SHPËRTHIMI EPIDEMIK NGA NJË KORONAVIRUS I RI: ÇFARË DUHET TË DINË ANESTEZISTËT

Emergjenca Covid 19

Përmbledhur dhe përshtatur nga:

  • AIRInforma
  • Denisa Baci,  PhD

Rishikuar dhe redaktuar nga:

  • Teuta Muhollari, PhD (c)

Epidemia e shkaktuar prej koronavirusit të ri pati një përhapje të shpejtë dhe bëri që OBSH të shpallë gjendjen e Emergjencës së Shëndetit Publik të Rëndësisë Ndërkombëtare. Fillimisht i njohur si nCoV-2019 dhe tashmë i riemëruar, SARS-CoV-2 është një ARN virus që mund të transmetohet nëpërmjet njerëzve përmes: spërklave të sekrecioneve, frymëmarrjes ose sipërfaqeve të kontaminuara. Numri mesatar i personave të cilët preken nga ky virus prej personave të infektuar (R0) vlerësohet të jetë 2.68. 

Paraqitja klinike e sëmundjes varion prej infeksionit të lehtë të traktit të sipërm të frymëmarrjes (zakonisht i shoqëruar nga ethe [82%] dhe kollë [81%]), deri në Sindromën e Distresit Respirator Akut (SDRA) dhe sepsis. Njerëz të cilët vuajnë kushte shëndetësore bashkëshoqëruese, siç është diabeti dhe sëmundjet kardiovaskulare, kanë një risk më të lartë për vdekshmëri.

Ashtu si SARS dhe MERS, edhe SARS-CoV-2 është transmetuar tek njerëzit prej kafshëve të egra. Të tre viruset kanë paraqitje të ngjashme klinike, por niveli i vdekshmërisë varion në mënyrë të konsiderueshme. Krahasuar me SARS (me të cilin ngjashmëria gjenetike është afërsisht 70%), SARS-CoV-2 është më shumë infeksioz por më pak vdekjeprurës.

Gjatë shpërthimit epidemik të SARS, 21% e individëve të infektuar globalisht ishin punonjës të kujdesit shëndetësor. Përvoja me SARS-in në vendet aziatike, ka përmirësuar teknologjinë dhe masat që duhen ndërmarrë për parandalimin e përhapjes së virusit, përfshirë këtu edhe përhapjen ndërmjet personelit shëndetësor. Më shumë se 1/3 e pacientëve të prekur mund të kenë nevojë për një nivel të lartë të kujdesit shëndetësor përfshirë këtu edhe ventilimin mekanik.

Në këtë përmbledhje do diskutojmë se si anestezistët duhet të përgatiten për t’u përballur në mënyrë sa më të sigurtë prej shpërthimit të kësaj epidemie. Anestezistët janë ekspertë, puna e të cilëve lidhet me mbarëvajtjen e frymëmarrjes së pacientëve dhe do të jenë vija e parë e kontaktit me pacientë në gjendje kritike. Njohuri më të mira në parandalimin dhe kontrollin e infeksionit, vigjilencë në marrjen e masave mbrojtëse, zbatimi i rreptë i rregullave të përdorimit të pajisjeve personale mbrojtëse (PPE) dhe gatishmëria në kujdesin e pacientëve të infektuar kanë një rëndësi të madhe.

Në këtë aspekt 3 pika janë thelbësore:

  1. Përgatitja e pacientit dhe dhomës së procedurës

Transferimi i një pacienti të dyshuar ose të infektuar me COVID-19 në dhomën e procedurës mjekësore që gjeneron aerozole, kërkon planifikim dhe disa masa përgatitore ku përfshihen:

  • Dhoma duhet të jetë e ajrosur në mënyrë adekuate; preferohet një dhomë izolimi me presion negativ / izolim ajror për procedurat mjekësore të cilat gjenerojnë aerozole dhe që zhvillohen jashtë dhomës operative, me minimum 12 ndryshime ajri h – 1..
  • Pacienti duhet të veshë një maskë fytyre gjatë transportimit për në dhomën e procedurës.
  • Personeli i përfshirë në kujdesin e pacientit duhet të ketë të gjitha paisjet vetjake mbrojtëse (PVM) siç parashtohet në politikat spitalore për menaxhimin e COVID-19.
  • Higjiena e duarve duhet të kryhet para dhe pas kontaktit me pacientin, para se stafi të bëjë vendosjen dhe heqjen e PPM-ve.
  • Numri i personelit të përfshirë gjatë procedurave të kryera në reanimacion dhe shkëmbimet/takimet që ata duhet të kenë me pacientin, duhet të jetë sa më i vogël përgjatë gjithë procedurës. 

2. Pajisjet Vetjake Mbrojtëse (PVM)

  • Përbërësit specifikë të PVM të zgjedhur për procedurat mjekësore që gjenerojnë aerozole, mund të ndryshojnë në varësi të spitaleve. Gjithësesi, parimet themelore janë të njëjta: të mbrojnë personelin shëndetësor nga spërklat infektuese të cilat mund të transmetohen përgjatë procedurës (Figura 1-2). PVM-të që mund të përdoren për të arritur këtë nivel mbrojtjeje përfshijnë:
  • Maskë të posaçme për fytyrën (sipas standardit të BE: FFP2 ose ekuivalente);
  • Mbrojtja e syve përmes përdorimit të syzeve ose një mburoje të posaçme fytyre; 
  • Veshje të pa përshkueshme ndaj lëngjeve;
  •  Dorashka.
  • PVM-të e ndotura gjatë procedurave duhet të zëvendësohen menjëherë.
  • Vëmendje e kujdesshme duhet t’i kushtohet veshjes dhe zhveshjes së PVM-ve për të shmangur vetë-ndotjen që mund të ndodhi përgjatë heqjes së PVM-ve. Të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor që ndjekin procedurat mjekësore që gjenerojnë aerozole duhet të jenë të trajnuar në përdorimin e PVM-ve.
  • Pas heqjes së PVM-ve, punonjësi i kujdesit shëndetësor duhet të shmangë prekjen e flokëve ose fytyrës para se të pastrojë duart.
  • PVM-të duhet të hidhen/zhvendosen me kujdes pa prekur koshin e caktuar për mbledhjen e tyre.

Figura 1. Stafi shëndetësor duke u përgatitur për të hyrë në një dhomë për të intubuar një pacient të dyshuar ose infektuar për COVID-19. Kini kujdes në përdorimin e veshjes rezistente ndaj lëngjeve biologjike, mbulimin e kokës dhe qafës, mburojën e fytyrës për të minimizuar ekspozimin e lëkurës ndaj pikave ndotëse. Pjesë e PVM-ve janë edhe mbrojtja shtesë e syve, maska e përshtatshme N95, ngitësit (e vendosur mbi doreza dhe veshjen) për parandalimin e rrëshqitjes së dorezave dhe ndotjen e kyçeve. Përshtatur nga: Yuncheng Zhu et al. (2020) The Risk and Prevention of Novel Coronavirus Pneumonia Infections Among Inpatients in Psychiatric Hospitals, Neurosci Bull. Mar; 36(3):299-302

3. Minimizimi i thithjes së aerozoleve

Për të ulur gjenerimin e aerozoleve që mund të krijohen përgjatë intubimit duhen të merren parasysh disa faktorë:

  • Nëse është e mundur, intubimi dhe menaxhimi i rrugëve ajrore duhet të bëhet nga anestezistët që kanë më shumë përvojë.
  • Nëse është i disponueshëm, një filtër  kundra lëngjeve (me efikasitet të lartë) duhet të vendoset midis maskës së fytyrës dhe qarkut të frymëmarrjes, ose midis maskës së fytyrës dhe qeses së ajrit.
  • Është e këshillueshme të bëhet një paraoksigjenim i plotë me 100% oksigjen dhe induksion me sekuencë të shpejtë (ISS) për të shmangur ventilimin mekanik të pacientit, i cili mund të çojë në shpërhapjen e virusit nga rrugët e ajrit.
  • ISS-ja mund të ketë nevojë për përshtatje/modifikim nëse: pacienti ka një ndryshueshmëri shumë të lartë alveolare-arteriale të oksigjenit, është i pamundur të tolerojë 30sek. ndërprerje frymëmarrjeje, ose nëse ka një kundërpërgjigje ndaj suksinilkolin-ës (suxamethonium chloride).
  • Intubimi fibroptik në gjendje të zgjuar duhet të shmanget (përveçse kur nuk ka rrugëzgjidhje tjetër) pasi mund të prodhojë kollitje gjatë procedurës dhe mund të krijojë kushte për shpërhapjen e virusit. Konsideroni gjithashtu përdorimin e një videolarindoskopie. Intubimi
  • trakeal këshillohet më tepër se përdorimi i maskës së laringut për rrugët e frymëmarrjes.
  • Për menaxhimin e pacientëve me vështirësi në frymëmarrje prej COVID-19 jashtë sallës së operimit , nëse është e mundur duhet të shmanget ventilimi jo-invaziv, në mënyrë që të parandalohet gjenerimi dhe përhapja e virusit në dhomë; intubimi i hershëm duhet të konsiderohet të bëhet në pacientë, situata e të cilëve përkeqësohet shpejt. Nëse reanimimi është i nevojshëm, masazhi kardiak në kraharor këshillohet të kryhet gjatë intubimit për të shmangur
    ekspozimin e fytyrës së personelit shëndetësor. Nëse është e mundur, bllokuesit neuromuskularë duhet të aplikohen para intubimit.

Figura 2. Shembull i përdorimit të PVM-ve për intubim në një pacient të simuluar me 2019-nCoV. Në këtë figurë ju mund të shihni staf shëndetësor të veshur më pajisje që shërbejnë për pastrimin dhe filtrimin e ajrit, gjithashtu dhe përmirësimin e kontaktit me pacientin. Në këtë rast, maska N95 është veshur nën kapuç (për mbrojtjen kundra thithjes së grimcave virale) gjatë veshjes së PVM-ve. Përshtatur nga: Yuncheng Zhu et al. (2020) The Risk and Prevention of Novel Coronavirus Pneumonia Infections Among Inpatients in Psychiatric Hospitals, Neurosci Bull. Mar; 36(3):299-302

Referencat:

  1. Peng PWH et al. (2020) . Outbreak of a new coronavirus: what anaesthetists should know. Br J Anaesth. 2020 Feb 27. pii: S0007-0912(20)30098-2. doi:10.1016/j.bja.2020.02.008
  2. Yuncheng Zhu et al. (2020) The Risk and Prevention of Novel Coronavirus Pneumonia Infections Among Inpatients in Psychiatric Hospitals, Neurosci Bull. Mar; 36(3):299-302.