Brishtësia psikologjike e fëmijëve përballë Covid-19

brishtesia e femijeve

Bashkëpunimi shkollë – prind, çelësi i neutralizimit të impaktit psikologjik të pandemisë.

Pa asnjë dyshim që frekuentimi i shkollës gjatë shtimit të rastave me Covid-19 përbën një sfidë në vetvete, sepse ofron dy lloj realitetesh:

  • ekspozim më të madh ndaj virusit dhe
  • mundësi më konkrete për të nxënë dhe për t’u shoqërizuar pavarësisht rrethanave delikate në të cilën ndodhemi.

Për sa i përket realitetit të dytë, pa dyshim që kontakti me miqtë përbën një burim te jashtëzakonshëm force dhe impulsi pozitiv. Nga njëra anë, shoqërizimi është procesi i cili bën të mundur mësimin dhe brendësimin e normave kulturore dhe sociale, elemente thelbësore mbi të cilat ndërtojmë identitetin tonë. Nga ana tjetër, siç tregojnë studimet e fundit të antropologjisë biologjike, ndërveprimi me të tjerët është mënyra më e mirë për të zhvilluar plotësisht trurin tonë.

Pavarësisht avantazheve, të qënit prezent në shkollë në kohë pandemie mund të shkaktojë edhe efekte negative në planin psikologjik, si rezultat i dy dinamikave:

1. Përhapjes së informacioneve jo të sakta shkencërisht në ambjentet e shkollës dhe jashtë saj (psh., gjatë pushimit në shkollë ose gjatë rrugës për në shtëpi, fëmijët flasin me njëri-tjetrin rreth lajmeve që kanë dëgjuar në television ose nga prindërit e tyre, shpesh here duke ekzagjeruar ose deformuar realitetin si rezultat i moshës dhe mos eksperiencës).

2. Infektimit të shokëve/shoqeve ose mësuesve (kjo mund t’i shqetësoje e frikësojë ngaqë kanë pasur kontakt direkt me personat e infektuar).

Përballë një situate të tillë stresishkolla, në bashkëpunim me prindërit, mund të japë një kontribut të rëndësishëm në tkurrjen e efekteve negative psikologjike. Sugjerimet tona po i japim si vijon:

a. Mësuesit të mbajnë kontakte të vazhdueshme me prindërit për t’i informuar rreth masave që shkolla ka marrë për parandalimin e përhapjes së virusit. Kjo do qetësonte prindërit dhe, si rrjedhojë, bisedat e tyre në shtëpi do kishin me pak patos emocional;

b. Shkolla i komunikon prindërve (psh., nëpërmjet postës elektronike, faqes zyrtare apo rrjeteve sociale të shkollës) rregullat e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë apo nga autoritetet e tjera përgjegjëse të menaxhimit të pandemisë. Ky veprim tregon seriozitetin e shkollës në lidhje me vendimet që merr për përballjen e situatës, vendime që janë të bazuara në strategji kombëtare;

c. Mësuesit dhe drejtuesit e shkollës insistojnë në rregullat e higjenës dhe në ruajtjen e qetësisë, duke dhënë të parët shembullin: koherencë mes asaj që thuhet e asaj që zbatohet;

d. Fatkeqësisht, procesi i qetë dhe normal i të nxënit është i rrezikuar nga ankthi dhe shqetësimi për shëndetin dhe jetën, prandaj mësuesit duhet të tregohen empatik dhe mirëkuptues nëse nxënësit bëjnë pyetje të vazhdueshme rreth situatës edhe gjatë orës së mësimit;

e.Prindërit dhe mësuesit e kanë për detyrë që t’i informojnë fëmijët dhe t’ia shpjegojnë situatën në përputhje me moshën dhe zhvillimin konjitiv të tyre. Informacioni i marrë duhet të vijë nga burime serioze;

d. Se fundmi, shkolla duhet të intensifikojë aktivitet krijuese dhe argëtuese, në përputhje me rregullat e distancimit fizik, për të ofruar një burim relaksi dhe çtensionimi.