup moshave të ndryshme, përveçse me ndryshimin e dukshëm biologjik e fiziologjik.

Analizat gjini-specifike janë shumë të dobishme dhe të rëndësishme për të identifikuar ndryshime të mundshme që mund të ndodhin tek femrat dhe meshkujt, e për më tepër duke marrë në konsideratë periudhën e pandemisë. Kjo përmbledhje ka si qëllim të sjellë në vëmendje faktorët dhe gjithashtu hipotezat mbi ndryshime specifike gjinore që ndikojnë tek femrat dhe meshkujt gjatë kësaj pandemie. Këto evidenca janë të publikuara në artikuj shkencorë të fushës së shëndetit dhe nuk trajtojnë tema politike apo ekonomike.

A) Faktorët biologjikë

Receptorët: Porta nga e cila hyn virusi SARS-CoV-2 është Enzima ACE2 (Angiotensin converting enzyme). SARS-CoV-2 falë proteinave të tij “spike”(gjilpërave) që përmbajnë një zonë lidhëse për receptorin ACE2 ndërmjetësojnë hyrjen e virusit, pra të infektimit dhe më pas çrregullimin e funksionit të qelizave e indeve ku ndodhen këto receptorë (mushkëri, mëlçi, e në shumë organe tjera ndër to edhe në gjëndrat mashkullore ).

Peplomerët viralë të proteinave spike, ndërmjetësojnë lidhjen e virusit me ACE2 (porta) dhe hyrjen e virusit me aktivizimin e TMRPSS2 (Transmembranë serina proteazi2) (çelësi). Aktivizimi i çelësit ndodh në prani të hormoneve seksuale mashkullore (androgjenet) [Brenner, 2020 & Hoffmann et al., 2020]. Është vënë re se pacientët e trajtuar me terapi të tumorit të prostatës (që bllokon enzimën TMRPSS2) kanë më pak mundësi të infektohen. Në gra, mungesa e hormoneve mashkullore sjell një kufizim të hyrjes së SARS-CoV-2. [Montopoli et al., & Vabret et al., 2020]

Gjenetika: Gjenet e kromozomit X janë të lidhura me imunitetin dhe kanë funksion kodues për proteina që janë të lidhura në përgjigjen imunitare kundër patogjenëve të ndryshëm, duke i dhënë femrave (XX) një rritje/shtim të përgjigjes imunitare. Nga ana tjetër, përgjigja imunitare e fuqishme/shtuar mund të sjellë tek femrat sëmundje autoimunitare (p.sh.: skleroza multiple, artrit reumatoid, psoriasis etj.) [Ruggieri et al., 2016].

Sistemi imunitar: Sistemi imunitar i lindur dhe ai i fituar konsiderohet të jetë më i lartë tek femrat. Hormonet femërore (estrogjenet) njihen si aktivizues të sistemit imunitar (imunostimulues), ndërsa testosteronet njihen si inhibitorë të sistemit imunitar (imunosopresues) [Roved et al., 2017]. Prandaj

prania e estrogjenëve rrit përgjigjen e antitrupave kundër patogjenit SARS-CoV-2 duke i bërë femrat më pak të riskuara. [Channappanavar et al., 2020]

B)  Faktorët shoqërorë e kulturorë

Duhanpirja: Bazuar në të dhëna globale, duhanpirja është një fenomen i hasur më shpesh tek meshkujt se sa tek femrat. Duhanpirja rrit ndjeshmërinë individuale ndaj infeksioneve të ndryshme (virale ose bakteriale) të rrugëve të frymëmarrjes. Kjo gjithashtu mund të shpjegojë ashpërsimin më të shpeshtë të sëmundjes COVID-19 tek meshkujt. Të dhënat kanë treguar gjithashtu se tek meshkujt sëmundjet pre-ekzistuese (si ato kardiovaskulare, kancer, sëmundje pulmonare obstruktive kronike [SPOK]) kanë qenë gjithashtu më të shpeshta. Kjo shpeshtësi shpjegohet pjesërisht edhe prej këtij faktori, duhanpirjes. Duhanpirja (nikotina) rrit probabilitetin e infektimit me SARS-CoV-2 [Ids et al., 2020]

Konsumi i alkoolit: Në shumicën e vendeve në botë, alkooli konsumohet më shumë nga meshkujt. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon uljen e sasisë së konsumit të alkoolit (në periudha emergjence dhe pandemie) për ata që janë konsumues të rregullt të alkoolit, duke qenë se konsumi i tij shkakton dëmtime mbi shëndetin e njeriut. Konsumi i alkoolit konsiderohet një faktor rreziku për sëmundje të ndryshme (kardiovaskulare, hepatike, kancere etj.) dhe gjithashtu mund të sjellë çrregullime të sistemit nervor e për pasojë të kontribuojë edhe më shumë në uljen e cilësisë së shëndetit. Gjithashtu, shoqërimi i tij me barna të ndryshme mund të ulë efektivitetin e tyre në kurimin/mbarëvajtjen e shëndetit, duke sjellë kështu një mbivendosje e duke kontribuar njëkohësisht në ashpërsinë e statusit shëndetësor për personat e prekur nga SARS-CoV-2 [Shield et al., 2014 & WHO]

Higjiena: Kur fasim për higjienën duhet ta lidhim me përceptimin e rrezikut që ka burri dhe gruaja ndaj infektimit. Një studim i bërë në Suedi na tregon se burrat janë më pak të shqetësuar në përgjithësi. Gratë shqetësohen më shumë për problemet brenda familjes, shtëpisë së tyre. I dedikojnë kohë më të gjatë higjienës vetjake dhe mjedisore: gruaja merret më shumë me pastrimin e mjedisit (shtëpisë/banesës) se sa gjinia tjetër. Nga ana tjetër burrat shqetësohen më shumë për problemet ekonomike, papunësinë [Gustafsod 2006]. 

Në këtë periudhë, siç kemi vërenjtur pati dhe vazhdon një sensibilizim mbi larjen korrekte të duarve. Një praktikë e thjeshtë ditore që nuk duhet nënvlerësuar meqenëse parandalon në mënyrë direkte infektimin me virusin. Artikulli i New York Times (mars 2020) na solli një përmbledhje me burime dhe evidenca shkencore që gratë i lanin më shpesh duart se burrat.

Rëndësia e studimeve gjini-specifike kuptohet më së miri kur marrim në konsideratë qëllimet diagnostikuese (klinike), trajtimet farmakologjike apo përdorimin e strategjive të ndryshme parandaluese mbi sëmundjen e COVID-19. Fokusimi në mjekësinë gjinore nuk duhet të jetë thjesht një opsion zgjedhje për të na ndriçuar vetëm në një moment pikësor të kohës. Ky element duhet të shihet si një aspekt i rëndësishëm dhe i nevojshëm për të garantuar barazi gjinore dhe në të njëjtën kohë për të arritur një efikasitet edhe më të lartë kur bëhet fjalë për trajtimin shëndetësor.

Referencat

  1. Brenner SR, Covid-19, TMPRSS2, and Whether Android Regulation Affects Pandemic Virus Gender Incidence and Age Distribution of Disease Med Hypotheses 2020 Apr 22;140:109773. doi: 10.1016/j.mehy.2020.109773.
  2. Hoffmann M, Kleine-Weber H, Schroeder S, Kruger N, Herrier T, Erichsen S. et al. SARS-C0V-2 cell entry depends on ACE2 and TMPRSS2 and is blocked by a clinically proven protease inhibitor. Cell [Online ahead of print]
  3. Montopoli M, Zumerle S, Vettor R Androgen-deprivation therapies for prostate cancer and risk of infection by SARSCoV-2: a population-based study (n=4532) Ann. Of Oncology, May 2020  DOI:S0923-7534(20)39797-0/pdf
  4. Vabret N, Britton JG, Gruber C et al., Immunology of COVID-19 current state of the science. Immunity. https://doi.org/10.1016/j.immuni.2020.05.002
  5. Ruggieri A, Anticoli S, D’Ambrosio A, Giordani L, Viora M. The influence of sex and gender on immunity, infection and vaccination. Ann Ist Super Sanità 2016 | Vol. 52, No. 2: 198-204.
  6. Channappanavar R, Fett C, Mack M. et al., Sex-based differences in susceptibility to SARS-CoV infection J Immunol. 2017 May 15; 198(10): 4046–4053.
  7. Roved J, Westerdahl H, Hasselquist D, Sex differences in immune responses: Hormonal effects, antagonistic selection, and evolutionary consequences, HormBehav. 88:95-105, Feb 2 2017.
  8. lds, J.L.; Kabbani, N. Is nicotine exposure linked to cardiopulmonary vulnerability to COVID-19 in the general population? The FEBS Journal 2020, 10.1111/febs.15303, doi:10.1111/febs.15303.
  9. Shield KD et al. Chronic Diseases and Conditions Related to Alcohol Use. Alcohol Res. 2014; 35(2): 155–171.
  10. WHO:http://www.euro.who.int/en/health-topics/disease-prevention/alcohol-use/news/news/2020/04/alcohol-does-not-protect-against-covid-19-access-should-be-restricted-during-lockdown
  11. Gustafsod PE, Gender Differences in Risk Perception: Theoretical and Methodological erspective. Risk Analysis Wiley online ibrary May 2006 doi.org/10.1111/j.1539-6924.1998.tb01123.x
  12. https://www.nytimes.com/2020/03/17/us/women-men-hand-washing-coronavirus.html