Analizë :Trendi epidemik i COVID-19 në Kinën kontinentale

Covid-19-Kine

Përmbledhur nga AIRinforma dhe përshtatur në shqip nga:

  • Julia Daragjati, PhD

Recensente:

  • Teuta Muhollari, PhD (c)

Kjo analizë përshkruan trendin e epidemisë dhe incidencën e rasteve të COVID-19 (16 Janar-14 Shkurt 2020) në Kinën kontinentale, në veçanti në Wuhan.

Në Dhjetor 2019, pneumonia e shkaktuar nga koronavirusi i ri SARS-COV-2, u shfaq për herë të parë në qytetin Wuhan të provincës së Hubeit dhe pastaj u përhap në të gjithë Kinën. Me 23 janar u shpall mbyllja e të gjithë kufijve të Wuhanit, duke pezulluar kështu gjithë llojet e transporteve. Më pas, edhe provincat dhe rajonet e tjera miratuan ndalimin e transportit dhe ndoqën masa shumë të rrepta izolimi social për të luftuar epideminë. Autorët e këtij artikulli analizuan dinamikën e kësaj epidemie në Kinën kontinentale nga 16 Janari deri më 14 Shkurt të vitit 2020 për të vlerësuar funksionimin e masave të ndërmarra mbi kontrollin e situatës dhe përfshirë gjithashtu elementin e izolimit.

Studimi u bazua në të dhënat e publikuara çdo ditë në Kinë (duke filluar nga 16 Janari) dhe mori parasysh vetëm rastet pozitive të SARS-CoV-2. Një cikël 5-ditor u përdor për të vlerësuar trendin e epidemisë. Shkalla e incidencës u llogarit duke marrë në konsideratë numrin e rasteve të reja (në ciklin e konsideruar) dhe numrin e rasteve në ciklin e mëparshëm. Shkalla e rritjes së secilit cikël është marrë si diferencë midis numrit të rasteve të reja në ciklin e marrë në konsideratë me atë të ciklit të mëparshëm, të përpjestuar me numrin e rasteve të reja të konfirmuara në ciklin e mëparshëm.

Nga 16 Janari deri me 14 shkurt, u diagnostikuan 50.031 raste të pneumonisë së koronavirusit të ri në Kinë ku 76% (37.930 individë) të këtyre rasteve ishin të përqendruar në provincën Hubei dhe 46% (22.883) e të gjitha rasteve te raportuara në Kinë ishin në Wuhan.

Nga 16-20 Janar në të gjithë Kinën, u regjistruan gjithsej 234 raste të reja dhe shumica e këtyre rasteve (229) u regjistruan në provincën Hubei, nga këto 217 në Wuhan. Më pas, nga 21-25 Janar, pati një rritje graduale të numrit të rasteve. Me përjashtim të provincës së Hubeit, piku i kurbës u arrit midis 31 janarit dhe 4 shkurtit. Një javë më vonë, numri i rasteve të reja arriti kulmin në territorin e Kinës kontinentale (15.954), nga të cilat 13.040 raste në provincën Hubei e nga këto 8.552 ishin në Wuhan. Në të gjithë Kinën rritja më e shpejtë u vu re midis 26 dhe 30 Janarit, duke sugjeruar se bllokimi i Wuhanit luajti një rol të rëndësishëm në uljen e rasteve. Më në fund, midis 10 dhe 14 Shkurtit, numri i rasteve filloi të ulej ndjeshëm kudo (30% më pak në Wuhan dhe 37% në të gjithë Hubein). Këto rezultate treguan se si masat e marra kanë qenë efikase për të kontrolluar epideminë: identifikimi i hershëm i subjekteve të infektuar, karantina e tyre dhe izolimi mund të konsiderohen si masat kryesore të kontrollit dhe parandalimit të COVID-19.

Studimi gjithashtu pati kufizimet e veta. Trendi i epidemisë mund të jetë i diskutueshëm meqenëse u perdoren vetëm rastet pozitive për acidin nukleik viral, dhe të gjitha rastet e tjera që u diagnostikuan klinikisht nga data 12 shkurt e më vonë, në Hubei, nuk janë të konsideruara në këtë analizë. Përveç kësaj, diagnoza ka mundësi të ketë ndodhur 5 ditë më vonë se fillimi i sëmundjes, kështu që ecuria e trend-it logjikisht do të duhej të shtyhej me një javë kohë.

Artikulli origjinal i publikuar në 3 Mars 2020: Zhu ZB, Zhong CK, Zhang KX, Dong C, Peng H, Xu T, Wang AL, Guo ZR, Zhang YH. Epidemic trend of corona virus disease 2019 (COVID-19) in mainland China. Zhonghua Yu Fang Yi Xue Za Zhi. 2020 Mar 3;54(0):E022