Vaksina kundër COVID-19 : zhvillimi dhe studimet.

vaksina Covid

Përmbledhur dhe përshtatur në shqip nga:

  • Xhoela Bame

Recensente:

  • Denisa Baci PhD

Publikimi i sekuencës gjenetike të SARS-CoV-2 në 11 Janar 2020, ka nxitur aktivitetin kërkimor për nxjerrjen e një vaksine duke bërë që kandidatja e parë të niste testimet klinike që në 16 Mars të këtij viti. Aktualisht po zhvillohen 115 projekte që kanë në fokus vaksinën kandidate ndaj COVID-19 prej të cilave 78 janë aktive dhe të konfirmuara ndërsa 37 të tjera janë ende të pakonfirmuara. Shkarko listën e vaksinave.

Një sërë platformash teknologjike janë konsideruar për zhvillimin e vaksinës kundër COVID-19, të cilat kanë si bazë: acidet nukleike (ADN dhe ARN); pjesëza të ngjashme virale; peptide; vektorë viralë (të replikueshëm dhe të pareplikueshëm); proteina rekombinante; virusin e gjallë të dobësuar apo virusin e çaktivizuar. Edhe pse disa prej këtyre platformave nuk përfshihen në metodat konvencionale për zhvillimin e vaksinave, shkencëtarët po konsiderojnë përdorimin e metodave të gjeneratës-së-ardhshme (të cilat mund të përcaktojnë sekuencat gjenetike me shpejtësi të lartë dhe kosto të ulët) për të shkurtuar kohën e daljes së vaksinës ndikuar nga suksesi që këto metoda kanë patur në studimet në fushën e onkologjisë.

  • Platformat e bazuara në ADN ose ARN janë më fleksibël në manipulimin e antigjenit (substancë që stimulon sistemin imunitar për prodhimin e disa proteinave të njohura si antitrupa me të cilat vepron specifikisht) dhe kanë potencial për të qenë të shpejta.
  • Vaksinat e bazuara në vektorë viralë (metodë e dizenjuar për të transferuar material gjenetik në qelizë) ofrojnë nivele të larta të sintezës së proteinave, stabilitet afatgjatë dhe stimulojnë një përgjigjë të fortë të sistemit imunitar.
  • Nga ana tjetër, vaksinat e bazuara në proteinat rekombinante premtojnë shkallë të lartë prodhimi.

Kompanitë si GlaxoSmithKlineSeqirus dhe Dynavax kanë vendosur të zhvillojnë substanca ndihmëse (adjuvant), që përforcojnë përgjigjen e sistemit imunitar ndaj antigjeneve, për t’u përdorur krahas vaksinave të zhvilluara nga të tjerët. Përdorimi i këtyre ndihmësve ul sasinë e antigjeneve ose/dhe dozave vaksinore të nevojshme për të stimuluar përgjigjen imunitare çka lejon që më shumë njerëz të vaksinohen si dhe përmirëson performancën e vaksinave.

Edhe pse nuk ka ende mjaftueshëm informacion të publikuar, shumica e antigjeneve kandidate të përdorura në projektet e vaksinës ndaj COVID-19 synojnë neutralizimin e antitrupave kundër proteinës virale Spike (proteina përgjegjëse për hyrjen përmes receptorëve ACE-2 në qelizat njerëzore).

Krahas platformave të ndryshme që po konsiderohen për zhvillimin e vaksinave, paralelisht janë kryer edhe studime të ndyshme për të vlerësuar efikasitetin e vaksinës. Ato përfshijnë studime në kafshë dhe së fundmi edhe teste klinike në njerëz.

  • Një studim i publikuar në Science demonstron efektin mbrojtës të vaksinës kundër SARS-CoV-2 në primatë jo-njerëzorë (Yu et al., 2020). Disa vaksina kandidate me bazë ADN-je që shprehnin forma të ndryshme të proteinës Spike (S) u injektuan në 32 rezus macaques (specie majmuni) në të cilët më pas u vu re stimulimi i përgjigjes imunitare në nivel qelizor dhe humoral. Pas vaksinimit, primatët në studim u infektuan me SARS-CoV-2 dhe vaksina që kodonte të plotë proteinën S rezultoi në ulje të nivelit të ARN-së virale në lavazhin branko-alveolar dhe mukozën nazale. U raportua gjithashtu reduktim i replikimit viral në traktin respirator të sipërm dhe të poshtëm. Si përfundim, neutralizimi i përqëndrimit të antitrupave i shkaktuar nga vaksina pati një efekt mbrojtës.
  • Në një artikull të publikuar në Lancet u raportuan për herë të parë testimet klinike të vaksinës në njerëz me qëllim vlerësimin e sigurisë, tolerancës dhe imunogjenicitetit të një vaksine COVID-19 të bazuar në vektorin adenoviral: adenovirus tip-5 (Ad5) (Zhu et al., 2020). Në këtë studim të realizuar në Wuhan u ekzaminuan 195 individë por vetëm 108 morën pjesë (51% meshkuj, 49% femra; mosha mesatare 36 vjec). Prej tyre, 36 morën dozën e ulët, 36 morën dozën e mesme dhe 36 morën dozën e lartë të vaksinës. Tridhjetë (83%) pjesëmarrës në grupin e dozës së ulët, 30 (83%) pjesëmarrës në grupin e dozës së mesme, dhe 27 (75%) pjesëmarrës në grupin e dozës së lartë raportuan të paktën një efekt anësor brenda 7 ditëve të para pas vaksinimit. Më të shpeshta ishin: dhimbja në vendin e injektimit, e cila u raportua në 58 (54%) marrës të vaksinës, ndërsa në efektet anësore sistemike u raportuan ethe (50 [46%]), lodhje (47 [44%]), dhimbje koke (42 [39%]) dhe dhimbje muskulore (18 [17%]). Shumica e efekteve anësore që u raportuan në të gjitha grupet e dozave ishin të lehta ose të moderuara. Asnjë efekt anësor serioz nuk u vërejt brenda 28 ditëve pas vaksinimit. Përgjigjet humorale (përmes antitrupave) kundër SARS-CoV-2 arritën pikën më të lartë në ditën e 28-të pas vaksinimit dhe përgjigjja specifike e qelizave T u shfaq nga dita e 14-të pas vaksinimit. Si përfundim, nga ky studim mund të themi që vaksina COVID-19 me vektor Ad5 është e tolerueshme dhe imunogjene në 28 ditë pas vaksinimit. Të dhënat nga ky studim sugjerojnë që duhen kryer studime të mëtejshme klinike mbi vaksinën Ad5.

Referenca

Le, T. T., Andreadakis, Z., Kumar, A., Roman, R. G., Tollefsen, S., Saville, M., & Mayhew, S. (2020). The COVID-19 vaccine development landscape. Nat Rev Drug Discov, 19, 305-6.

Who.int. 2020. Draft Landscape Of COVID-19 Candidate Vaccines.[online] Gjendur në: <https://www.who.int/who-documents-detail/draft-landscape-of-covid-19-candidate-vaccines>
[Aksesuar 27 Maj 2020].

Yu, Jingyou, Lisa H. Tostanoski, Lauren Peter, Noe B. Mercado, Katherine McMahan, Shant H. Mahrokhian, Joseph P. Nkolola et al. “DNA vaccine protection against SARS-CoV-2 in rhesus
macaques.” Science (2020).

Zhu, F. C., Li, Y. H., Guan, X. H., Hou, L. H., Wang, W.J., Li, J. X., … & Jia, S. Y. (2020).
Safety, tolerability, and immunogenicity of a recombinant adenovirus type-5 vectored COVID-19 vaccine: a dose-escalation, open-label, non-randomised, first-in-human trial. The Lancet.