Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (QPKS) rekomandon larjen e duarve me ujë dhe sapun kurdoherë që është e mundur, pasi në këtë mënyrë mund të reduktojmë praninë e mikroorganizmave apo kimikateve që mund të jenë në duart tona. Nëse uji dhe sapuni nuk janë të disponueshëm, përdorimi i një xheli pastrues me bazë alkooli (këtu e më poshtë dezinfektanti) (të paktën 60% volum alkooli) mund të ndihmojë në parandalimin e infektimit prej mikroorganizmave, jo vetëm ne por edhe personat me të cilët mund të jemi në kontakt.
Dezinfektanti mund të ulë praninë e mikroorganizmave në duart tona menjëherë, në situata të caktuara, por kjo nuk do të thotë që dezinfektanti eliminon plotësisht të gjitha llojet e mikroorganizmave.
Pse?
Uji dhe sapuni janë shumë më efektivë se dezinfektanti, veçanërisht në pastrimin e llojeve të caktuara të mikroorganizmave, të tillë si Cryptosporidium, norovirus, dhe Clostridium difficile.
Dezinfektantimund të çaktivizojë një larmi mikrobesh në mënyrë shumë efektive. Kjo gjë mund të realizohet nëse përdoret siç duhet dhe pa përdorur sasi të mëdha, por duke e shpërndarë atë në sipërfaqen e duarve përpara se të fillojë të avullojë/thahet.
Dezinfektanti mund të mos jetë shumë efektiv, nëse duart janë dukshëm shumë të ndotura/pista ose të yndyrshme.
Pse?
Studime të shumta tregojnë se përdorimi i dezinfektantit, aplikohet me efektivitet dhe ka dobi të lartë në njësitë shëndetësore (qendra shëndetësore, spitale, klinika etj.), mjedise këto ku duart mund të bien në kontakt me mikroorganizma të ndryshëm. Të dhënat nga hulumtimet mikrobiologjike, tregojnë se dezinfektanti mund të ketë dobi gjithashtu edhe ndaj mikroorganizmave sëmundje-shkaktues të pranishëm në duar edhe në rastet kur duart janë pak të ndotura. Duart mund të yndyrosen ose ndoten gjithsesi edhe gjatë veprimtarive të përditshme individuale apo shoqërore të tilla gatimi, ushqyerja, veprimtarive sportive, piknikut, peshkimit, etj. Kur duart janë shumë të ndotura si pasojë e përfshirjes aktive në aktivitete të tilla, larja e duarve është mundësia më e mirë për pastrimin e tyre.
Dezinfektanti mund të mos heqë kimikatet e dëmshme që mund të bien në kontakt me duart tona, të tilla si pesticidet apo metalet e rënda.
Pse?
Megjithëse numri i studimeve në këtë drejtim është i kufizuar, me shumë gjasa dezinfektanti nuk mund të largojë ose neutralizojë kimikatet e dëmshme. Në një studim, individët që përdorën dezinfektant për pastrimin e duarve, kishin prani dhe ekspozim më të lartë të pesticideve në trupin e tyre. Nëse ju prekni pesticide të dëmshme, veprimi më i rëndësishëm që duhet bërë është larja e menjëhershme e duarve me sapun (ose të ndiqni këshillat e institucioneve përkatëse).
Nëse uji dhe sapuni nuk janë të pranishëm, mund të përdoret dezinfektant me përmbajtje të paktën 60% volum alkooli.
Pse?
Në disa studime është provuar se dezinfektantët me përqendrim alkooli 60-95%, janë më efektivë në eliminimin e mikroorganizmave krahasuar me ato të cilat e kanë përqendrimin më të ulët (=se shifra e përmendur më sipër) ose pa bazë alkooli. Dezinfektantët me përqindje të ulët të alkoolit mund të mos funksionojnë mirë për lloje të ndryshme të mikroorganizmave dhe në raste të tjera mundet vetëm të reduktojnë praninë e tyre por jo t’i eliminojnë plotësisht ato.
Kur përdorni dezinfektant, rekomandohet që të vendoset në pëllëmbët e duarve e më pas të shpërhapet në të gjithë sipërfaqen e duarve derisa të thahet/avullojë.
Pse?
Radha e veprimit të vendosjes së dezinfektantit në duar është e bazuar në një procedurë të thjeshtë e të rekomanduar prej QPKS-së (për detaje kliko këtu) . Këshillimi i njerëzve për të mbuluar gjithë sipërfaqet e duarve me dezinfektant është po aq i rëndësishëm sa fërkimi i tyre.
Gëlltitja e dezinfektantit mund të shkaktojë intoksikim (=helmim).
Pse?
Dezinfektantët janë të padëmshëm për aq kohë sa përdoren me përgjegjshmëri, por ato mund të shkaktojnë helmim nëse gëlltiten. Fëmijët kanë më shumë gjasa që të preken nga fenomene të tilla, pasi kanë më pak njohuri dhe njëherazi tërhiqen lehtësisht prej paketimit/mbështjelljes së tyre. Për këtë arsye, dezinfektantët duhet të mbahen larg syrit të fëmijëve dhe të përdoren nën mbikëqyrjen e të rriturve.
Burimi: CDC (Qendrat për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve)