Si ndërvepron mikrobioma me shëndetin dhe sëmundjen?

Në dekadat e fundit, ka ndodhur një evolucion i jashtëzakonshëm në fushën e terapisë dhe parandalimit të kancerit, me rezultate të ndryshme në pacientë. Jo më shumë se 10 vite më parë disa lloje kanceri ishin vërtetë sëmundje të tmerrshme me një prevalencë të lartë dhe mbijetesë tepër të kufizuar. Një shembull tipik është melanoma metastatike, që fillon në lëkurë dhe shpërndahet në nyjet limfatike dhe organet e brendshme me shpejtësi, duke reduktuar shanset e mbijetesës. Megjithatë, me zbulimet e fundit të shumë inhibitorëve (=penguesve) të disa rrugëve të ndërmjetme metabolike të qelizave kanceroze dhe me aprovimin e një klase të re medikamentesh të njohur si inhibitor të BRAF, statistikat tregojnë se ka një numër të madh pacientësh që shkojnë në remision (=ecuri e përmirësuar shëndetësore pas trajtimit e karakterizuar nga mungesa e simptomatologjisë karakteristike për kancerin) me vite, por jo të gjithë pacientët ndajnë këtë fat! Aktualisht, nga përvoja kërkimore në departamentin tonë, reagimi pozitiv ndaj kombinimit më të zakonshëm imuno-terapeutik tek pacientët me melanomë është më pak se 60 %.

Melanoma është një prej dhjetëra lloje kanceri për të cilat imunoterapitë që ekzistojnë në treg ose në prova eksperimentale klinike mund të çojnë në remision, pa vuajtur pasojat e rënda të kimioterapisë. Në literaturë përgjigja ndaj trajtimeve imuno-ndihmuese varion nga 12 deri në 65 për qind, në varësi të llojit të kancerit. Ndërkohë që shpjegimi për reagim të pafavorshëm tek disa pacientë ende mbetet i paplotë, shumë grupe kërkimore janë duke u përqendruar tek mikrobioma si një nga të dyshuarit kryesor për të kuptuar ndryshueshmërine në reagim të pacientëve ndaj terapive kundër kancerit.

Kjo ide nuk është e re, pasi në të shkuarën njihej se marrja e antibiotikëve përpara imunoterapisë lidhej shpesh me reagim të pafavorshëm të pacientëve. Një shembull tipik ilustrativ, vjen nga studimet në kafshë, të cilat mbështesin lidhjen shkakësore të kësaj marrëdhënieje. Në vitin 2013 një grup kërkuesish raportuan se kavjet aksenike (=pa prani mikrobiome) ose kafshët e trajtuara me antibiotikë, përpara se t’iu administrohej një koktej imunoterapie ose kimioterapie me bazë platini, bëheshin më vulnerabël dhe më të pambrojtura ndaj tumoreve [1]. Jo më shumë se dy vite më vonë, në 2015 dy grupe kërkuesish, në mënyrë të pavarur, publikuan studime të cilat dokumentonin reagime të ndryshme ndaj imunoterapisë në kavje me melanomë [2] dhe lloje të tjerë kanceri [3], përgjigje të cilat lidheshin në mënyrë të drejtpërdrejtë me kompozimin e mikrobiomës.

Në fillim të vitit 2016, në një bashkëpunim universitetesh dhe onkologësh, u realizua një studim në të cilin u mblodhën mostra feçesh prej pacientëve me melanomë metastatike, të cilët ishin të përgatitur për të marrë një përzierje të caktuar imunoterapie. Siç edhe kishin dyshuar studiuesit, pacientët të cilët reaguan ndaj trajtimit më mirë kishin kompozim mikrobiome sinjifikativisht më të ndryshëm nga pacientët që nuk u përgjigjën njësoj mirë ndaj terapisë [4].

Ky studim ishte i pari i cili demonstroi se si kompozimi i mikrobiomës kishte lidhje me rezultatet e imunoterapisë, jo në kafshë, por tashmë në njerëz. Këto gjetje ishin thjesht fillesa e një literature tashmë në rritje, që po indikonte se ekziston një ndërveprim influencues i florës normale, veçanërisht asaj intestinale dhe përgjigjeve ndaj terapive klinike. Shumica e studimeve në këtë fushë u përqendruan tek kanceri, por një pakicë studimesh hulumtuan sëmundje të tjera dhe rezultatet e të tyre sugjerojnë se medikamentet që përshkruhen për trajtimin e Parkinsonit, hiperkolesterolemisë dhe disa kushteve të tjera shëndetësore, mund të kenë një ndërveprim të ngjashëm dhe të afektojnë njësoj prognozën e pacientit në varësi të kompozimit të florës normale. Ndërkohë që shumë studiues kanë tërhequr vëmendjen duke deklaruar se nevojitet një kuptueshmëri më e plotë e këtyre ndërveprimeve përpara se të mund të përdorim përfitimet klinike për përmirësimit e përgjigjes ndaj medikamenteve. Prova klinike eksperimentale janë tashmë duke ndodhur, me testimin e formulimeve probiotike ose transplanteve fekale, që synojnë përmirësimin e reagueshmërisë ndaj imunoterapisë kundër kancerit. A do të zgjidhin të gjitha problemet që lidhen me terapitë kundër kancerit këto studime? Ndoshta jo, por nëse konsiderojmë administrimin e një procedure invazive kirurgjikale kundrejt një pilule me formulim të personalizuar probiotik apo prebiotik, është një alternativë më pak agresive dhe invazive për pacientët.

REFERENCA TE ARTIKULLIT