Të rimendojmë sistemin e edukimit në kohën e koronavirusit – pro dhe kundër efikasitetit të programeve të mësimit në distancë

Mesimi online

“Ajo që mbijeton nuk është qenia më e fortë apo më intelligjente, por ajo që ka aftësi t’u përshtatet ndryshimeve”, thoshte Charles Darwin.

Papritur nga një ditë në tjetrën, u zgjuam në mesin e një pandemie që ne nuk e kishim përjetuar ndonjëherë. Në fillim Kina, pastaj Italia e kështu me radhë derisa arriti edhe në Shqipëri. Kjo gjendje emergjence kur shkollat janë të mbyllura në çdo vend, na detyroi që të rimendojmë shpejt e të projektojmë strategjitë më të mira të mundshme se si të zhvillojmë mësimin pa nxënësit në shkollë.

Italia fillimisht kishte disa shkolla që ishin më të organizuara e të tjera më pak të organizuara. Por me kalimin e ditëve dhe me ndihmën e teknologjisë u bë e mundur të zgjidheshin pjesa më e madhe e problemeve në këtë aspekt.

Shqipëria në aspektin kohor ishte më me fat, nëse mund të thuhet kështu, sepse pati më shumë kohë për të projektuar më mirë mësimin në distancë ose online. Sigurisht që nuk është e thjeshtë të riprogramosh e të përvetësosh në pak ditë metodologjitë e reja, t’i bësh të tuat e të zbulosh avantazhet dhe limitet. Kjo eksperiencë do na ndihmojë të kuptojmë më mirë potencialet e kësaj metode që të mund ta përdorim edhe në të ardhmen (jo vetëm në kohën e emergjencës), bashkë me metodologjinë tradicionale.

Sigurisht që asnjë kompjuter nuk mund të zëvendësojë praninë në klasë.

Mësimi në klasë ka disa përparësi që janë të padiskutueshme. Në radhë të parë, familjariteti me këtë lloj situate si për mësuesin, ashtu edhe për studentin. Së dyti, mundësia për mësuesin për të kalibruar dhe korrigjuar gjatë shpjegimit, nëpërmjet feedback-ut të menjëhershëm që merr nga reagimet e nxënësve, pyetjet e gjestet. Së treti, afërsia e nxënësve që arrijnë të krijojnë grupe të përbashkëta pune e që bashkëpunojnë për arritjen e qëllimeve.

Mësimi online mund të bëhet në dy mënyra:

  1. E para, janë materialet e vëna në disposizion për një mësim individual a të shoqëruar nga një i rritur.
  2. E dyta, mënyra direkte, ajo që lejon një mësim bashkëpunues nëpërmjet përdorimit të grupit të punës, ballafaqimit me të tjerët e mësuesit. Elementi më i rëndësishëm i këtij modeli është ideja e komunikimit dhe e mësimit si procese sociale.

Disa nga përparësitë e mësimit online janë:

  • Mundësia që përmbajtja e këtyre materialeve të jenë të disponueshme e të përdoret në çdo moment a vend ku ndodheni.
  • Komunikimi mund të jetë i tipit “një me një”, “një me shumë ” ose “shumë me shumë ”.
  • Në aspektin kohor, nxënësit mund të komunikojnë me mësuesit ose me bashkëmoshatarët në kohë reale, si me mesazhe apo audio/video nëpërmjet Skype, për shembull. Në këtë rast komunikimi është sinkronik. Ndërsa në rastin kur nxënësit komunikojnë me mësuesin, mes tyre ose në mënyrë të diferencuar, nëpërmjet e-maileve apo në grupe, forum etj, është josinkronik.
  • Kapërcen jo vetëm barierrat e kohës dhe hapësirës, por edhe mundëson një fleksibilitet më të madh në mënyrat e në stilet e të mësuarit. Kjo sjell personalizimin e këtij procesi me objektiva specifike për të gjithë, sidomos për ata që nisen nga situata të pafavorshme, jo të shkaktuara nga kjo situatë.

Por, si çdo gjë ka dhe limitet e veta.

Disa nga problematikat e kësaj procedure janë:

  • Problemet teknologjike, si për shembull, mundësia për të hyrë në rrjet, shpejtësia me të cilin përçohen të dhënat, njohuritë teknologjike të përdoruesve, aftësitë për të manipuluar tekstet nëpërmjet programeve të të shkruarit me video ose të ruajtjes e arkivimit. Ky aspekt paraqet një limit shumë të rëndësishëm, sepse lidhet me aftësitë specifike të çdo nxënësi e mësuesi.
  • Menaxhimi i kohës. Jo të gjithë janë në gjendje të menaxhojnë kohën në mënyrë fleksibël e të programuar, për të lexuar materialet e kurseve në momentet më të përshtatshme e për të kryer detyrat e caktuara brenda afateve të dhëna.
  • Për të përfituar sa më shumë nga mundësitë e kësaj metodologjie, përdoruesit duhet të ndërveprojnë me nxënësit, të ndajnë punën, të inkurajojnë pjesëmarrjen e nxënësve të tjerë. Një komunikim i shkruar, sidomos nëse është josinkronik, ka rrezikun të perceptohet si i ftohtë apo i shkëputur.
  • Nëse mundësitë e aksesit në internet nuk janë optimale për të gjithë, rrezikohet alienimi i disa anëtarëve të klasës virtuale e rrjedhimisht ata që nuk kanë mundësi të jenë gjithmonë në kontakt do të mbeten pas.
  • Persa i përket menaxhimit në familje, nëse flasim për familje që kanë më shumë se një fëmijë në shkollë ose akoma më keq, kur edhe vetë prindërit punojnë në “smart working” ose nuk kanë kompetencat e duhura për të ndihmuar dhe ndjekur femijët në bërjen e detyrave, kjo bëhet dhe më e vështirë dhe rrezikon të shndërrohet në një situatë diskriminuese për ata qe nuk e kanë këtë mundësi.

Një tjetër reflektim për këtë model mësimdhënie është se fëmijët në këtë mënyrë kalojnë shumë kohë para instrumenteve elektronike. Kërkimet dhe të dhënat shkencore mbi efektet negative të përdorimit për një kohë të gjatë të teknologjisë janë të qarta. Flasin për efekte negative lidhur me aftësinë sociale e me shëndetin mendor. Fëmijët dhe adoleshentet që kalojnë më shumë kohë para paisjeve elektronike vuajnë më shumë nga ankthi e depresioni dhe kanë vështirësi të mbajnë vëmendjen e përqendrimin. Paisjet elektronike mund të shkaktojnë sjellje të ngjashme me ato të shkaktuara nga varësitë nga drogërat, për shkak të lëshimit të dopaminës në tru. Neuroshkenca thotë se një përdorim i tejzgjatur i teknologjisë çon në ndryshime në trurin e fëmijëve dhe adoleshentëve: atrofizimi i materies gri apo humbja e volumit të indeve të trurit. Këto efekte të dokumentuara e të konfirmuara nuk zhduken për faktin se tani këto paisje po përdoren për të bërë detyrat në kushtet e emergjencës e jo per të luajtur me videogame. Të kalosh shumë kohë përpara kompjuterit, telefonit, tabletit  etj, edhe pse për motive edukuese, është gjithsesi shumë e dëmshme për trurin në zhvillim të fëmijëve.

Nëse nga njëra anë mësimi në distancë përpiqet të zëvendësojë mungesën të shkollës këtë periudhë, nga ana tjetër shkolla nuk përfaqëson vetëm kryerjen e detyrave dhe vlerësimin. Në asnjë mënyrë mësimi në distancë nuk mund të zëvendësojë vlerën edukative e sociale që ka shkolla.Të edukosh do të thotë të shprehësh e të përcjellësh koncepte e përmbajtje kulturore e morale. E kjo nënkupton ekzistencën e marrëdhënieve me edukatorët dhe me bashkëmoshatarët. Kjo na lejon të rritemi me të tjerët e nëpërmjet të tjerëve. Ky aspekt që shpeshherë rezulton i vështirë edhe në mësimin në klasë, përballet me vështirësi të reja gjatë mësimit në distancë.

Mësimi në distancë duhet të shërbejë për t’i afruar nxënësit e mësuesit e jo për t’i distancuar nga njëri-tjetri e nga realiteti.