Sëmundja e arterieve koronare është patologji, në të cilën arteriet koronare ose thënë ndryshe enët e gjakut të zemrës dëmtohen. Si shfaqje e arteriosklerozës në enët e gjakut të zemrës (koronaret) shkakton një çrregullim në furnizimin me gjak të zemrës, duke sjellë më pak oksigjen në muskulaturën e saj (miokardin). Kjo sëmundje njihet ndryshe edhe si sëmundje ishemike e zemrës.
Kur koronaret bllokohen, kemi të bëjmë me atë që njihet si Infarkti i Miokardit (i zemrës).
Sëmundja e arterieve koronare është shkaktari kryesor i vdekjeve në vendet e industrializuara.
Fakte:
- Infarkti i Miokardit ndeshet më shpesh në moshat 50-60 vjeçare, por nuk përjashtohen edhe rastet në moshat më të reja. Në spitalin ku unë punoj paraqiten çdo vit 3-4 raste pacientësh të moshës 25-35 vjeçare, të cilët trajtohen për Infarkt akut të miokardit.
- Shfaqja e Infarktit të Miokardit tek femrat është afërsisht dy herë më e lartë se tek meshkujt, për shkak të shfaqjes me simptoma jospecifike që rrjedhimisht bëjnë që diagnostikimi të kryhet me vonesë.
- 40 % e të gjithë infarkteve ndodhin gjatë orëve të para të mëngjesit (24h-6h).
- 30% e Infarkteve akute shfaqen si manifestim i parë i sëmundjeve të arterieve koronare. Pra deri në këtë moment pacienti nuk ka shfaqur ankesa.
Simptomat kryesore të sëmundjes së arterive koronare akute janë: dhimbje e gjoksit (kryesisht majtas) e karakterit djegës ose shtypës që përçohet në qafë, nofull, në krahun e majtë të shpinës; dispne (marrje fryme); djersë të ftohta; ankth; të vjella etj. Por në 30% të rasteve kemi një infarkt pa dhimbje. Kjo ndodh veçanërisht tek personat me diabet dhe ata me hipertension.
Faktorët kryesorë të rrezikut janë: mosha, predispozicioni familjar, gjinia mashkullore, diabeti, hipertensioni, duhanpirja, niveli i lartë i yndyrnave në gjak, obeziteti, jeta sedentare dhe stresi. Prandaj është shumë e rëndësishme, sidomos tek pacientët me sëmundje të arterieve koronare, që këto faktorë rreziku të mbahen nën kontroll.
Diagnostikimi fillestar i sëmundjes bëhet me anë të anamnezës, elektrokardiogramës (EKG) si dhe me anë të parametrave laboratorikë. Shpejtësia e diagnostikimit është një faktor kyç në trajtimin e sëmundjes si dhe, në shumicën e rasteve, në parandalimin e komplikacioneve, të cilat shpeshherë janë vdekjeprurëse.
Në rast se ndjeni simptomat e lartpërmendura duhet të paraqiteni menjëherë tek mjeku i familjes ose tek kardiologu.
Trajtimi i sëmundjes mund të jetë konservativ (me medikamente), invaziv ose kirurgjikal, në varësi të gradës së vështirësisë së sëmundjes, moshës së pacientit, lokalizimit të sëmundjes, si dhe resurseve spitalore.