Hiperkeratozat janë trashje të lëkurës, që mund të ndodhë në çdo pjesë të trupit, por zona e shputave të këmbëve është pjesa më e predispozuar për shfaqjen e tyre. Shkaktar është prodhimi i tepërt i një proteine të quajtur Keratinë, të cilën e prodhon vetë lëkura.
Zhvillimi i hiperkeratozave stimulohet nga:
- presioni i vazhdueshëm në një pikë të caktuar,
- fërkimet me rrobat ose këpucët,
- irritimi i herëpashershëm i lëkurës.
Shkaqet e shfaqjes janë të shumta, por ndër më të shpeshtat mund të përmendim:
- Verruket plantare (Lythat), dëmtime të lëkurës të shkaktuara nga një virus (HPV).
- Kallot, grumbullimi i qelizave të vdekura, si pasojë e presionit të ushtruar në një pikë të caktuar të shputës së këmbës.
- Ekzema kronike, inflamacioni i vazhdueshëm i lëkurës, i shkaktuar nga agjentë të jashtëm irritues etj.
Pjesa më e madhe e hiperkeratozave plantare nuk shkaktojnë dhimbje, me përjashtim të kallove dhe verrukeve, të cilat mund të bëhen të dhimbshme gjatë ecjes, duke e kushtëzuar njeriun në aktivitetin e tij të përditshëm.
Masat parandaluese kanë një rëndësi të veçantë për këtë problematikë. Ndër to mund të përmendim disa këshilla praktike që mund të ndiqen lehtësisht:
- të pastrojmë mirë këmbët,
- të përdorim kremra zbutës,
- të mos ecim asnjëherë zbathur,
- të përdorim këpucë të rehatshme e që nuk na vrasin. Këpucët është më mirë t’i blejmë gjatë pasdites, në mënyrë që enjtja e këmbëve që na krijohet gjatë ditës, të mos bëhet shkak për lëndime.
Trajtimi bëhet në varësi të shkakut, ndaj dhe është e rëndësishme konsulta tek mjeku dermatolog për të përcaktuar natyrën e hiperkeratozave plantare.