Rëndësia e probiotikëve për fëmijët

Në aparatin tretës të njeriut jetojnë rreth 100.000 miliardë (pothuajse 1.5 kg) mikroorganizma, në veçanti baktere laktike, të cilat luajnë një rol të domosdoshëm për shëndetin tonë, sepse finalizojnë procesin e tretjes së ushqimeve:

  • duke prodhuar vitamina
  • duke mbështetur sistemin imunitar
  • duke luftuar mikroorganizmat patogjene.

Është pikërisht ekuilibri, midis florë bakteriale të mirë dhe asaj patogjene, që përcakton shëndetin e zorrëve. Çdo ndryshim i këtij ekuilibri, i cili përkufizohet si ‘disbiozë’, mund të lidhet me gjendje të ndryshme patologjike, si: sëmundja inflamatore kronike e zorrëve, obeziteti, diabeti etj.

Përbërja e florës bakteriale të zorrëve ndikohet nga shumë faktorë si:

  • faktorët gjenetikë
  • dieta
  • mikrobet që gjenden në ambient
  • marrja e probiotikëve
  • konsumi i antibiotikëve
  • infeksione të ndryshme

Zorrët e një foshnjeje janë sterile. Pasurimi i zorrëve të tyre me baktere të mira bëhet nga nëna, përmes lindjes natyrale dhe më pas përmes të ushqyerit me gji. Qumështi i nënës përmban Lactobacillus Bifidus dhe Inulinë. Kjo e fundit nuk tretet nga organizmi, por shërben si nutrient për bakteret e mira, duke ndihmuar që ata të kolonizohen në traktin gastro-intestinal. Pas ndërprerjes së ushqyerjes me gji, vërehet një rënie e lehtë e numrit të bifidobaktereve në aparatin tretës, duke u kompensuar me një rritje të numrit të laktobacilleve, por numri i tyre mbetet gjithsesi i lartë, sepse mbeten baktere dominante dhe tek të rriturit.

Një florë bakteriale e shëndetshme kryen funksionin e barrierës, përmes filtrimit:

  • duke bërë përzgjedhje të substancave të mira
  • duke bërë eleminimin e atyre të këqija.

Tek fëmijët me një sasi të reduktuar të probiotikëve (baketere të mira) funksioni i barrierës cënohet, duke lejuar që lëndë toksike të hyjnë në organizëm dhe të provokojnë:

  • reaksione alergjike
  • infeksione të rrugëve të frymëmarrjes
  • infeksione të traktit urinar  
  • inflamacione intestinale (si psh. diare).

Ndër reaksionet alergjike më të shprehura, si pasojë e reduktimit të numrit të probiotikëve në organizëm, është dermatiti atopik. Në këtë rast këshillohet, që në dietën e fëmijëve të integrohen suplemente me përmbajtje probiotike.

Probiotikët janë tërësia e baktereve të gjalla që merren për qëllime terapeutike, me qëllimin e stabilizimit të ekuilibrit të florës bakteriale. Ato luajnë një rol të rëndësishëm në sistemin imunitar dhe prodhojnë lëndë që ndikojnë në rritjen e fëmijëve. Mes tyre mund të përmendim:

  • biotinën
  • vitaminën K
  • vitaminat e kompleksit B
  • vitaminën PP
  • acidin folik
  • vitaminat A,C.

Gjatë kohës që janë nën mjekim me antibiotikë, është shumë e rëndësishme të integrohen në dietë edhe probiotikë. Antibiotikët nuk arrijnë të dallojnë bakteret e mira, nga ato të këqija, duke sjellë si efekt anësor rënien e numrit të baktereve të mira të zorrëve. Si rrjedhojë bie imuniteti i të vegjëlve, duke rrezikuar nga njëra anë rikthimin e infeksioneve dhe nga ana tjetër diare.

Studime të shumta tregojnë efikasitetin e probiotikëve në parandalimin e diaresë gjatë trajtimit me antibiotikë.

A ka rëndësi koha kur duhet të merren?

Këshillohet të merren 2-3 orë larg marrjes së antibiotikëve, pasi, siç thamë dhe më lart, këta të fundit nuk arrijnë të bëjnë dallim mes bakteret e mira (probiotikëve) dhe atyre të këqija, duke bërë që të luftohen dhe bakteret e mira të marra si suplement në këtë rast.

Referenca

JAMA. 2016;316(14):1484-1485. doi:10.1001/jama.2016.11838

Akelma AZ, Biten AA. Probiotics and infantile atopic eczema. Pediatric Health Med Ther. 2015;6:147-151.