Lërini fëmijët që të mërziten!

Lërini fëmijët vetëm me veten e tyre dhe ata do të shpikin lojra dhe do të zbulojnë botën!

Të mërziturit është një “zakon” i keq për fëmijët? “Aspak”, siguron pedopsikiatri Philip Duverger, «i bëj me gjithë qejf elozhe të mërziturit». Por për cilën mërzitje bëhet fjalë? «Për atë lloj mërzitje që na jep mundësinë të mos bëjmë asgjë dhe të ndjehemi mirë me veten, pa provuar asnjë lloj ankthi», thekson dr. Duverger. Në fakt, prindërit nuk duhet t’u përgjigjen sistematikisht ankesave të fëmijeve, sepse ata duhet të mësohen të gjejnë brenda vetes risurset emocionale dhe konjitive për t’i bërë ballë një problemi.

Përpiqemi gjithmonë t’u sigurojmë të vegjëlve aktivitete, lodra dhe pajisje të ndryshme elektronike për t’jua shmangur mërzinë, por përse të mos i lëmë ato të mërziten dhe «të gjejnë kohë» të mos bëjnë asgjë? Mbi të gjitha, çfarë mund të përfitojnë nga ky lloj qëndrimi?

  • Ata do të zbulojnë interesat e tyre të vërteta! Kur i animojmë fëmijët ne ua imponojmë veprimtaritë dhe idetë tona.
  • Ata do të mësojnë të njohin veten! Mungesa e kufizimeve apo e detyrimeve shpie në njohjen më të mirë të vetes.
  • Do të stimulojnë më shumë krijimtarine e tyre! Jepuni atyre kohë për t’u mërzitur dhe do shihni se çfarë do të krijojnë! Ju mund të habiteni nga rezultati.  

Kujdes prindër…mos ngatërroni mërzitjen e të rriturve me atë të fëmijëve. Arsyeja? I rrituri ka kujtime, ka mllefe, ka pasione, ka zhgënjime, ka pavetëdije dhe mekanizma mbrojtës që aktivizohen nga Uni i tij. Blaise Pascal (Pensées) jep një përshkrim bindës të kësaj gjëndjeje: «Mërzija. Nuk ka gjë më të padurueshme për njeriun sesa të qënit në pushim të plotë, pa pasione, pa punë, pa argëtime, pa aktivitete. Vetëm atëherë ai e ndjen hiçin brenda vetes, braktisjen, pafuqinë, varësinë dhe zbrastësinë e vet». Nga ana tjetër truri i një fëmije është akoma në ndërtim e sipër dhe të gjitha studimet tregojnë se në brendësimin e realitetit të jashtëm kanë rëndësi si imitimi (nëpërmjet neuroneve pasqyrë), ashtu edhe eksperiencat e drejtëpërdrejta të vetë fëmijës me ambientin rrethues. Pikërisht për këtë arsye ai duhet të lihet i lirë ta vlerësoje dhe hetoje vetë këtë ambient, në mënyrë që të ndërtojë një ide për botën e jashtme sa më individuale dhe jo të drejtuar nga dëshirat dhe vullneti i prindërve.