Pijet me sheqer dhe rreziku për kancer

sheqer

Konfirmohet lidhja mes një konsumi të lartë të pijeve me sheqerna të shtuar dhe rritjes së rrezikut të shfaqjes së kancerit. Studimi që realizuam, një meta-analizë e botuar në revistën shkencore ‘‘Nutrients” drejtuar nga Njësia e Nutricionit dhe Kancerit të Institutit Katalan të Onkologjisë (ICO) dhe Institutit të Kërkimit Biomjekësor Bellvitge (IDIBELL), analizoi rezultatet e 64 studimeve epidemiologjike vëzhguese të botuara deri në qershor të vitit 2020. Për të kuptuar më mirë rolin e pijeve të ëmbla në kancerogjenezë, analizën e kryem sipas 3 grupeve të ndryshme të pijeve:

  1. pijet e pasura me sheqerna të shtuar;
  2. lëngjet e frutave;
  3. pijet e pasura me ëmbëlsues artificial, të njohura ndryshe edhe si pije “dietike”, “pa sheqer”, ose “light”.

Rezultatet treguan një lidhje midis konsumit të lartë të pijeve me sheqerna të shtuar dhe rritjes së rrezikut të kanceritgjirit dhe të prostatës. Gjithashtu u vu re një lidhje midis rritjes së rrezikut të kancerit të prostatës dhe konsumit të lartë të lëngjeve të frutave.

Për më shumë rreth metodologjisë të këtij studimi mund të lexoni këtu.

Cilat pije janë alternativa më e mirë për shëndetin?

Rekomandimet më aktuale të World Cancer Research Fund (WCRF) këshillojnë fortësisht kufizimin e konsumit të pijeve të pasura me sheqerna të shtuar si një masë parandaluese e kancerit. Pijet me sheqerna të shtuar dhe pijet me ëmbëlsues artificial, ofrojnë pak ose aspak lëndë ushqimore të rëndësishme për organizmin, prandaj zëvendësimi i këtyre pijeve me ujë të pijshëm të thjeshtë, si burim kryesor për hidratimin e trupit, është zgjedhja më e mirë për shëndetin. Alternativa të mira pijesh janë edhe çajrat dhe kafja pa sheqer të shtuar (kafe; jo më shumë se 5 filxhanë në ditë).

Frutat apo lëngjet e frutave?

Duhet t’i jepet prioritet konsumit të frutit të plotë përpara lëngjeve të frutave. Frutat, ndryshe nga lëngjet e frutave, janë një burim i rëndësishëm i fibrave bimore, një lëndë ushqimore me shume përfitime për organizmin. Sheqeri i pranishëm në fruta metabolizohet më ngadalë falë efektit të fibrave të pranishme në matricën e tij, prandaj nuk shkakton të njëjtat efekte në organizëm si sheqeri i lëngut të frutave.

Konsumimi i frutit të plotë (2-4 racione ne ditë) dhe ujit të pijshëm në vend të pijeve me sheqer dhe lëngjeve të frutave, do të sigurojë marrjen e duhur të lëndëve ushqimore dhe do të zvogëlojë marrjen e tepërt të sheqernave dhe kalorive dhe për këtë arsye, do të ndihmojë në parandalimin e rrezikut të diabetit tipi 2, obezitetit dhe disa tipeve të kancerit.