Si ndikon mikrobioma në sistemin tonë imunitar?

Tashmë është e njohur nga një numër i madh studimesh dhe hulumtimesh se mikrobet intestinale, pjesë e florës normale, janë në gjendje të modulojnë sistemin imunitar dhe këto ndërveprime mund të ndihmojnë në një sërë aplikimesh për të gjetur mënyra që të influencojmë imunoterapinë ndaj kancerit dhe shumë sëmundjeve të tjera, për rezultate më të mira shëndetësore.

Deri tani janë propozuar disa mundësi për mënyrat se si kjo mund të ndodhë. Për shembull, antigjenet e baktereve të zorrëve mund të jenë të ngjashme me ato të tumoreve, dhe mund të gjejmë një mënyrë për të ‘trajnuarsistemin imunitar për të luftuar kancerin (për më tepër mund të lexoni artikullin e Amanda Keener  me titullCommensal Menace’ tek revista The Scientist, vëllimi Qershor 2019). Ajo që konsiderohet si më e mundshme është që mikrobet komensale (=mikrobe që qëndrojnë të grupuara bashkë edhe pse janë specie të ndryshme) mund të aktivizojnë sistemin imunitar dhe ndoshta disa specie mund të jenë më tepër imunogjenike se sa të tjera. Ndoshta ky fenomen mund të jetë pikënisja e një përqasjeje që mund të përforcojë sistemin imunitar dhe qelizat imunitare mund të jenë më të ‘forta’ në betejat e tyre kundër qelizave kanceroze.

Studimet në kavje kanë treguar tashmë se kompozimi mikrobial mund të afektojë aktivitetin e disa llojeve të qelizave imunitare, të tilla si qelizave T kujtesë dhe qelizave mieloide. Në vitin 2007, një grup hulumtuesish raportuan një fenomen interesant, kur observuan se tumoret tek kavjet e trajtuara me qeliza T CD8+ (=qeliza citotoksike T me klaster diferencimi 8), të programuara për të sulmuar qelizat kanceroze, ishin më të predispozuara për tu zvogëluar (=dobësuar) tek kavjet që i nënshtroheshin rrezatimit total trupor. Kërkuesit gjetën se rrezatimi dëmtonte epitelin intestinal (=muret e zorrës), duke krijuar hapësira dhe si pasojë duke çliruar mikrobe komensale, të cilat u zhvendosën në pjesë të tjera të trupit dhe filluan të prodhojnë lipo-polisakaride (=molekula me yndyrë dhe sheqer) të cilat modifikonin përgjigjet imunitare. Kur kërkuesit i dhanë kavjeve antibiotikë të spektrit të gjerë, me qëllim shterimin e mikrobiomës intestinale gjatë trajtimit, kafshët filluan të prodhojnë më pak qeliza dendritike të aktivizuara, të cilat punojnë për të mbështetur funksionimin e qelizave T. Administrimi i antibiotikëve tek kafshët e paekspozuara ndaj rrezatimit nuk kishte efekt mbi efikasitetin e trajtimit me qeliza T. Kjo nënkupton se mikrobet të cilat u ‘arratisën’ prej zorrës, filluan të ndërmjetësojnë aktivitetin e sistemit imunitar [9]. Në një tjetër studim [10], që kishte si qëllim hulumtimin e efekteve të mikrobeve intestinale mbi mikromjedisin tumoral, ndërmjet të tjerash, u gjet një lloj imunoterapie e njohur si CpG-oligodeoksinukleotide – copëza të vogla ADN-je sintetike të cilat ndihmojnë në procesin e stimulimit të sistemit imunitar për të sulmuar qelizat kanceroze – dhe kavjet e trajtuara me antibiotikë kishin një rënie të qelizave të ndryshme imune që prodhojnë faktorin e nekrozës tumorale, një molekulë e cila nevojitet që të punojnë CpG-oligodeoksinukletidet.

Këto gjetje, të marra së bashku me studime të tjera që kanë identifikuar komunikimet metabolike ndërmjet mikrobiomës intestinale dhe qelizave të ndryshme imunitare, demonstrojnë lidhjen e ngushtë që ekziston ndërmjet mikrobiomës dhe imunitetit.

REFERENCA TE ARTIKULLIT