Kremi mbrojtës ndaj rrezeve të diellit është një ndër gjërat që nuk duhet të mungojë në rutinën tonë të përditshme, aq më tepër në këtë periudhë të vitit, kur rrezatimi është dhe më i shtuar dhe orët që mund të kalojmë nën rrezet e tij janë më të shumta dhe më të shpeshta.
Cilat janë gjërat më të rëndësishme që duhet të dimë për t’u mbrojtur nga dielli?
Kur bëhet fjalë për sigurinë nga dielli, përqendrohuni në këto gjëra të thjeshta:
- Shmangni diellin gjatë orëve të pikut. Përgjithësisht, mes orës 10:00 dhe 14:00 (në çdo stinë). Edhe në ditët me shi, këto janë orët kryesore të ekspozimin të lëkurës ndaj rrezatimit ultravjollcë (UV).
- Vishni veshje mbrojtëse. Kjo përfshin pantallona, këmisha me mëngë të gjata, syze dielli dhe një kapele me strehë të gjerë.
- Përdorni kremin mbrojtës nga dielli. Aplikoni sasinë e mjaftueshme dhe e riaplikoni atë rregullisht gjatë ditës.
Çfarë bën një krem mbrojtës me spektër të gjerë?
Ka dy lloje rrezesh ultravjollcë që mund të na dëmtojnë lëkurën UVA dhe UVB.
- Rrezet UVA mund ta plakin para kohe lëkurën tonë, duke shkaktuar rrudha dhe shenja të moshës.
- Rrezet UVB mund të shkaktojnë djegie në lëkurë.
- Një ekspozim i tepruar ndaj rrezeve UVA dhe UVB mund të shkaktojë kancerin e lëkurës.
Kremrat me spektër të gjerë ose të plotë ofrojnë mbrojtje nga të dy format e rrezatimit.
SPF ose faktori mbrojtës nga dielli tregon se sa na mbron ky krem nga rrezet UVB (mbrojtja nga UVA nuk matet).
Prodhuesit llogarisin SPF duke u bazuar në kohën që i duhet lëkurës së lyer me krem mbrojtës të digjet, në krahasim me atë pa krem.
Është e rëndësishme të shohim, nëse kremi na ofron mbrojtje të plotë dhe nëse përshtatet me tipologjinë e lëkurës sonë.
Për rastet e hyrjes në ujë apo djersitjes së theksuar kremrat mbrojtës mund të jenë edhe:
- water resistant (i rezistojnë ujit për 40 minuta),
- very water resistant (i rezistojnë ujit për 80 minuta).
Kremrat mbrojtës nga dielli kanë në përmbajtje edhe filtra që reflektojnë ose përthithin rrezet ultravjollcë. Ka dy lloje kryesore filtrash:
Organike – përthithin rrezet e diellit dhe i shndërrojnë në sasi të vogla nxehtësie ose reflektojnë e shpërndajnë rrezatimin ultravjollcë.
Inorganike – në përgjithësi janë më pak irritues për lëkurën, prandaj përdoren gjerësisht dhe në kremrat solarë të fëmijëve.
Një pjesë e mirë e kremrave përmbajnë një kombinim të të dy filtrave.
Aplikimi i produkteve kozmetike që përmbajnë mbrojtës nga dielli, është i rekomandueshëm, nëse nuk do qëndrosh shumë apo nuk ke një ekspozim intensiv në diell. Përndryshe, mbrojtja që ata ofrojnë, është e pamjaftueshme. Kremi solar mund të fillojë të aplikohet tek fëmijët që prej muajit të gjashtë.
Kujdes! Mos harroni!
- Nga momentin që hapet, kremi mbrojtës ofron mbrojten e duhur për një periudhë 6 mujore.
- Nëse mbahet në kushte optimale temperature dhe nxehtësie mund të jetë i përdorshëm maksimumi deri në një vit, më tej i humbet aftësia mbrojtëse.
- Një kombinim i qëndrimit në hije, veshjes mbrojtëse nga dielli dhe kremit është zgjidhja juaj më e mirë.