Djegia nga dielli ndodh pas ekspozimit të lëkurës në diell për një kohë të gjatë, pa përdorur krem mbrojtës, apo pa veshur rroba të përshtatshme. Simptomat zakonisht shfaqen 4 orë pas ekspozimit në diell, përkeqësohen në 24-36 orët pasuese dhe shërohen brenda 3-5 ditëve.
Simptomat karakteristike që shfaqen janë: skuqje (ngjyrë rozë e lehtë në vjollcë), fryrje, kruajtje dhe ndjeshmëri e lartë në prekje që shkon deri në dhembje, flluska, dhembje koke, të përziera, lodhje e temperaturë.
Çfarë të bëjmë?
- Sapo të konstatoni që jeni skuqur, duhet të largoheni nga ekspozimi direkt në diell, mundësisht të futeni në ambiente të mbyllura.
- Bëni dush me ujë të vakët, sepse në këtë mënyrë zbusni ndjesinë e dhembjes.
- Më pas aplikoni një krem hidratues me përmbajtje aloe vera ose një krem me përmbajtje hidrokortizoni 0.5-1%, sipas udhëzimeve përkatëse.
- Nëse keni dhembje mund të përdorni një qetësues të lehtë (paracetamol ose ibuprofen).
- Konsumoni sasi të lartë uji, që të zëvendësoni lëngjet e humbura. Uji mund të merret dhe përmes ushqimeve, si p.sh.: sallata jeshile, kastraveci etj. ( Kliko )
- Nëse formohen flluska në sipërfaqen e dëmtuar, në asnjë rast nuk duhet t’i shponi. Ato ju mbrojnë nga një infektim i mundshëm i lëkurës. Nëse shpohen aksidentalisht, duhet të përdorni një krem antiseptik.
- Në rastet kur, përveç flluskave, djegia përfshin më shumë se 15% të sipërfaqes së trupit, temperatura është më e lartë se 38oC dhe kemi dhembje që zgjat më shumë se 48h këshillohet një konsultë me mjekun dermatolog.