Në situatën në të cilën ndodhet familja jonë, vendi ynë dhe pothuajse e gjithë bota, sigurisht parësore janë shqetësimet për sigurinë, shëndetin, higjienën e ushqimin.
Por për çdo familje mbërrin dhe një moment kur prindërit ngrenë pyetjen:
- Çfarë do të bëjmë gjithë këto ditë në shtëpi me fëmijët?
Pas kënaqësisë së qëndrimit për ditë të tëra të mbyllur brenda mureve të shtëpisë me fëmijët tanë, vjen momenti kur idetë shterojnë.
Si të rriturit ashtu edhe fëmijët fillojnë të bëhen nervozë dhe, pasi kryhen detyrimet e secilit prej nesh, duket sikur ekrani është e vetmja zgjidhje.
Prindër mos u ndjeni fajtor dhe të gjykoni veten nëse fëmija juaj sheh 2-3 programe të përshtatshme për moshën.
Por duhet të përpiqemi që të mos jetë ekrani e vetmja mënyrë për të kaluar kohën e gjatë.
- Ndaj le të bëhemi krijues!
1. Në vijim do ju këshillojmë disa lojëra që mund t’u tërheqin vëmendjen të vegjëlve tanë, por mund të jenë edhe një mënyrë që edhe ne të rriturit të bashkëveprojmë me ta, duke e larguar pak stresin.Nëse në shtëpinë tuaj keni një ballkon, shfrytëzojeni. Qëndroni sa më gjatë jashtë në ajër të pastër. Lërini rrezet e diellit të ngrohin trupat tuaj. Me këtë rast të gjithë do merrni dhe një dozë të nevojshme të vitaminës D. Në orët më të nxehta të ditës, kur moti e mundëson, lejojini fëmijët të lagen pak. Ata e adhurojnë ujin. Gëzimi për ato stërkala vezulluese do i bëjë sytë e tyre të shkëlqejnë.
2. Duke përdorur një letër ngjitëse të zakonshme dhe ca lodra të fëmijëve tuaj në korridorin e shtëpisë mund ndërtoni një rrugë për makina. Me kubet shumëngjyrëshe ndërtoni ura e mbikalime. Pemët e kafshët anës rrugës do i shtojnë kënaqësinë udhëtimit. Vetë ndërtimi i kësaj rruge do jetë një kënaqësi i dyanshme për ju dhe për ta. E kur rruga të jetë gati ju sigurojmë se do ketë aftësinë të tërheqë vëmendjen e të vegjëlve për orë të tëra. Fantazia e tyre do i japë jetë kësaj rruge.
3. Së bashku me fëmijët ndërtoni figura të çuditshme me plastelinë e nëse në shtëpi nuk keni plastelinë mund të bëni një brumë të thjeshtë me miell e ta përdorni si të tillë. Përdorini këto ditë për të zbuluar talente, si tek fëmijët ashtu edhe tek ju. Figurat e ndërtuara do marrin jetë në duart e fëmijëve dhe ata me kënaqësi do luajnë me to.
4. Këshilla që dëgjojmë çdo ditë është higjiena personale. Le ta kthejmë edhe këtë në një lojë të këndshme. Zgjateni pak më shumë kohën e larjes dhe përfshini dhe lodrat e fëmijëve në këtë aktivitet. Ata tashmë duhet të kujdesen edhe për larjen e kukullës, arushit, rosakut apo kubeve të tyre.
5. Lërini të eksplorojnë kuzhinën dhe gjërat që ndodhen në bufe. Ruani një pako makarona me forma të bukura për kuzhinierët e vegjël. Gatuani së bashku receta të thjeshta si: biskota, kek apo sallatë frutash. Jo vetëm që do jenë kureshtarë dhe bashkëpunues gjatë gjithë procesit, por edhe do i hanë me dëshirë gatimet e bëra me duart e tyre të vogla.
6. Bëjini fëmijët pjesëmarrës në punët e shtëpisë. Ata mund të marrin pluhurat, mund të lajnë enë që nuk thyhen ose mund t’ju ndihmojnë me palosjen e rrobave (edhe pse më e saktë do ishte të themi shpalosjen). Në këtë mënyrë do fitojnë disa aftësi të reja, ndoshta do të bëhen më të përgjegjshëm për rregullin e pastërtinë në shtëpi, por mbi të gjitha do të kalojnë pak kohë duke u argëtuar ndryshe, sepse këto aktivitete të rutinës sonë të përditshme për ta janë zbulime të vogla.
7. Në një orar të pacaktuar të ditës vjen ai momenti kur tek të vegjlit tanë energjitë janë në maksimum. Pikërisht në këtë kohë ju mund të ndizni muzikën e tyre të preferuar dhe ja ku festa fillon. Të kërcejmë së bashku, aq më shumë në këto ditë monotone, na bën të gjithëve mirë. Ritmi i muzikës do na bëjë të harrojmë për pak shqetësimet tona. Kërcimi është aktivitet fizik dhe si i tillë është i nevojshëm gjatë qëndrimit për një kohë të gjatë brenda shtëpisë. Pas disa minutave kërcim të hareshëm ju sigurojmë që fëmijët do kenë shpenzuar energji të mjaftueshme për t’ju siguruar dhe ju të rriturve disa orë qetësie në shtëpi.
- Gjithmonë kujdesuni të alternoni tipologjitë e aktiviteteve.
Pas një loje aktive kaloni në një aktivitet të qetë, siç mund të jetë leximi i një libri ose të parit e një filmi në televizor.