Për miliona vite njerëzit kanë konsumuar sasi të vogla të kripës. Kur u zbulua se mund të shërbente si konservant ushqimor, kripa arriti të bëhej faktor në ekonomi. Kjo bëri që gradualisht njerëzimi të njohë një rritje të konsumit të saj, për të arritur në shekullin e 19-të me një konsum prej 9-12 gr/ në ditë.
- Ajo që ne njohim si kripë, është NaCl dhe përmban 40% Na+ dhe 60% Cl-. Natriumi (Na+) është një elektrolit i domosdoshëm për organizmin tonë, që ndihmon në mirëfunksionimin e sistemit nervor dhe atij muskulo-skeletik. Është i rëndësishëm për mbajtjen e volumit plasmatik, për ekuilibrin acido-bazik, për transmetimin e impulseve nervore dhe për funksionimin normal të qelizave.
- Shumica e Natriumit gjendet në gjak dhe është faktor për kontrollin e balancës së lëngjeve në të gjithë trupin.
- Eleminimi i tij bëhet përmes veshkave.
Kohët e fundit ka patur shumë debate në lidhje me sasinë e kripës që përdoret në dietë dhe efektet anësore të saj në shëndet.
- Konsumi i lartë i natriumit (>2 gram/ditë ekuivalent me 5 gram kripë/ditë) kontribuon në rritjen e presionit të gjakut.
Lidhja mes konsumit të lartë të kripës dhe hipertensionit është ndeshur në studime që në vitin 1904. Më vonë janë realizuar studime të shumta epidemiologjike që e vërtetojnë këtë lidhje. Të dhënat tregojnë se, sa më i lartë të jetë konsumi i kripës, aq më i lartë është presioni i gjakut. Mekanizmi, me të cilin konsumi i lartë i kripës ndikon në sëmundjet kardiovaskulare (në veçanti sëmundjet e koronareve dhe në goditjet në tru), është pikërisht presioni i lartë i gjakut. Në nivel botëror llogaritet që 62% e sëmundjeve cerebrovaskulare dhe 49% e sëmundjeve ishemike të zemrës i atribuohen presionit të lartë të gjakut.
- Konsumi i lartë i kripës ndikon dhe në avancimin e sëmundjeve të veshkave. Veshkat luajnë rolin e rregullatorit të balancës së ujit dhe Natriumit në organizëm. Një konsum i lartë i kripës detyron veshkat të filtrojnë sasi të mëdha të Natriumit. Në këto kushte, ato të mbajnë sasi më të mëdha ujit, duke u rritur kështu volumi plasmatik dhe si rrjedhojë presionin e gjakut. Sasia e lartë e kripës mund të çojë në Proteinuria(prania e një sasie më e lartë proteinash në urinë), duke ndikuar drejtpërsëdrejti në funksionin normal të veshkave.
- Studime të kohëve të fundit e lidhin konsumin e lartë të kripës edhe me shfaqjen e sëmundjeve, si: kanceri, sëmundjet inflamatore kronike dhe sëmundjet autoimune.
Reduktimi i kripës në dietë në vlera më pak se 5 gram/ditë ndikon në uljen:
- e vlerave të presionit të gjakut
- e rrezikut për të patur sëmundje kardiovaskulare,
- e goditjeve në tru
- e insufiçiencës kardiake.
Duke u bazuar në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vendet e Bashkimit Europian, duke filluar nga viti 2008, kanë ndërmarrë iniciativa për të reduktuar sasinë e kripës në ushqimet e paketuara.
- Vlerësohet se kontribuesit më të lartë të kripës në dietë janë ushqimet e përpunuara dhe në mënyrë më përgjithësuese ushqimet që konsumohen jashtë tryezës familjare. Vendet anëtare të OBSH janë dakortësuar për reduktimin e konsumit të kripës me afërsisht 30% deri në vitin 2025.
- Llogaritet se do mund të parandalohen 2.5 milion vdekje çdo vit, në qoftë se arrihen këto objektiva.
Të ndryshosh nga sot nesër nuk është e lehtë, por mund të nisim në mënyrë graduale me përshtatjen më një stil jetese me më pak kripë në dietë.
Këshilla të vlefshme për të ndryshuar stilin e jetesës janë:
- të mos mbahet asnjëherë kriporja në tavolinë, me qëllimin që të mos i shtojmë kripë ushqimeve të gatuara,
- të reduktojmë konsumin e ushqimeve të përpunuara,
- të preferojmë ushqimet e shtëpisë.