Prostata është një gjëndër e vogël mashkullore në formë gështenje që gjendet poshtë vezikës
urinare dhe nëpërmjet saj kalon uretra (kanali që shërben për zbrazjen e urinës).
Sipas të dhënave botërore të vitit 2018, renditja e shpeshtësisë së diagnostikimit të tumoreve është:
- Tumori i mushkërive
- Tumori i prostatës
- Tumori i kolon-rektumit (zorrës së trashë)
Kurse sipas regjistrave tumoralë italianë të vitit 2018, tumori i prostatës gjendet në vendin e parë dhe përbën 18% të tumoreve mashkullore të diagnostikuara. Vijojnë tumori i kolon-rektumit me 15%; i mushkërive me 14%; i vezikës urinare me 11% dhe i mëlçisë me 5%.
Një ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në zhvillimin e tumorit të prostatës është PLAKJA.
Tumori i prostatës shumë rrallë zhvillohet në moshë të re. Në meshkujt në moshë nën 30 vjeç ndeshet në më pak se 5%. Në këtë moshë zakonisht janë më të zhvilluar tumoret testikulare. Në grupmoshën 50-70 vjeç ndeshet në 15-30% dhe në meshkujt mbi 80 vjeç mbi 70%.
Faktor tjetër, edhe pse më i rrallë, është TRASHËGIMIA.
Në fakt, vetëm 15% e rasteve paraqiten në formë trashëgimtare. Në qoftë se në familje ka raste me një ose, me keq, dy familjarë të shkallës së parë (si: babai, xhaxhai etj) mundësia që të zhvillohet tumori e prostatës është deri në 5 herë më e lartë sesa në popullatën normale. Në këto raste tumori mund edhe të shfaqet në moshë më të re sesa normalisht dhe zakonisht është më agresiv. Tumori i prostatës, sidomos kur është në fazat fillestare, nuk jep asnjë shenjë të jashtme.
Shenjat dhe simptomat zakonisht janë pasojë:
- e një sëmundjeje të avancuar lokale (përmasa e madhe e tumorit që arrin të interesojë indet dhe organet rrotull, si: vezikën urinare, rektumin, muskujt dhe nervat e legenit);
- kur tumori ka dhënë metastaza (zakonisht në kocka dhe veçanërisht tek vertebrat kurrizore që mund të shemben dhe thyhen pa trauma).
Koha që i duhet tumorit për të kaluar nga stadi fillestar (d.m.th. një nodus/kokërr e vogël) deri në stadet e avancuara lokale apo me metastaza është shumë variabël dhe varet nga agresiviteti i vetë tumorit. Mund të jetë 1-2 vjet në rastet agresive, apo mbi 10 vjet në rastet jo agresive.
Për fat të mirë, tumoret e prostatës, edhe pse flasim gjithmonë për tumor malinj/femër, zakonisht janë biologjikisht jo agresivë dhe me një mbijetesë mbi 90%, në 5 vitet pas diagnozës. Por, për të zbuluar peshkaqenin në mes të peshqve të oqeanit është e rëndësishme që sëmundja të zbulohet në kohë.
Me këtë synim Shoqata Europiane e Urologjisë këshillon që meshkujt mbi moshën 50 vjeç të bëjnë çdo vit analizën e PSA-së dhe vizitën urologjike. PSA-ja (Prostate Specific Antigen) është një proteinë e prodhuar nga prostata. Vlera të larta të PSA-së në gjak mund të shënojnë prezencën e tumorit të prostatës.
Sigurisht, kjo nuk do të thotë se në të rastet kemi të bëjmë me një tumor. Vlera të larta mund të gjenden edhe nga zmadhimin fiziologjik që i ndodh prostatës me moshën apo në rast infiamacioni. Rrallëherë mund të kemi një tumor, edhe pse vlerat e PSA-së janë normale.
Për këtë arsye PSA-së duhet gjithmonë t’i shtohet dhe vizita tek mjeku urolog, i cili, pas një vizite të detajuar shëndetësore në përgjithësi, do të ekzaminojë edhe prostatën nëpërmjet eksploracionit rektal. Në këtë mënyrë mjeku vlerëson përmasat, shenja të inflamacionit dhe mbi të gjitha nëse ka noduse.
Në rast pozitiv dhe në prezencë të vlerave të larta të PSA-së ai rekomandon një biopsi të
prostatës. Në qoftë se ka raste të tjera me tumor të prostatës në meshkujt e familjes, këshillohet që kontrollet të fillojnë që në moshën 40 vjeçare.