Ajri është burimi i cili siguron funksionimin e një veprimi kaq të nevojshëm për jetën e njeriut- frymëmarrjes. Rrjedhimisht, cilësia e ajrit është thelbësore në përcaktimin e kushteve shëndetësore të njerëzve në popullatë. Cilësia e ajrit përcaktohet nga përbërja dhe prania e substancave (elemente apo përbërje mikse e elementëve/ndotësve) të cilat mund të shkaktojnë efekte të ndryshme në shëndetin e njeriut.
Efektet shëndetësore të ekspozimit ndaj ndotësve në ajër varen nga:
- përbërja e ndotësve të ajrit
- koha e ekspozimit ndaj ndotësve në ajër
- sasia e ndotësve në ajër ndaj të cilave ekspozohet njeriu
- faktit nëse njeriu ekspozohet ndaj substancave të vetme apo përbërjeve mikse të ndotësve
- sistemi imunitar i njeriut
Efektet në shëndet janë pjesë e një spektri të gjerë që nis prej një marrje të lehtë mendsh dhe vështirësi në frymëmarrje e shkon deri në irritim lëkure apo edhe kancer. Probleme në zhvillimin e fëmijëve, defekte në lindjen e foshnjëve si dhe aktivitet i ulët i sistemit imun janë gjithashtu efekte ndaj ekspozimit ndaj ndotësve të pranishëm në ajër. (1)
Përpos ekspozimit ndaj ndotësve, faktorë të tjerë si mosha, gjendja nutricionale dhe kushtet ekzistuese shëndetësore luajnë rol thelbësor në efektet që shkaktojnë ndotësit në ajër në shëndetin e popullatës.
Cilat janë organet dhe sistemet të cilat preken nga ndotësit e ajrit?
Figura 1. Sistemet kryesore të trupit të njeriut të cilat preken nga efektet e ekspozimit ndaj ndotësve në ajër
1. Sistemi i frymëmarrjes
Mushkëria është organi më i prekur nga çrregullimet e ekspozimit ndaj ndotësve në ajër në sistemin e frymëmarrjes. Inflamacioni i mushkërive shkaktohet kryesisht nga ekspozimi ndaj ozonit (O3) ndërkohë që shumë infeksione respiratore shkaktohen nga ekspozimi ndaj oksideve të nitrogjenit (NOx) dhe metaleve të rënda si arseniku (As), nikeli (Ni) dhe vanadiumi (V). (2,3) Ekspozimi ndaj dioksidit të sulfurit (SO2) është treguar të shkaktojë simptoma të tilla si irritim të hundës dhe fytit, bronkokonstriksion si dhe dispnea. Ekspozime kronike (të zgjatura në kohë dhe me ekspozim të vazhdueshëm) ndaj ozonit dhe metaleve të rënda janë shkaktarë të reduktimit të funksionit të mushkërive, përgjegjëse për emfizema pulmonare si dhe kancer të mushkërive. (4,5)
2. Sistemi kardiovaskular
Duke nisur nga çrregullimet e funksionit të hemoglobinës (transportit të oksigjenit) të shkaktuar nga ekspozimi ndaj monoksidit të karbonit (CO) gjendja shëndetësore rrezikon të përkeqësohet me prekjen e organeve të tjera (organe që kanë nevojë për shumë oksigjen si truri dhe zemra). Simptomat më të shpeshta janë çrregullime në përqëndrim mendor, humbje e reflekseve dhe konfuzion. Ndryshimet në qarkullimin e gjakut si pasojë e ndotjes në ajër shkaktojnë angina (dhimbje kraharori e shkaktuar nga mos-furnizimi i mjaftueshëm i muskulit të zemrës me oksigjen) dhe infarkt miokardi. (6) Gjithashtu ekspozimi ndaj grimcave (si PM 2.5 dhe PM 10) shkakton probleme në koagulimin e gjakut. Ndërkohë, ekspozimi ndaj metaleve të rënda rezulton të shkaktojë simptoma të tilla si takikardia, rritja e presionit të gjakut si dhe anemi.
3. Sistemi nervor
Janë kryesisht metalet e rënda si mërkuri (Hg), arseniku (As) dhe plumbi (Pb) dhe dioksinat të cilat prekin sistemin nervor dhe shkaktojnë çrregullime të ndryshme. Ekspozimi ndaj këtyre metaleve të rënda ka treguar të shkaktojë neuropati me simptoma të tilla si probleme të kujtesës, çrregullime gjumi, lodhje, dridhje duarsh, çrregullime humori, dobësim në shikim dhe çrregullime në të folur. (7)
4. Sistemi urinar
Përsëri, edhe në rastin e sistemit urinar, janë metalet e rënda ato të cilat shkaktojnë dëmtime në veshkë të cilat nisin prej çrregullimeve tubulare për të vazhduar më tej në përkeqësim me uljen e nivelit të filtrimit glomerular (GFR). Këto çrregullime rrisin rrezikun për krijimin e gurëve në veshka, nefrokalcinozat si dhe kancer renal. (8,9)
5. Sistemi digjestiv
Në sistemin digjestiv janë dioksinat ato të cilat shkaktojnë kryesisht dëmtimin e qelizave të mëlçisë deri edhe në kancer gastrointestinal dhe kancer të mëlçisë. (10)
Janë disa grimca të dukshme e të padukshme të cilat arrijnë të përcaktojnë kushtet e shëndetit tonë nëse ne harrojmë apo e shmangim prezencën e tyre. Nëse vërtet dëshirojmë të ndryshojmë situatën në të cilën ndodhemi e të jetojmë shëndetshëm, duhet të nisemi nga KUPTIMI i situatës dhe njohja e shkaktarëve për të vazhduar me: SI ta ndryshojmë situatën?
Referenca
- Schell, L. M., Gallo, M. V., Denham, M., & Ravenscroft, J. (2006). Effects of pollution on human growth and development: an introduction. Journal of physiological anthropology, 25(1), 103-112.
- Uysal, N., & Schapira, R. M. (2003). Effects of ozone on lung function and lung diseases. Current opinion in pulmonary medicine, 9(2), 144-150.
- Kurt, O. K., Zhang, J., & Pinkerton, K. E. (2016). Pulmonary health effects of air pollution. Current opinion in pulmonary medicine, 22(2), 138.
- Valko, M., Leibfritz, D., Moncol, J., Cronin, M. T., Mazur, M., & Telser, J. (2007). Free radicals and antioxidants in normal physiological functions and human disease. The international journal of biochemistry & cell biology, 39(1), 44-84.
- Thron, R. W. (1996). Direct and indirect exposure to air pollution. Otolaryngology–Head and Neck Surgery, 114(2), 281-285.
- Kinney, P. L. (2018). Interactions of climate change, air pollution, and human health. Current environmental health reports, 5(1), 179-186.
- Pope III, C. A., Coleman, N., Pond, Z. A., & Burnett, R. T. (2020). Fine particulate air pollution and human mortality: 25+ years of cohort studies. Environmental research, 183, 108924.
- Zhang, T., Ruan, J., Zhang, B., Lu, S., Gao, C., Huang, L., … & Qiu, R. L. (2019). Heavy metals in human urine, foods and drinking water from an e-waste dismantling area: Identification of exposure sources and metal-induced health risk. Ecotoxicology and Environmental Safety, 169, 707-713.
- Loghman-Adham, M. (1997). Renal effects of environmental and occupational lead exposure. Environmental health perspectives, 105(9), 928-939.
- Mandal, P. K. (2005). Dioxin: a review of its environmental effects and its aryl hydrocarbon receptor biology. Journal of Comparative Physiology B, 175(4), 221-230.