Autik lind apo bëhesh?

autizem

Kur flitet për autizmin, duhet theksuar që nuk bëhet fjalë për një gjendje të krahasueshme me të tjerat, të cilat kanë një shkak neurobiologjik unit, si për shembull, Sindroma Down, shkaku i së cilës është trisomia 21.

Autizmi nuk është një sëmundje, por një mënyrë e ndryshme funksionimi neurobiologjik dhe social që shpeshherë nënkupton moskoordinim mes shqisave, vështirësi në kuptimin apo në komunikimin e informacioneve abstrakte.

Shkaqet e autizmit fillimisht janë kërkuar në mosfunksionimin e ndërveprimit mes nënës dhe fëmijës në stadet e hershme të zhvillimit. Por kohët e fundit studimet tregojnë se nuk ka një dallim mes lidhjes emocionale që krijohet mes fëmijës me autizëm dhe nënës, krahasuar me lidhjen mes nënës dhe një fëmije me zhvillim neurotipik. Fëmijët me autizëm dhe ata me zhvillim neurotipik reagojnë në të njëjtën mënyrë kur nëna largohet nga dhoma dhe e rigjejnë ekuilibrin emocional kur ajo kthehet.

Një tjetër studim që mori në shqyrtim lidhjen midis vaksinave dhe autizmit, arriti në përfundimin se fakti që shenjat e autizmit identifikohen në periudhën e zhvillimit e cila përkon me atë të vaksinimit, nuk do të thotë që mes tyre ka një lidhje shkakësore. Studimet vërtetojnë që nuk ka asnjë lidhje shkakësore mes vaksinave dhe autizmit, duke hedhur poshtë edhe hipotezën e dytë të shkaqeve të autizmit.

Autizmi shfaqet në disa raste edhe me regres në moshën 1.5-2 vjeçare, por edhe në këto raste vërehet që shenjat e tij janë shfaqur edhe më përpara në një formë disi të modifikuar, gjë që nuk lehtëson identifikimin e tij të hershëm. Studimet tregojnë që disa nga shenjat evidentohen që pas dy muajve të parë të jetës.

Folstein e Rutter kanë realizuar një studim tek binjakët, ku është vënë re që binjakët homozigotë kishin probabilitet shumë të lartë që të ishin të dy me autizëm, gjë që nuk ndodhte domosdoshmërisht me binjakët heterozigotë. Ky studim përfaqëson pikën e kthesës në natyrën e studimeve për autizmin, duke u orientuar jo më drejt shkaqeve ambientale, por drejt atyre me natyrë neurobiologjike.

Një tjetër studim që konfirmon faktin që autizmi është i lindur është ai i Casanova, Buxhoveden, Switala e Roy, ata kanë arritur të bëjnë identifikimin e anomalive në anatominë e qelizave cerebrale të personave me autizëm, specifikisht një dendësi më të madhe neuronesh në disa zona të trurit, krahasuar me personat me zhvillim neurotipik.

Në përfundim, duke u bazuar tek studimet, mund të themi që autizmi është i lindur dhe si i tillë mund të trajtohet, por jo të shërohet, duke mos qenë një sëmundje, por një mënyrë e ndryshme funksionimi. Trajtimi i tij nënkupton punën me aspektet emocionale dhe sociale, si një formë kompensimi të një reagimi që nuk vjen vetvetiu, por që i duhet mësuar fëmijës. Përmes terapisë, fëmijët me autizëm mësojnë sjellje sociale dhe aftësohen t’i përdorin në kontekstet e duhura.

Referenca:

De Myer, M. K. (1979). Parents and children in autism. Washington New York: V.H. Winston.

Pennington, B. F. (2002). The development of psychopathology: nature and nurture. Neë York: The Guilford Press.

Sigman, M. e Ungerer, J. A. (1984). Attachment behaviors in autistic children. Journal of Autism Development Disorder, 14 (3), 231-44.

Folstein, S. e Rutter, M. (1977). Genetic influences and infantile autism. Nature, 265 (5596), 726-28.

Bishop, D. V. (1993). Annotation: autism, executive functions and theory of mind: a neuropsychological perspective. Journal of Child Psychology and Psychiatry, 34 (3), 279-293. Vivanti, G. (2010). La mente autistica. Torino: Omega Edizioni.