Aspekte psiko-pedagogjike për t’u konsideruar gjatë përzgjedhjes
Zgjedhja e shkollës përbën një moment të rëndësishëm në jetën e një fëmije, sidomos kur ky i fundit përballet me kalimin nga niveli parashkollor në arsimin fillor, duke krijuar edhe përvojën e parë me shkollën.
Për zgjedhjen e shkollës duhen konsideruar si faktorë të lidhur me mundësitë konkrete të familjes, ashtu edhe aspektet psiko-pedagogjike të ofertës formative që ka secila shkollë. Në lidhje me mundësitë e familjes, nuk mund të përgjithësojmë zgjedhjet, pasi faktorë si distanca fizike dhe kostot janë komponentë që ndikojnë në zgjedhje. Ajo që mund të bëjmë është të argumentojmë duke ju referuar studimeve, aspektet psiko-pedagogjike të mëposhtme që ndikojnë në mirëqënien psikologjike të fëmijës e në zhvillimin e tij personal e akademik:
Aspekti i parë për t’u konsideruar është oferta formative dhe fryma e shkollës, që nënkupton aspektet themelore (shtyllat) mbi të cilat mbështetet shkolla si përshembull: bashkëpunimi, formimi i mirë akademik i mësuesve, konkurenca, fryma vullnetare, mësimi tradicional apo inovativ). Këto komponentë mund të konsiderohen të rëndësishme ose pak të rëndësishme në secilën shkollë.
Aspekti i dytë për t’u konsideruar është stili i lidershpit të drejtuesit të shkollës. Një lider i mirë përfaqëson një mundësi të mirë për të bërë zgjedhje të përshtatshme për mësuesit dhe nxënësit. Në të kundërt, një model lideri që demostron papjekuri, duke ju referuar studimeve, krijon frustrim tek mësuesit dhe një efekt i tillë ndikon indirekt edhe te përvoja shkollore e nxënësit.
Aspekti i tretë për t’u konsideruar janë aftësitë pedagogjike të mësuesi kujdestar. Mësuesi kujdestar përfaqëson takimin e parë të nxënësit me shkollën dhe mundësinë e tij për të zbuluar përmes kësaj marrëdhënieje, një botë të madhe dijesh e për të zhvilluar të gjitha aftësitë që ai ka. Një mësues i mirë nuk ështe vetëm një mësues që ka dije të sakta akademike, por edhe një person që kupton mirë dinamikat e klasës e që di të njohë edhe veçoritë e secilit fëmijë, duke e motivuar vazhdimisht dhe duke e ndihmuar të kapërcejë sfidat që lidhen me këtë përvojë të re për fëmijën. Inteligjenca emocionale është një komponent shumë i rëndësishëm dhe studimet kanë treguar se ajo ndikon shumë në procesin e të nxënit.
Aspekti i katërt për t’u konsideruar është mjedisi fizik i klasave. Ky element perceptohet si dytësor por sipas studimeve, klasat me ndriçim dhe hapësirë të nevojshme, krijojnë kushtet që nxënësit të jenë më të përqëndruar dhe më efektivë në procesin mësimor.
Aspekti i fundit për t’u konsideruar por më i rëndësishmi, është përshtatja e fëmijës me stilin e shkollës. Një fëmijë që është i ndrojtur do të ndjehej i pranuar dhe do të fitonte kurajo në një mjedis me inteligjencë të lartë emocionale. I njëjti fëmijë, po të jetë pjesë e një shkolle që ka prioritet konkurrencën, do të ndjehej i shtypur dhe i pa motivuar për të ndjekur shkollën.
Duke konsideruar të gjitha aspektet e mësipërme, në procesin e zgjedhjes, është shumë e rëndësishme të njohim shkollën duke shfrytëzuar ditët Open Day, por është po aq e rëndësishme të njohim fëmijën për të kuptuar se në cilin mjedis ai ka mundësi më të mëdha që të zhvillojë potencialin e tij duke synuar jo vetëm arritjet shkollore, por edhe ndërtimin e tij si person i dobishëm për shoqërinë.
Referenca
Carlini, A. (2018). Insegnare nella scuola primaria: dalla progettazione didattica all’attività in classe. Tecnodici, Roma.
Fuller, C., Goodwyn, A. e Francis-Brophy, E. (2013). “Advanced skills teachers: profesional identity and status”. Teachers and Teaching: Theory and Practice, 19(4), pp. 463-474.
Guskey, T. (2002). “Professional Development and Teacher Change”.Teachers And Teaching: Theory and Practice, 8(3), pp. 381-391.
Henao, G.C., Ramirez, L.A. e Ramirez, C. (2006). “Qué es la intervención psicopedagógica: Definición, principiosy componentes.” Agora 10, 6(2), pp. 215-226.