Simptomat e Rinitit Alergjik ose Alergjisë së Pranverës janë më të zakonshme në fillim të kësaj stine dhe vinë si rezultat i një reagimi ndaj alergenëve (substancave alergji-shkaktuese) në ajër. Alergenët kryesorë janë polenet e hershme, por nuk mund të lëmë pa përmendur dhe sporet e myqeve, akarienet, kafshët etj.
Polenet janë qeliza mashkullore të vogla që çlirohen në ajër nga lulet e çelura.
- Zakonisht, polenet e luleve në parqe nuk shkaktojnë alergji, sepse janë të rënda e të lëmuara dhe shpesh kapen e mbarten nga insektet.
- Kurse polenet e vogla, të lehta e të thata, që prodhohen nga pemët, bari apo shkurret, mund të përhapen me erën dhe mund të jenë shkak për simtomat e alergjisë respiratore.
Pas vendosjes së diagnozës së saktë, mjeku alergolog mund t’ju ndihmojë për fillimin e trajtimit më të përshtatshëm. Ai përcakton, nëse është e nevojshme marrja apo jo e medikamenteve për kontrollin e simtomave. Sido që të jetë, për reduktimin e simptomave mund të merren disa masa paraprake për të ndihmuar dhe lehtësuar shqetësimet e personit me alergji sezonale (rinit sezonal).
Disa këshilla të dobishme për ata që vuajnë nga alergjitë e pranverës janë:
- Ndërroni dhe lani çarçafët me ujë të nxehtë çdo javë.
- Gjithmonë bëni banjë dhe lani flokët para gjumit, sepse polenet gjatë ditës depozitohen në lëkurë dhe flokë.
- Mos i varni rrobat jashtë për t’u tharë në vende ku ka prani të shtuar të polenve, dhe në periudhën e ditës kur polenet janë me shumicë në ajër.
- Përdorni maska kur duhet të punoni jashtë shtëpisë apo të bëni shëtitje pranë parqeve.
- Evitoni qëndrimin e zgjatur dhe shëtitjet në kohën kur polenet janë në ajër (ditët e nxehta, të thata e me erë). Edhe pse piku i lëshimit të poleneve në ajër nga lulet është në orët e para të mëngjesit, piku i shpërhapjes së tyre është intervali kohor 10:00-16:00.
- Mbani të mbyllura dritaret e shtëpisë dhe të makinës gjatë këtij intervali kohor.
- Bëni pastrim të përgjithshëm të shtëpisë në fillim të pranverës, duke përfshirë dhe zëvendësimin e filtrave, pastrimin e tubacioneve të ajrit apo pastrimin e qyngjeve dhe të oxhakut.
- Kontrolloni dhe pastroni nga myqet banjën apo vende të tjera me lagështi në shtëpinë tuaj. Kujdes pastrimi të bëhet me pastrues jotoksikë!
- Mbani kafshët jashtë shtëpisë, pasi ata, përveç faktit që mund të jenë shkaktarë të simptomave alergjike, mund edhe bëhen mbartës të poleneve të depozituara.