Përgatitën dhe recensuan: Erand Llanaj PhD(c), Denisa Baci PhD.
Si fillim është e rëndësishme të kuptojmë se e vetmja konstante në biologji është ndryshimi apo evolucioni. Në botën e biologjisë gjithçka evoluon dhe pëson ndryshime në gjenom. Këto ndryshime manifestohen në formën e mutacioneve, të cilat janë rezultat natyror i replikimit viral. Kronavirusi po ndryshon më ngadalë krahasuar me viruset e tjera me bazë ARN. Mutacionet i referohen kryesisht ndryshimit në sekuencë, por termi variant përdoret kur kemi të bëjmë me një ose më shumë ndryshime funksionale. Nëse këto të fundit kanë efekt të rëndësishëm mbi antigjenicitietin, transmetueshmërinë apo virulencën atëherëmund të quhen edhe shtamë.
Mutacionet te virusi aktual janë të shumta, por ata të cilët kanë tërhequr vëmendje janë variantet e linjës B.1.1.7, të identifikuar në Mbretërinë e Bashkuar, dhe në shumë vende të tjera (veçanërisht në Afrikën e Jugut). Aktualisht besohet se po përhapen me një shpejtësi më të madhe se më parë. Shumica e informacioneve të deritanishme mbi mutacionet aktuale, janë njohuri parciale nga pikëpamja e epidemiologjisë gjenomike, biologjisë funksionale/strukturale, dhe klinikës së virusit. Varianti e linjës B.1.1.7 (kryesisht N501Y) u deklarua të ishte deri në 70% më shumë i ‘transmetueshëm’ duke u bazuar në modele epidmiologjike. Publikime të tjera shtesë kanë sugjeruar të njëjtën gjë. Mutacionet që ka pësuar ky variant, nga pikëpamja e biologjisë strukturale, kanë rëndësi funksionale, por ende nevojiten prova verifikuese shtesë. Mutacionet aktuale dhe rëndësia tyre praktike duhet gjithashtu të kuptohen me shumë kujdes dhe të vendosen në kontekstin e duhur, pavarësisht modeleve epidemiologjike dhe analizës gjenomike, pasi vuajnë nga disa ‘kufizime’ si vijon:
- Të dhënat gjenomike aktuale janë të pakta dhe survejanca gjenomike aktuale globale ka karakterizuar më pak se 0.4% të të gjithë gjenomeve që qarkullojnë.
- Provat që vijnë nga modelet e deritanishme matematikore, aboratorike dhe epidemiologjike sugjerojnë një potencial të rritjes së transmetueshmërisë së këtij varianti.
- Varianti i ri nuk shoqërohet me rritjen e numrit të pacientëve që kanë nevojë për shtrim në spital apo me ashpërsi/vdekshmëri të shtuar.
- Momentalisht nevojiten prova rigoroze dhe karakterizim funksional të variantit të ri me modele qelizore humane dhe kavje laboratori.
Ajo që shihet është se mund të ketë një ‘përfaqësim’ të pazakontë të variantit (të linjës B.1.1.7) në ‘popullsinë gjenomike’ virale, që janë sekuencuar deri tani. Ky përfaqësim nuk mund të përkthehet tërësisht dhe domosdoshmërisht në rritje të transmetueshmërisë. Në këtë fazë nuk mund të përjashtohen dy efekte të rëndësishme që ndodhin në nivelin e evolucionit të shpejtë viral si:
- Efekti i themeluesit dhe
- Efekti i ngushtimit të ‘grykës së shishes’
Efekti i themeluesit është fenomeni që haset kur një variant importohet me shpejtësi në një popullatë naive dhe shndërrohet më pas në dominant prej rastësisë e jo prej aftësisë më të madhe transmetuese. E ilustrojmë me një shembull: Marrim një individ të infektuar me një variant X, i cili jeton dhe bashkëvepron në qendrën e qytetit të Sarandës dhe një individ me një variant tjetër që jeton në periferi të po këtij qyteti. Individi që jeton dhe vepron në qendër të qytetit ka gjasa të infektojë më shumë persona, pasi më shumë të tillë qarkullojnë në qendër të qytetit (efekti i themeluesit).
Efektii ngushtimit të ‘grykës së shishes’ është efekti i kundërt. Duke marrë shembullin e mësipërm, ky fenomen do të ndodhë me individin që ndodhet në periferi. Ai rrjedhimisht ka më pak gjasa të infektojë më shumë persona pasi nuk qarkullon i njëjti numër individësh në atë zonë.
Nëse më pas do të bënim një survejim gjenomik, varianti i individit që jetonte në qendër të qytetit do të bëhej më dominant dhe i atij që jeton në periferi do të ishte më pak i pranishëm. Survejimi gjenomik do të mund të tregonte praninë e 60% të varianteve të ngjashëm me atë të individit që jetonte në qendër.
Theksojmë se jemi duke folur ende për të njëjtin virus dhe kjo nuk do të thotë që transmetohet 60% më shpejt apo që i është rritur infeksioziteti. Edhe pse po shtohen të dhënat që variantet aktuale (linja B.1.1.7, veçanërisht 20B/501Y) mund të jenë vërtetë më infeksioz, për momentin nuk përjashtohet mundësia e efekteve të tilla evolucionare. Viruset dhe çdo qenie tjetër evoluon. Ky evolucion nënkupton ndryshime, mutacione të cilat në shumicën e rasteve nuk kanë impakt të rëndësishëm, por në të ardhmen ndoshta mund të ketë ndryshime të cilat mund të ndikojnë në epidemiologjinë apo klinikën e COVID-19. Në fakt edhe nëse ka një transmetueshmëri më të lartë, kjo mund të përbëjë një disavantazh potencial për ‘mbijetesën’ e virusit. Konkretisht, nëse i referohemi ‘përmirësimit’ që vjen nga mutacionet për sa i përket ‘lidhjes’ së gjilpërës me receptorin ACE2, kjo mund të përbëjë ‘ekspozim’ më të madh të virusit ndaj sistemit imunitar , siç edhe është provuar në rastin e variantit D614G, ku autorët skruajnë shprehimisht në prestigjiozen Science se:
‘Mutacioni e bën variantin e ri të virusit më të ndjeshëm ndaj serës neutralizuese, pa i ndryshuar efikasitetin e vaksinave kandidate që janë duke u zhvilluar’
Në fakt, një hulumtim i ri tregoi se dhe pse mostrat klinike nga pacientë të infektuar me D614G kishin ngarkesë virale deri tri herë më të lartë, kjo nuk ishte shoqëruar aspak me klinikë më të rënduar apo vdekshmëri të shtuar. Ky paradoks mund të shpjegohet pjesërisht me faktin që mutacionet të cilat potencialisht mund të shtojnë ‘infeksiozitetin’ e SARS-CoV-2, mund ta bëjnë atë më të ndjeshëm ndaj antitrupave neutralizues – ‘policia’ jonë imunitare! Pavarësisht nëse do të konfirmohet apo jo nëse varianti i identifikuar në Mbretërinë e Bashkuar është realisht më infeksioz dhe përhapet më shpejt, ky është një sinjal që ne, komuniteti shqipfolës, duhet të kemi më shumë kujdes, në mungesë të një terapie apo vaksine gjerësisht të disponueshme.
Kujdes të veçantë duhet të kemi ndaj individëve me imunitet të kompromentuar, pasi replikimi per një kohë të gjatë tek këta inividë, mund te rrisë mundësinë për të krijuar variante të reja dhe mutacione të rëndësishme nga ana funksionale, në sajë edhe të një presioni selektiv.
Mesazhi më i rëndësishëm është të mos lejojmë virusin të përhapet, pasi sa më shumë ai të qarkullojë, aq më shumë rriten shanset që ai të ndryshojë. Pavarësisht mutacioneve, duhet të përqendrohemi tek ajo që ne mund të bëjmë për ta luftuar virusin duke respektuar distancimin fizik, të mbajmë maskë dhe të lajmë duart.
Në të njëjtën kohë ky është një moment i jashtëzakonshëm që duhet shfrytëzuar për të ndërgjegjësuar publikun dhe vendim-marrësit për dobinë e survejancës së epidemiologjisë gjenomike. Edhe pse një infrastrukturë e tillë për momentin nuk ekziston në Shqipëri, po punohet për ta identifikuar këtë variant përmes protokollit të testit molekular të përshtatur enkas për të. Shumë shpejt do ta dimë nëse kemi ose jo prani të këtij varianti edhe në vendin tonë.
Për më tepër në lidhje me këtë argument mund të lexoni edhe artikullin Mutacionet e SARS-CoV-2: Ku jemi?