Suplementet për fertilitetin

Integratorët apo Suplementet janë produkte ushqimore që kanë për qëllim plotësimin e dietës së zakonshme ushqimore. Ata korrigjojnë mangësitë në dietë duke mbajtur nivelin e duhur të lëndëve të caktuara ushqyese dhe mbështesin funksionet fiziologjike në organizëm.

Shpesh dëgjojmë apo na këshillojnë marrjen e suplementeve të përshtatshme për të trajtuar infertilitetin apo për ta përmirësuar atë.

Sa i saktë është ky qëndrim?

Si fillim mund të shpjegojmë se çfarë kuptojmë me fertilitet dhe infertilitet.

  • Fertiliteti është aftësia e individit apo e çiftit për t’u riprodhuar përmes kontakteve normale seksuale. 90% e çifteve të shëndetshme arrijnë të kenë një shtatzënësi brenda 12 muajve. Fertiliteti normal kërkon prodhim të mjaftueshëm sperme të shëndetshme nga ana e meshkujve dhe një numër vezësh të shëndetshme nga ana e femrave.

  • Infertiliteti  është një patologji e sistemit riprodhues dhe përbën një problem social. Ai prek 15% të çifteve, pjesëtarë të popullatës së re dhe aktive. Infertiliteti nuk zgjedh, ai prek si meshkujt, ashtu edhe femrat. Faktori mashkullor përbën 50% të rasteve të infertilitetit në çift.

Përdorimi i suplementeve për të nxitur fertilitetin ka kuptim kur merren me qëllim korrigjimin e mangësive të elementëve të caktuar në dietë.

Organizmi ynë ndodhet në kërcënimin e vazhdueshëm të radikaleve të lira të cilat nuk arrin t’i asgjësojë përmes mekanizmave fiziologjikë. Radikalet e lira dëmtojnë strukturën qelizore të spermatozoidëve dhe vezëve, duke ndikuar direkt në cilësinë e tyre.

Në këtë rast marrja e suplementeve me antikosidantë që kundërshtojnë veprimin e radikaleve të lira përbën zgjedhjen e duhur.

Stili modern i jetesës dhe shumësia e informacioneve të pakontrolluara online rrisin nivelin e stresit në çift.

  • Kur trupi ynë ndodhet në stres, prodhohet një hormon i quajtur “Kortizol”, i cili mund të çojë në çrregullime të ciklit tek femrat.
  • Stresi nxit dhe prodhimin e Prolaktinës që ndikon negativisht në shëndetin riprodhues.

Faktorë të tjerë me ndikim negativ në fertilitet janë:

  • një stil jo korrekt jetese
  • mungesa e aktivitetit fizik
  • dietë ushqimore e pabalancuar
  • mbipesha
  • ndotja e mjedisit
  • konsumi i alkolit, i duhanit etj.

Suplementet për fertilitetin ndihmojnë që organizmi ynë t’i zbusë këto efekte.

Këto preparate mund të merren pa recetë në farmaci, por këshilla më e mirë për të gjitha çiftet që planifikojnë të kenë një shtatzënësi, është që për informim më të plotë t’i drejtohen mjekut.

Takimi dhe konsulta me mjekun specialist të shëndetit riprodhues bëhet e nevojshme, nëse keni më shumë se një vit që provoni dhe nuk arrini të keni një shtatzënësi.