Për të kuptuar se si mund të jetë ecuria pas heqjes së përshkallëzuar të masave kufizuese, mund të hipotetizojmë apo spekulojmë, por mund gjithashtu të mësojmë nga përvojat e shteteve të cilat tashmë kanë filluar ti heqin gradualisht masat shtrënguese. Kina është vendi i parë në botë që mori masa shtrënguese me karantinë dhe izolim masiv, dhe tashmë ka filluar t’i heqë gradualisht.
Pikërisht për këtë arsye shoqëria Kineze duhet të vëzhgohet me kujdes, pasi është ‘më para’ në kohë se pjesa tjetër e botës, në këtë drejtim. Kina është shembulli më tipik i strategjisë së parë të frenimit, duke vendosur masa strikte kufizimi dhe distancimit fizik qysh në 23 Janar të këtij viti, në Vuhan (provincë e Hubeit), ku filloi edhe shpërthimi epidemik. Kjo qasje u ndoq edhe në provinca të tjera, me modifikime kontekstuale dhe që demonstruan të ishin efektive në frenimin e epidemisë në Kinë. Më 23 Mars, qeveria Kineze deklaroi se për herë të parë, qysh prej fillesës së epidemisë, ka pasur 5 ditë rresht pa asnjë rast reja të ri të konfirmuar të shkaktuara nga transmisioni lokal (=infektim prej rasteve brenda vendit, jo nga raste të importuara nga vende të tjera).
Tashmë kufizimet janë zbutur, në shumicën e qyteteve të provincës së Hubeit dhe më 8 Prill 2020 kufizimet u pezulluan gradualisht edhe në Vuhan. Jeta shoqërore ende nuk është kthyer në ‘normalen e vjetër’, por njerëzit kanë filluar të lëvizin më shumë, më lirshëm dhe nuk ndodhen më në kushtet e izolimit total – siç ishin më parë! Testimi dhe gjurmimi i rasteve vazhdon në kombinim me masat selektive të distancimit social (si p.sh. përcaktimi i një kodi të përgjigjes së shpejtë ose kodi QR me tri nivele rrezikshmërie [e kuqe, portokalli dhe jeshile] ku ata me QR kod jeshil mund të lëvizin lirshëm, ata me kod portokalli e kanë të ndaluar të futen në qendra tregtare, supermarkete, etj. dhe ata me kod të kanë kufizime të tjera shtesë).
Kina në valën e parë mbylli gjithashtu kufijtë e saj me të gjitha shtetet, duke lejuar vetëm qytetarët e saj të hyjnë, me qëllim parandalimin e importimit të rasteve nga shtetet e tjera. Veprimtaritë shoqërore, ekonomike, institucionale, etj. kanë filluar të ri-kthehen dhe Kina ka filluar të implementojë strategjinë e saj të përshtatur të daljes nga izolimi.
Megjithatë, a mund të merret Kina si shembull apo si model për pjesën tjetër të botës për strategjinë e saj të daljes nga izolimi?
Në disa drejtime po, por secili vend duhet të përshtasë strategjitë e përzgjedhura të daljes nga izolimi në bazë të kushteve dhe rrethanave lokale. Jo domosdoshmërisht të gjitha vendet do të kenë kapacitetet e Kinës në kërkim shkencor, testim, hetim epidemiologjik dhe gjurmim të kontakteve. Madje, edhe vetë Kina brenda saj, ka një variacion në aplikimin e implementimin e strategjisë së daljes nga izolimi, që ndryshon nga krahina në krahinë, bazuar në rrethanat lokale. Për momentin hartimi i strategjive të daljes nga izolimi ka mbetur në nivel shteti ose një grupi shtetesh, dhe jo në nivel ndërkombëtar, edhe pse jemi në kushtet e pandemisë globale.
Pavarësisht se cila do të jetë strategjia e daljes nga izolimi i valës së parë, jetët tona do të duhet të përshtaten me kushtet aktuale dhe dalja nga izolimi do të jetë një proces provo-dhe-gabo deri sa ta përsosim! Ato janë përshtatur deri diku, edhe pse jo plotësisht. Megjithatë kjo të bën të mendosh:
A duhet të fillojmë t’i përshtatemi jetës në kushtet e COVID-19?
Ndoshta në të ardhmen do të kemi një vaksinë apo trajtim, por për momentin duhet të marrim pjesë të gjithë aktivisht në frenimin e infeksionit dhe mbrojtjen e jetës së atyre që janë më vulnerabël. Kjo nuk është hera e parë që njerëzimi përballet me një pandemi. Njerëzit mund të fillojnë të ndihen ndryshe për botën në të cilën po jetojmë, por kjo që po përjetojmë të gjithë në këto momente nuk do të zgjasë përgjithmonë! Këto janë masa të cilat po i ndërmarrim kolektivisht, për të arritur një qëllim të përbashkët, i cili është sheshimi i kurbës për të mbrojtur shëndetin.
Kjo gjendje do të përfundojë, pavarësisht se ne nuk mund të themi me siguri se kur, dhe kur kjo gjendje të përfundojë duhet të reflektojmë si shoqëri për hapat që duhet të ndërmarrim për pandeminë e radhës në të ardhmen nga një SARS-CoV-3 i mundshëm – e të investojmë seriozisht në infrastrukturën dhe kapacitetet e shëndetit publik, sistemit shëndetësor, epidemiologjisë dhe në përgjithësi Shkencës në Shqipëri, pasi është e mundur (figura më poshtë).
Shoqëria jonë është me fat, sepse ka shkencëtarë: mjafton të hapni televizorin apo internetin dhe të krenoheni me thesarin shqiptar shkencor brenda dhe jashtë vendit! Në këto momente, po futemi ngadalë në një epokë tjetër, nëpërmjet portalit ndër-dimensional të COVID-19 dhe po vendosemi përpara zgjedhjes, se si do të duam të duket Shqipëria pas kalimit në këtë portal… që kur SArS-CoV-3 i mundshëm apo një pandemi tjetër e radhës të godasë, ne si shoqëri të jemi në gjendje ta kontrollojmë brenda pak javësh e të vazhdojmë jetët tona sikur të mos ketë ndodhur asgjë!
Zgjedhja ende mbetet brenda nesh dhe pyetja që shtrohet është: A do ti japim vetes si vend dhe njerëzim arsye për të qenë krenar për zgjedhjet tona kolektive apo jo?