Fëmijët dhe adoleshentët në ditët e sotme po kalojnë gjithmonë e më shumë kohë në media sociale, përfshirë Facebook, Instagram, TikTok dhe YouTube. Megjithatë, ende shumë pak dihet sesi ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtyre mediave sociale influencon mënyrën e ushqyerjes së fëmijëve dhe adoleshentëve. Gjithashtu, mekanizmat nëpërmjet të cilave mediat sociale mund të influencojnë dietën te fëmijët dhe adoleshentët mbeten akoma të panjohur.
Për këto arsye, së bashku me kërkues shkencorë të Institutit Leibniz për Epidemiologjinë dhe Parandalimin në Bremen të Gjermanisë, realizuam një rishikim sistematik të literaturës, me qëllim që të eksplorojmë mbi rolin e mediave sociale në mënyrën e ushqyerjes së fëmijëve dhe adoleshentëve, duke marrë në kosideratë edhe mekanizmat shpjegues. U kërkuan studimet e publikuara nga viti 2008 deri në vitin 2021 në disa databaza të literatures ndërkombëtare përfshirë Medline, Scopus dhe CINAHL. Kriteret e përzgjedhjes së studimeve përshinë: ato studime që vlerësojnë lidhjen e ekspozimit të fëmijëve dhe adoleshentëve ndaj mediave sociale me konsumin e tyre ushqimor (p.sh., fruta, perime, pije me sheqer, ushqime të procesuara industrialisht etj.), preferencat ushqimore, sjelljet e lidhura me ushqyerjen (psh., konsumimi i mëngjesit ose i mes-vakteve) dhe mekanizmat shpjegues (p.sh., aktivizimi i trurit pas ekspozimit ndaj imazheve dixhitale të ushqimit – si shembuj të imazheve të ushqimit në mediat sociale). Të gjitha studimet e përzgjedhura duhej të ishin realizuar në fëmijë dhe adoleshentë të moshës 2-18 vjeç dhe të cilët nuk vuanin nga sëmundje siç është obeziteti, diabeti, problemet gastro-intenstinale ose probleme të shëndetit mendor. Pasi të gjithë artikujt u ri-shikuan nga 2 kërkues shkencorë të pavarur, 35 artikuj përmbushën të gjitha kriteret për tu përfshirë në këtë studim.
Nga katër artikuj, vetëm një tregoi se ekspozimi ndaj videove mbi ushqyerjen e shëndetshme – të postuara nga bashkëmoshatarët në Instagram, por jo nga influencuesit e mediave sociale – çonte në një rritje të konsumit të perimeve tek adoleshentët.
Shumica e studimeve raportuan se ekspozimi ndaj mediave sociale çonte në përkeqësim të sjelljeve ushqimore, si mos-konsumim të mëngjesit, konsum të lartë të ushqimeve jo të shëndetshme dhe pijeve me sheqer. Në të njëtën kohë, u observua se ekspozimi ndaj mediave sociale çonte në ulje të konsumit të frutave dhe perimeve, pavarësisht moshës së pjesëmarrësve në studim. Gjithashtu, u observua se ata fëmijë dhe adoleshentë të cilët ishin të ekspozuar ndaj imazheve digjitale të ushqimeve jo të shëndetshme, treguan një aktivitet nervor më të lartë në rajonet e trurit që lidhen me vëmendjen dhe shpërblimin.
Si influencohet ushqyerja?
Mekanizmat nëpërmjet të cilëve ekspozimi ndaj mediave sociale çonte në influencimin e mënyrës së ushqyerjës te fëmijët dhe adoleshentët ishin:
- fiziologjike (gjendja e oreksit, rritja e aktivitetit nervor pas ekspozimit ndaj imazheve ushqimore me porcion të lartë dhe ushqimeve me përmbajtje të lartë kalorike),
- sociale (reklamimi i ushqimit nëpërmjet influencuesve të mediave sociale dhe nga bashkëmoshatarët).
Në përmbledhje, ekspozimi ndaj mediave sociale çon në përkeqësim të ushqyerjes si te fëmijët ashtu edhe tek adoleshentët. Mekanizmat e identifikuar nga ky studim mund të ndihmojnë në përshtatjen e politikave shëndetësore për fëmijët dhe adoleshentët. Rregullimi ligjor i reklamimit të produkeve ushqimore në mediat sociale dhe kufizimi i ekspozimit ndaj mediave sociale mund të përmirësojnë ushqyerjen dhe shëndetin e fëmijëve dhe adoleshentëve. Për më shumë detaje mbi këtë studim, mund t’i referoheni artikullit të publikuar në revistën Advances in Nutrition në linkun e mëposhtëm.