Vaksinimi pas infektimit, kur?

vaksina-mARN

Sa kohë pas infektimit këshillohet të merret vaksina anti- COVID-19?

Standarti që përdoret në protokollet e ShBA flet për një fat 90 ditor, por që nuk është i tillë për të gjitha vendet e Europës. Ai është përcaktuar në bazë të disa studimeve që kanë treguar një ulje të nivelit të antitrupave neutralizues dhe pozitivitetit të testit molekular PCR (=tamponi) për SARS-CoV-2 90-ditë pas infektimit. Bazuar në provat që kanë demonstruar ri-infektime apo PCR pozitive 90 ditë pas infektimit, këshillohet vaksinimi pas këtij afati kohor, me qëllim rritjen e niveleve të antitrupave sterilizues dhe mbështetjen e përgjigjes së qelizave T.

Duhet theksuar se ekziston një konfuzion i madh kur flitet për ri-infektim, pasi duhet bërë dallimi mes ri-infektimit, relaps-it me shfaqje klinike dhe vetëm PCR-së pozitive. (për më shumë detaje kliko). Ri-infektimet deri tani janë një fenomen shumë i rrallë dhe i izoluar. Ato mund të konfirmohen vetëm duke pasur prova gjenomike, përveç testit molekular.

Sa e sigurtë është se kryerja e vaksinës do rrisë nivelin e antitrupave?

Një studim i botuar në revistën NEJM (7 janar 2021) tregoi që mRNA-1273 (vaksina e Moderna me ARN-mesazhere) stimulon nivele të larta të antitrupave neutralizues – nivele të cilat ranë pak me kalimin e kohës (siç ndodh edhe në rastin e imunitetit natyral). Megjithatë, këto antitrupa rezultuan në nivele relativisht të larta tek të gjithë individët 3 muaj pas dozës së dytë të vaksinës. Në këtë provë klinike nuk u vëzhguan efekte të rëndësishme anësore!

Rezultate të ngjashme (kliko) u vunë re edhe nga vaksinimi me BNT162b2 (vaksina e Pfizer-BIONTECH), e cila stimuloi prodhimin e antitrupave sterilizues dhe një përgjigje të kombinuar të fituar humorale dhe qelizore e cila mund të kontribuojë në mbrojtjen kundër COVID-19.

Përgatitën:

Dr.shk Denisa Baci, Dr.shk Aldi Pupuleku, Dr.shk Erand Llanaj, Prof.Ass Mirela Kuka

Konsultoni dhe:

www.heda.al/artikuj/cfare-tregon-sasia-e-antitrupave