Pas Pfizer / BioNtech, kompania biotech Moderna lëshoi të dhënat mbi ecurinë e vaksinës së tyre mRNA-1273 kundër SARS-CoV-2. Dje, ky lajm u paraqit në media në të gjithë botën dhe natyrshëm lind pyetja:
Çfarë ndryshon me të vërtetë për ne, në një kohë afatshkurtër (minimalisht 2-3 muaj)? Praktikisht, nuk ndryshon asgjë në qasjen që duhet të kemi ndaj pandemisë.
Le ti krahasojmë këto dy vaksina për të kuptuar më shumë rreth tyre.
- Të dyja janë ende në fazën e testeve klinike. Pritet që në javët në vijim të aplikojnë për aprovimin për përdorim. Ana pozitive është se po bëhet përparim në këtë drejtim. Sa më shumë kompani të kemi që zhvillojnë vaksina aq më shumë doza të disponueshme do kemi, dhe si rrjedhojë një mbulim më të gjerë të popullatës.
- Të dy vaksinat përdorin të njëjtën qasje: injektimi i materialit gjenetik të virusit (ARN në këtë rast), për të stimuluar përgjigjen imunitare. Shiko posterin më poshtë për të kuptuar si funksionojnë vaksinat ARN-m.
- Të dhënat e botuara deri më tani tregojnë ngjashmëri: rreth 90% mbrojtje për vaksinën Pfizer / BioNTech dhe rreth 95% për Moderna.
- Meqënëse të dyja janë ende në prova klinike, numrat mbi efikasitetin e tyre mund të ndryshojnë.
- Vaksina e Modernës duket pak më e qëndrueshme: mund të ruhet më lehtë pasi mbetet e qëndrueshme në temperaturën -20°C (dmth ARN nuk degradohet) deri në 6 muaj dhe mund të ruhet në një frigorifer standard 4°C për një muaj.
- Vaksina e Pfizer është e qendrueshme ne temperatura më të ulëta, -75°C, dhe 4°C për pesë ditë.
Cilat janë sfidat e radhës?
Të dy kompanitë farmaceutike do të duhet të perfundojnë provat klinike të fazës 3, në mënyrë që të konfirmojnë efikasitetin e vërtetë të vaksinës.
Për më tepër, një sfidë e rëndësishme do të jetë verifikimi per kohëzgjatjen e mbrojtjes (për sa kohë antitrupat neutralizues mbeten në trup) dhe veçanërisht nëse sistemi imunitar do të jetë në gjendje të zhvillojë një ‘kujtesë’ për përgjigjen imunitare ndaj virusit, dhe është pikërisht kjo përgjigje që na lejon mbrojtjen për një kohë të gjatë nga një patogjen i veçantë.