Vaksinat kundër COVID-19 janë aplikuar gjerësisht në botë. Dy nga këto vaksina janë me bazë ARN mesazhere: ajo e Pfizer-BioNTech dhe Moderna, të cilat morën autorizimin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së. Pavarësisht efikasitetit të lartë dhe efekteve të neglizhueshme anësore të raportuara në provat klinike, ekziston një kontigjent i cili nuk dëshiron ta bëj vaksinën dhe një nga arsyet e hezitimit është efekti i mundshëm negativ në fertilitet. Në një provë klinike në njerëz u vlerësuan parametrat e spermës para dhe pas marrjes së vaksinës me bazë mARN. Cilësia e spermës para dhe pas 2 dozave të një vaksine mARN për COVID-19, nuk pësoi ndryshime të konsiderueshme në asnjë nga parametrat e matur të spermës në këtë grup të vogël burrash të shëndetshëm. Madje pati një përmirësim të lehtë dhe statistikisht të rëndësishëm të parametrave të cilësisë së spermës (Tabela).
Duke qenë se vaksinat përmbajnë mARN dhe jo virus të gjallë, nuk ka gjasa që vaksina të ndikojë në parametrat e spermës. Ndërkohë që këto rezultate treguan rritje statistikisht domethënëse në të gjithë parametrat e spermës, madhësia e ndryshimit është brenda kufijve normal individual dhe mund të ndikohet nga efekte potenciale statistikore. Për më tepër, rritja mund të jetë për shkak të zgjatjes së kohës së abstinencës përpara kampionit të dytë. Meshkujt me oligospermi nuk pësuan rënie. Ky studim edhe pse i vlefshëm ka disa kufizime që duhet të merren parasysh. E para, studimi përfshiu një numër të vogël meshkujsh të rinj e të shëndetshëm pa grup kontrolli. Përveç kësaj, edhe pse analiza e spermës është baza e vlerësimit të fertilitetit mashkullor, ajo është një tregues i papërsosur i potencialit të fertilitetit. Megjithatë, pavarësisht këtij fakti, afati kohor i studimit përfshin ciklin e plotë të jetës së spermës dhe na lejon të nxjerrim konkluzione të kënaqshme.
Për më shumë detaje ju ftojmë të lexoni studimin e plotë: