Nëna dhe foshnja: evidencat e mundësisë së transmetimit vertikal të SARS-CoV-2

Emergjenca Covid 19

Përmbledhur dhe përshtatur në shqip nga:

  • Julia Daragjati, PhD

Recensente:

  • Teuta Muhollari, PhD (c)

Hyrje

Të dhënat që tregojnë pasojat e infeksionit COVID-19 te gratë shtatzëna dhe foshnjet e tyre akoma nuk janë solide. Studime vëzhguese, retrospektive, rast-raportime dhe studime kohort (=longitudinale, që zgjasin në kohë), po publikohen çdo ditë. Prandaj kemi zgjedhur të bëjmë këtë përmbledhje në fushën e gjinekologjisë me publikime të prodhuara nga dy revistat e mirënjohura Journal of American Medical Association (JAMA) dhe Lancet deri me 31 Mars 2020. Të dhënat e raportuara mbi nënën dhe foshnjën janë të përmbledhura për secilin hulumtim.

Historia pre- SARS-CoV2

Si fillim, ju sjellim në vëmendje dy koronaviruse të mëparshëm (kushërinjtë evolucionarë të SARS-CoV-2):  SARS-CoV dhe MERS-CoV. Këto dy viruse kanë prodhuar kuptueshmëri të konsiderueshme për rëndësinë e shëndetit të nënës dhe foshnjës. Informacioni i mëposhtëm ofron një panoramë më të qartë të situatave epidemike të shkaktuara pikërisht nga këto dy viruse.

Gjatë epidemisë së SARS-CoV (2002-2003) (Wong et al., 2004)

  • Në 3-mujorin e parë të shtatzanisë: 57% e grave abortuan.
  • Në 3-mujorin e dytë: 40% patën një rritje të ngadalësuar intrauterine.
  • Në 3-mujorin e tretë: 80% patën lindje të parakohshme dhe 25% e foshnjave humbën jetën.

Gjatë epidemisë së MERS-CoV (2012) (Alfaraj et al., 2019)

  • Gjatë gjithë shtatzënisë: 91% e grave shtatzëna patën efekte anësore (abort, rritje e ngadalësuar intrauterine).
  • Në 3-muajshin e tretë: 25% e nënave patën insufiçiencë respiratore dhe lindje të parakohshme.
  • Pas lindjes: 55% e foshnjave të lindura u shtruan në terapi intensive ndërsa 27% e foshnjave humbën jetën.

Këto dy studime treguan prognozën e grave shtatzëna dhe të foshnjave që u lindën nga nëna pozitive me SARS-CoV dhe MERS-CoV.

Theksojmë se shifrat e këtyre studimeve mund të përdoren për vlerësime dhe përafrime, por nuk janë të mjaftueshme për të nxjerrë konkluzione (Favre et al., 2020).

1. Jashtë Hubei, Kinë: Case study: grua shtatzënë 29 vjeçe, 30 javë (Dong et al., 2020)

Analizë nëna → Simptoma SARS-CoV-2, RT-PCR pozitiv, CT e kraharorit me konsolidime mushkërore ground glass.

Analiza që nuk i hasëm në studimet e mësipërme ose thjesht nuk i kishin raportuar, ishin analizat të nivelit të antitrupave IgG dhe IgM. Meqenëse kjo nënë ishte pozitive për SARS-CoV-2, vlerat e këtyre antitrupave rezultonin të larta: 107.89 AU/mL dhe 279.72 AU/mL, (normal IgM and IgG <10 AU/mL).

Lindje → cezariane

Testet RT-PCR të Sekrecioneve vaginale → negative për SARS-CoV-2, po ashtu edhe qumështi ishte negativ për SARS-CoV-2

RT-PCR për SARS-CoV-2 nga mostra nazofaringeale → negativ për nënën 16 ditë pas lindjes.

Analizë foshnja (gjinia femërore)

  • 2 orë pas lindjes, testi me RT-PCR i mostrave nazofaringeale doli negativ, POR u vërejtën vlera të larta të:
    • antitrupave IgG 140.32 AU/mL
    • leukocitet 18.08 × 109/L; dhe CT e krahërorit ishte normale.
  • 16 ditë pas lindjes testi me RT-PCR i mostrave nazofaringeale mbeti negativ tek foshnja, POR vlerat e antitrupave ishin ende të larta:
    • IgM (11.75 AU/mL)
    • IgG (69.94 AU/mL).

Mesazhi → Ky studim vë në dyshim transmetimin e mundshëm vertikal të virusit, nga nëna tek foshnja, duke përdorur gjetjet e antitrupave IgG dhe IgM tek foshnjat.

2. Wuhan, Hubei, Kinë: Studim retrospektiv  (Hui Zeng et al., 2020)

Analizë nënat→ 6 nëna me COVID-19, SARS-CoV2 + me gjendje mesatare shëndetësore

Lindje →  të gjitha cezariane.

Analizë foshnjat  → 6 foshnje me RT-PCR negative për SARS-CoV2 -serum dhe mostrave nazofaringeale, por me vlera të larta IgG, IgM dhe citokinave (IL4).

  • 5 foshnja me vlera të larta IgG, të transferuara përtej placentës nga nëna tek foshnja në fund të 3-mujorit të dytë, me vlera më të larta në lindje të këtyre antitrupave.

  • 2 foshnja me vlera të larta të IgM, zakonisht këto antitrupa nuk kalojnë nga nëna tek fetusi sepse janë makromolekula; por raportohet se dy nënat kishin pesha jonormale dhe patologji konkomitante. Dëmtimi i placentës nuk ishte i dokumentuar, për asnjërën nga nënat. Mundësia tjetër ishte që IgM të ishte  prodhuar foshnja nëse virusi do kishte kaluar placentën.

Kufizimet e studimit → mungesa e analizave për SARS-CoV-2 në mostrat e lëngut amniotik, kordonit umbelikal, qumështit të gjirit.

Mesazhi → Këto rezultate janë të rëndësishme për të kuptuar karakteristikat serologjike të foshnjës së lindur nga nëna me COVID 19.

3. Kinë, Minireview e autorit që sjell 3 Raportim-rasti (Kimberlin et al., 2020)

Ky është një minireview i dy studimeve (Dong et a., 2020) dhe (Zeng et al., 2020) që tregojnë për mundësinë e një transmetimi vertikal nënë-foshnje për shkak të vlerave të larta të IgM.

Evidenca → transmetimit vertikal nga nëna tek foshnja bazohet te vlerat e larta të antitrupave IgM te foshnjat pak kohë pas lindjes (2 orë). Të tria foshnjat rezultuan negative me RT-PCR për SARS-CoV-2 dhe nuk kishte gjetje virologjike. Shtjellohet mundësia e vlerave të larta IgM, të cilat mund t’i gjeni tek artikulli origjinal.

Mesazhi Duhen më tepër evidenca shkencore dhe raste për të provuar transmetimi nënë-fetus i SARS-CoV-2.

Raportim rasti: dy gra shtatzëna që lindën foshnja me shenja të lehta infektimi (temperature/pneumoni) ( Fa et al., 2020).

Rasti 1

Analizë nëna → RT-PCR për SARS-CoV-2 të mostrave nazofaringeale rezultuan pozitive. Serumi i nënës, qumështi, sekrecionet vaginale, kordoni umbelikal dhe placenta rezultuan negativ për SARS-CoV-2.

Terapia → Cefotiam klorhidrat, Ornidazol e metilprednisolon. Pas 3 ditësh terapie, nëna ishte ende pozitive për SARS-CoV-2, por me ngarkesë virale më të ulët.

Lindje → cezariane

Analizë foshnja → RT-PCR për SARS-CoV-2 të mostrave nazofaringeale rezultuan negative; kishte pak temperaturë, distension abdominal me limfopeni (16,87%) në ditën e 3-të pas lindjes. Rx e toraksit tregoi njolla në të dyja krahët e mushkërive, pa konsolidime të çrregullta. U trajtua me terapi antibiotike, [pas pak ditësh u lirua nga spitali]

Rasti 2

Analizë nëna → temperaturë persistente (38,5 ° C), CT e toraksit me shumë konsolidime ground-glass; RT-PCR për SARS-CoV-2 negative për sekrecionet vaginale, kordonin umbelikal dhe placentën.

Terapia antibiotike, [pas pak ditësh u lirua nga spitali me RT-PCR për SARS- CoV-2 të mostrave nazofaringeale negative.]

Lindje → cezariane

Analizë foshnja → pneumoni e lehtë neonatale dhe limfopeni (10,5%).

Terapia → antibiotikë, [përmirësim pas pak ditësh].

Transmetimi vertikal nënë-foshnjë i SARS-CoV-2 është pak i mundshëm. Të ushqyerit me qumësht gjiri të nënës me COVID-19 nuk aplikohet në Kinë edhe po të ishte SARS-CoV-2 negativ testi i qumështit. Meqenëse transmetimi ndodh nëpërmjet sekrecioneve trupore të infektuara, ekspozimi i foshnjës ndaj nënës e rrezikon beben.

Mesazhi → Transmetimi vertikal nënë-foshnjë i SARS-CoV-2 mendohet të jetë pak i mundshëm, pasi virusi nuk ishte i pranishëm në asnjë prej mostrave biologjike të nënës apo foshnjës. Falë përgjigjes imunitare ka mundësi që nëna të prodhojë antitrupa të mjaftueshëm pa shkaktuar gjendje të rënduar. Këto antitrupa mund të kenë veprim mbrojtës tek foshnja gjatë të ushqyerit me qumësht gjiri. Për nënat pozitive me SARS-CoV-2, të ushqyerit me qumësht gjiri nuk këshillohet edhe nëse testi i qumështit do ishte negativ.

4. Wuhan, Hubei, Kinë: Studim retrospektiv, studim kohort  ( Zeng L et al., 2020)

33 nëna → SARS-CoV-2 pozitive, lindën 33 foshnja (ku 16 prej tyre ishin të gjinisë mashkullore dhe 17 femra). Ky studim analizon 3 (9%) foshnje të gjinisë mashkullore që lindën pozitive për SARS-CoV- 2. Pjesa tjetër (91%) nuk kishin simptoma dhe evidenca të COVID-19.

E vetmja foshnje që kishte simptoma të rënda dhe me COVID-19, kishte lindur para kohe, me asfiksi dhe sepsis, që mund të identifikohen si shkak e gjendjes së rënduar.

Lindja → të treja foshnjave me lindje cezariane

Foshnja 1

Simptomat → letargji, temperaturë; Testi RT-PCR për mostra nazofaringeale dhe anale rezultoi pozitiv (ditën e 2-të dhe ditën e 4-të), por rezultoi negativ në ditën e 6-të. Të gjitha testet dhe analizat i kishte në normë, përveç prokalcitoninës dhe Rx identifikonte pneumoni të lehtë.

Femija 2:

Simptomat → letargji, temperaturë, pshtjellim; Testi RT-PCR për mostra nazofaringeale dhe anale rezultoi pozitiv (dita 2 dhe dita 4), por negativ në ditën 6;

Analizat  →  leukocitozë dhe limfocitopeni; Rx tergoi për pneumoni të lehtë

Foshnja 3  → (lindje e parakohshme: java 31) dhe kishte nevojë për shërbimin e reanimacionit.

Simptomat  → paraqitej me distres respirator neonatal dhe me sepsis nga Enterobacter agglomerates

Analizat → identifikuan leukocitozë, trombocitopeni, koagulopati (koha e protrombinës, 21 sekonda; koha e aktivizimit të tromboplastinës 81.9 sek), Rx konfirmoi pneumoni.

Terapi  → trajtim me ventilim jo invaziv dhe terapi farmakologjike me antibiotikë.

Mesazhi → Transmetimi vertikal nënë-foshnje i SARS-CoV-2 në këtë grup foshnjash nuk mund të konfirmohet, sepse mbetet dyshimi i infektimit gjatë/pas lindjes. Këto 3 foshnje (9%) u konfirmuan pozitive për SARS-CoV-2 dhe të treja ishin të gjinisë mashkullore.

Referencat

  1. Wong SF, Chow KM, Leung TN, et al. Pregnancy and perinatal outcomes of women with severe acute respiratory syndrome. Am J Obstet Gynecol. 2004; 191: 292-297
  2. Alfaraj SH, Al-Tawfiq JA, Memish ZA. Middle East respiratory syndrome coronavirus (MERS-CoV) infection during pregnancy: report of two cases & review of the literature.J Microbiol Immunol Infect. 2019; 52: 501-503
  3. Favre G, Pomar L, Musso D, Baud D. 2019-nCoV epidemic: what about pregnancies? Lancet. 2020 Feb 22;395(10224):e40. doi: 10.1016/S0140-6736(20)30311-1.
  4. Dong L, Tian J, He S, Zhu C, Wang J, Liu C, Yang J. Possible Vertical Transmission of SARS-CoV2 From an Infected Mother to Her Newborn JAMA 26 Mar 2020, doi:10.1001/jama.2020.4621
  5. Zeng H, Xu C, Fan J, Tang Y, Deng Q, Zhang W, Long X. Antibodies in infants born from mothers with COVID 19 JAMA March 26, 2020. doi:10.1001/jama.2020.4861
  6. Kimberlin DW, Stagno S. Can SARS COV2 be acquired in Utero JAMA 26 Mar 2020 doi:10.1001/jama.2020.4868
  7. Zeng L, Xia S, Yuan W, Yan K, Xiao F, Shao J, Zhou W. Neonatal Early onset infection with SARS-CoV2 in 33 neonates born to mothers with COVID in Wuhan, China March 26, 2020. doi:10.1001/jamapediatrics.2020.0878
  8. Fa C, Lei D, Fang C, Li C, Wang M, Liu Y , Bao Y, Sun Y, Huang J, Guo Y, Yu Y, Wang S. Perinatal Transmission of COVID-19 Associated SARS-CoV-2: Should We Worry?, Clin Infect Dis. 2020 Mar 17. pii: ciaa226. doi: 10.1093/cid/ciaa226.