Të hash në shtëpi apo jashtë? Çfarë është më e shëndetshme për studentët në Shqipëri?

Shpeshherë dëgjojmë se është më pak e shëndetshme të konsumohet ushqim i gatuar/përgatitur jashtë (jo në shtëpi).

Përtej elementëve të sigurisë dhe higjienës ushqimore, e cila varion nga vendi dhe lloji i ushqimit, duket se ekziston një konsensus virtual se ushqimi i konsumuar në shtëpi është më i shëndetshëm. Kjo varet prej faktorëve socio-demografikë, por nga pikëpamja shkencore është e mundur të realizohet një hulumtim që analizon vetëm pjesën nutricionale (=përmbajtjen e nutrientëve) të ushqimeve që konsumohen jashtë dhe në shtëpi.

Në vitin 2016, në një bashkëpunim me Universitetin e Ghent-it në Belgjikë u realizua një studim ku u vlerësua konsumi aktual në një grup vulnerabël, i cili u bë fokusi mediatik e shoqëror gjatë 2018, por që duhet të jetë fokusi shoqëror i vazhdueshëm – studentët!

Studentë nga tri universitete në Tiranë (Universiteti i Tiranës, Universiteti i Mjekësisë Tiranë dhe Universiteti Politeknik i Tiranës) u përfshinë në këtë studim dhe u morën të dhëna mbi kompozimin e dietës së tyre, të cilat u përpunuan nëpërmjet një programi të krijuar enkas për studimin, të quajtur Lucille Food Intake Software © UGent. Ky studim u publikua në revistën e Librarisë Publike të Shkencave të Shteteve të Bashkuara (PLoS ONE).

Disa nga rezultatet kryesore paraqiten më poshtë për të krijuar një ide të përgjithshme mbi dietën e studentëve në këto universitete.

1.

Krahasimi i kontributit energjetik për vakt/për ditë, madhësisë së porcionit/për vakt dhe energjisë për gram të ushqimeve të konsumuara dhe përgatitura në shtëpi (Sh) dhe jashtë (J).

Ekziston një diferencë e qartë në madhësinë e porcionit (=peshën) ndërmjet vakteve të konsumuara në shtëpi (Sh) dhe jashtë (J), ku Sh është relativisht më tepër se J, por në terma të densitetit energjetik ushqimet J kanë mesatarisht 2.7 kcal/g më shumë dhe ushqimet Sh përmbajnë 1.7 kcal/g. Edhe densiteti energjetik mesatar për vakt është relativisht më i madh tek ushqimet J (296.8 kcal), krahasuar me ushqimet Sh (207.5 kcal).

 

*Krahasimet jane realizuar me test-t te studentit dhe kontributi energjetik eshte perllogaritur bazuar ne vleren energjetike mesatare per vakt.

2.

Figura më poshtë tregon edhe më tepër për kompozimin dhe strukturën e ushqyerjes së studentëve. Ushqyerja Sh është më e pasur me fruta / perime dhe fibra, krahasuar me dietën J, e cila është e pasur me sheqer dhe ka sasi të kufizuara të fibrave dhe fruta/perimeve. 

Si do të dukej pjata e një vakti tipik me ushqime J vs. Sh?

 

                                                          Burimi: https://bit.ly/2NZ0oRu

3.

Përqasja e studimit realizoi klasifikimin e ushqimeve në bazë të vendit të përgatitjes (si p.sh. fast-food, restorant, dyqan rrugë, kioskë, etj.) dhe ushqime shtëpie ato të përgatitura në shtëpi.

Figurat më poshtë bëjnë një përpjekje për të vendosur në kontekst ekspozimin dhe zgjedhjet e kufizuara që studentët kanë dhe njëkohësisht është një formë ndërgjegjësimi për të bërë një përpjekje që të themelohen dhe hapen restorantet universitare publike për studentët me ushqime të kontrolluara, të shëndetshme dhe relativisht me çmime të përballueshme dhe të lira.

Figura në vijim tregon ushqimet tipike të cilat mund të dallohen edhe prej jush ku shquhet  (1) një fast-food pranë fakultetit që ofronte pica dhe byrek, (2) një mëngjes tipik i studentëve me dhallё dhe byrek, (3) krepa, (4) kafe me dy sheqer (që edhe pse është absurde konsiderohet normale) (5) qofte, (5) doner, (6) sufllaqe, (7) gjiro, dhe (9) dyqan fast-food-i tipik pranë fakulteteve.

Ushqime tipike të konsumuara nga studentët

4.

Në këtë kontekst u realizuan disa harta, por më poshtë po ju paraqesim hartën e shitësve ushqimor që tregtojnë ushqime rreth Universitetit të Mjekësisë Tiranë. Kjo hartë kërkon që t’ju krijoj një ide mbi ekspozimin që influencon zgjedhjet ushqimore tek studentët e këtij universiteti. Ilustrimi tregon të gjitha burimet kryesore të ushqimeve në raport me afërsinë dhe rezidencat e studentëve.

Edhe pse në pamje të parë nuk mund të duket si një faktor ndikues, por në bazë të ekspozimit të dendur ndaj ushqimeve të shpejta dhe pikave të shitjeve me ushqime me densitet energjetik relativisht të lartë dhe përmbajtje të lartë makronutrientësh, mendohet se kjo ndikon në mënyrë direkte në vullnetin e studentëve për zgjedhjet e tyre nutricionale duke krijuar një mjedis kufizues nutricional.

Një element për t’u përmendur është konsumi kafesë gjatë pushimeve ndërmjet leksioneve dhe shoqërimi me një ose dy bustina sheqer në mënyrë konsistente, edhe pse 2 bustina janë ekuivalente e të gjithë sheqerit të nevojshëm ditor dhe mund të kontribuojnë në dëmtimin e florës normale (gjë që është lidhur me shfaqje të depresionit, ankthit dhe stresit të shtuar, kur mikrobioma dëmtohet).

Këto norma të heshtura dhe ilustrimi dëshmojnë qartë ndryshimet strukturore të mjedisit rrethues dhe ndikimin në intensitetin e ushqyerjes jashtë banesës dhe prevalencën pothuajse zero të marrjes së ushqimit nga shtëpia, si edhe ndodh rëndomë në universitete në vendet e zhvilluara. 

 

                                                     Burimi: https://bit.ly/2NZ0oRu

5.

Më tej, nëse analizojmë kompozimin nutricional të dietës së subjekteve në studim, i shprehur si përqindje të energjisë totale ditore, në shtëpi dhe jashtë dhe nëse këto vlera i krahasojmë me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Organizatës Botërore të Ushqimit dhe Bujqësisë, do të shohim se ka një tejkalim të rekomandimeve të sheqerit dhe yndyrave të ngopura (jo të shëndetshme).

Kompozimi nutricional i dietës së subjekteve në studim, i shprehur si përqindje e energjisë totale ditore, në shtëpi (Sh) dhe jashtë (J).

 

             Burimi: Llanaj E, et al., 2018. https://doi.org/10.1371/journal.pone.0197874.s005

Kur shohim panelet me situatën e vitaminave dhe mineraleve, vihet re se: “studentet femra marrin më shumë vitamina dhe minerale se studentët meshkuj”. Studimi mbi ushqyerjen e studentëve në Shqipëri tregon se ushqyerja në shtëpi dhe jashtë nuk kanë ndryshim tjetër veç çmimit dhe se kjo gjendje sugjeron investim në fushën e nutricionit dhe infrastrukturës kërkimore-shkencore nutricionale dhe politikave për përmirësimin e ushqyerjes. Gjithashtu, tregon për një nevojë të ndryshimit të kurrikulave, duke vendosur ‘leksione gatimi’ në shkollë të mesme, duke qenë se ndryshimi femra-meshkuj i atribuohet më tepër mungesës së aftësive kulinare tek meshkujt.