OMICRON: Përse po shqetëson?

omicron

Para pak ditësh u njohëm me një variant të ri OMICRON të cilin OBSH e cilësoi si shqetësues. Ky variant vjen pas dy vitesh pandemi, në një kohë ku zemërimi dhe zhgënjimi ka mbërthyer njerëzit, por dhe në një kohjë kur imuniteti i përftuar nga vaksinat është në rritje në të gjithë botën. Shfaqja e varianteve shqetësuese paraardhëse është shoqëruar me valë të reja infektimesh, si p,sh Varianti Delta i cili u shoqërua me rritje të transmetueshmërisë dhe shifra të larta riinfektimesh, dhe për shkak të aftësisë që ka ky variant t’i shmanget patrullës imunitare, duke e bërë atë dominant në mbarë botën.

A përhapet më shpejt varianti OMICRON?

Shqetësimi kryesor rreth këtij variant të ri është fakti nëse ai do përhapet më shpejt apo do jetë më i ashpër se variantet paraardhëse dhe nëse mund t’i shpëtojë mbrojtjes nga vaksina. Ndikimi i Omicron në transmetueshmëri mbetet shqetësues, por ende nuk dihet nëse përhapet më shpejt sesa varianti Delta, edhe pse të dhëna paraprake tregojnë se përhapja e tij në Afrikën e Jugut po ndodh në një kohë kur po qarkullon dhe varianti Delta.

A mund të shkaktojë sëmundje më të rëndë?

Nevojiten të dhëna më të plota për të përcaktuar nëse infektimet me variantin e ri dhe veçanërisht riinfektimet dhe infektime depërtuese në individë që janë të vaksinuar, shkaktojnë sëmundje më të rëndë. Ndërkohë të dhëna jo të plota nga spitalet në Afrikën e Jugut, sugjerojnë se pacientët që preken nga ky variant janë më të rinj në moshë dhe klinika e sëmundjes është e njëjtë me variantet paraardhëse.

A do jenë vaksinat që kemi efikase ndaj Omicron?

Shqetësim tjetër paraqet dhe shmangia e patrullës imunitare, edhe pse ende nuk kemi të dhëna. Ajo që dimë nga variantet paraardhëse është fakti se efikasiteti I vaksinave mbetet i lartë për të parandaluar sëmundjen e rëndë, hospitalizimet dhe vdekjet. Të njëjtin efekt pritet të kenë dhe ndaj varintit Omicron, duke theksuar dhe njëherë rëndësinë e vaksinimit dhe të dozave përforcuese. Këto sugjerime përforcohen dhe nga studime vëzhguese të realizuara në shumë shtete, të cilët përfshijnë mijëra individë dhe tregojnë se efikasiteti i vaksinave mbetet mbi 90% për parandalimin e shtrimeve në spital, gjatë qarkullimit të variantit Delta, deri në 6 muaj pas vaksinimit.

A do përdoren të njëjtat terapi për trajtimin e sëmundjes?

Shkencëtarët në mbarë botën po analizojnë efikasitetin e trajtimet aktuale. Duke u bazuar në ndryshimet gjenetike që paraqet varianti Omicron, pritet që disa trajtime të jenë njësoj efektive e të tjera të jenë më pak efektive.

Gjithsesi, armët për për ta luftuar dhe këtë variant janë. Vaksinat mbeten masa më e efikase për të mbrojtur njerëzit nga COVID-19, për uljen e transmetueshmërise dhe parandalimin e shfaqjes së varianteve të reja.

Referenca:

CDC

THE LANCET