Po shkoj në kopsht

Disa këshilla për prindërit se si t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të përshtaten sa më shpejt me çerdhen dhe kopshtin.

Emocioni për fillimin e një etape të re në jetën e fëmijës i bën prindërit pak “të marrosur” e me frikëra nga më të ndryshmet. Edhe pse ata e kanë përzgjedhur institucionin ku do ta çojnë, frika më e madhe e tyre është se fëmija do qajë dhe se mami me babin nuk do jenë aty për ta ngushëlluar. Shpeshherë janë prindërit ata që e vuajnë më shumë shkëputjen nga fëmija. Është mëse normale që fëmija të qajë dhe sidomos fëmijët nën moshën 3–vjeçare, pasi ata e përjetojnë më shumë ankthin e ndarjes. Ankthi i ndarjes është në nivele më të larta në moshën 10-18 muajshe dhe mund të rikthehet edhe pas moshës 2-vjeçare.

 Si të ndihmojmë fëmijën për ta kapërcyer ankthin e ndarjes?

  • Gjëja e parë që duhet të bëni është të qëndroni të qetë dhe të mos  shfaqni asnjë shqetësim tuajin në sy të fëmijës. Ndarja mund të jetë me shumë të qara dhe lot, por ju qëndroni të fortë!
  • I flisni fëmijës për kopshtin, për mësueset, sa bukur dhe sa mirë do t’ja kalojë atje.
  • Besojini mësueseve, sepse ato e dinë se çfarë bëjnë. Flisni me ta për momentet që mund të qëndroni në klasë gjatë ditëve të para, me qëllim që të bëhet sa më e lehtë shkëputja.
  • Asnjëherë mos i ikni fshehurazi fëmijës! I jepni mesazhin që ju mund të ikni në çdo moment dhe pa kthim.
  • Para se t’ja dorëzoni fëmijën mësueses, uluni në lartësinë e fëmijës dhe flisni me të, bëjeni ndarjen të qartë dhe të shkurtër: “Mami do të shkojë në punë tani, do të kthehem kur ti të zgjohesh nga gjumi. Të dua shumë, puthje dhe Mirupafshim.”
  • Dorëzojeni tek mësuesja edhe nëse do jetë duke qarë, ato dinë si ta qetësojnë. Fëmija thjesht po proteston për largimin tuaj.
  • Mbani premtimin që i keni bërë dhe merreni në kohën që i keni premtuar.
  • Nëse fëmija ka ndonjë lodër apo objekt me të cilin qetësohet, jepjani me vete.
  • Jepini kohë fëmijës të përshtatet dhe të besojë tek mësueset. Kur fëmija mësohet të qëndrojë në kopsht pa qarë, nuk do të thotë që nuk e ka problem mungesën e prindit, por do të thotë që beson tek personat me të cilët po qëndron.
  • Pas ndarjes mos u riktheni kur dëgjoni fëmijën duke qarë, pasi në këtë mënyrë i jepni mesazhin që, nëse ai qan, mami do kthehet. Si pasojë i gjithë procesi  kthehet në pikën e nisjes duke e zgjatur dhe vështirësuar edhe me shumë përshtatjen e fëmijës.
  • Nëse keni vendosur që së shpejti fëmija juaj do të shkojë në kopsht, mësojini gradualisht të qëndrojë me persona të tjerë, si: gjyshërit, dado apo dikush tjetër i besueshëm.
  • Kini parasysh se mund të ndodhë regres edhe pasi fëmija është përshtatur mirë me kopshtin. Zakonisht ndodh pas një periudhe të gjatë shkëputjeje, si pasojë e pushimeve të gjata, ndonjë sëmundje apo udhëtimeve.