Shkaqet dhe faktorët e rrezikut
Shkaku apo shkaqet e MS-së nuk janë akoma të qarta edhe pse ka të dhëna, të cilat sugjerojnë që MS shkaktohet nga një çorientim autoimun i sistemit qendror nervor, si rezultat i një stimuli ambiental në persona që kanë një predispozitë gjenetike për këtë sëmundje.
Disa nga këto faktorë rreziku të MS-së janë përshkruar në studime epidemiologjike, patologjike dhe të patologjenezës.
- Duhanpirja dhe ekspozimi në ambientet ku pihet duhan.
- Mbipesha
- Mononukleosis që shkaktohet nga virusi i Epstein-Bar janë të përfshirë në rritjen e shanseve për të pasur MS.
- Disa nga faktorët ambientalë që rrisin rrezikun për të pasur MS përfshijnë lartësitë gjeografike (më e lartë në Hemisferën e Veriut), si në Europë (ose që kanë prejardhje nga Europa Veriore), po ashtu edhe në Amerikë. Këto reflektojnë ndryshimin e stinëve dhe kohën e ekspozimit në diell, gjë që ndikon në nivelet e vitaminës D tek të prekurit me MS.
Incidenca dhe prevalenca:
Studimet epidemiologjike tregojnë që më shumë se 2.5 milionë individë janë të prekur nga MS duke e bërë këtë sëmundje ndër më të zakonshmet e dëmtimeve neurologjike. Ky numër pritet të rritet në të ardhmen.
- Tek të rriturit raporti femrave / meshkuj është 3:1.
- Tek fëmijët (para adoleshencës) ky raport është 1:1, sepse përfshin dhe rolin që luajnë ndryshimet hormonale.
- Raportet gjenetike kanë zbuluar se binjakët monozigotik (të së njëjtës vezë) kanë 30-50% shanse për të pasur MS. Studimet gjenetike kanë zbuluar më shumë se 200 variante gjenesh që kanë të bëjnë me kaskadat immune, të cilat rrisin rrezikun e zhvillimit të MS.
- Prevalenca në Amerikë është 1 milion individë, ndërsa në Europë është shumë heterogjene dhe varion nga shteti në shtet.
- Në Itali (sidomos në Sardenjë), kjo prevalencë është më e larta në rajon ku 100 në 100.000 banorë në vit diagnostikohen me MS.
- Në vitet e fundit prevalenca në Greqinë e Jugut duket të jetë rritur deri në 120 në 100.000 për vit.
Mosha, në të cilën vërehet MS, arrin kulmin rreth 20-40, por tek fëmijët (<18 vjeç) mund të fillojë që në moshën 1-vjeçare me një prevalencë 0.6-1.66 për 100,000 fëmijë në vit.
Individët që kanë MS (si ata në moshë të vogël dhe ata në moshë madhore) ndajnë të njëjtët faktorë rreziku, ambientalë edhe gjenetikë. Për këtë arsye MS, deri më tani, konsiderohet si një sëmundje e vetme, por që manifestohet në mosha të ndryshme dhe me disa variante klinike.
Për shkak se MS prek një numër relativisht të madh individësh dhe ka pasoja të rënda, si tek pacientët, ashtu edhe tek familjarët e tyre, është shumë e rëndësishme të diagnostikohet dhe trajtohet sa më shpejt.
Studime epidemiologjike më gjithëpërfshirëse nevojiten të bëhen në Mesdhe dhe sidomos në Shqipëri, në mënyrë që mjekët në përgjithësi dhe neurologët në veçanti të kenë informacion të plotë për rastet e disgnostikuara, sidomos kur këto raste mund të mos kapen që në moshë të vogël tek popullata pediatre.