OMICRON: Arratisës i zgjuar por…

omicron

Varianti Omicron u shfaq për herë të parë në Nëntor të vitit 2021. Që nga identifikimi i tij studime të shumta konfirmojnë aftësinë e tij  për t’i shpëtuar patrullës imunitare. Ky variant përmban rreth 30 mutacione në proteinën spike ( = proteina përgjegjëse për hyrjen përmes receptorëve ACE-2 në qelizat njerëzore), nga të cilat 15 lokalizohen në pjesën target të antitrupave neutralizues (antitrupat që eliminojnë virusin).  Disa prej këtyre mutacioneve sjellin një lidhje më të fortë me receptorët ACE-2 e disa të tjerë një shmangie të patrullës imunitare.

Ajo mbi të cilën të gjithë studimet dakordësojnë është se: individët që e kanë kaluar infeksionin dhe ata të vaksinuar me dy doza vaksine kanë nivele shumë të ulëta deri në zero të antitrupave neutralizues ndaj variantit OMICRON. Aplikimi i dozës së tretë duket të risjellë aftësinë për të neutralizuar virusin. Studime të tjera sugjerojnë se vaksinimi me dy doza i ndjekur nga një infektim nga varianti DELTA, ose infektimi i mëparshëm i shoqëruar me kryerjen e dy dozave të vaksinës, sjellin nivele të rritura dhe potencialisht mbrojtëse të antitrupave neutralizues.

Edhe pse shmangia e patrullës imunitare nga varianti OMICRON mund të favorizojë infeksione depërtuese në individë të vaksinuar dhe ata që janë infektuar më parë, vlen të theksohet se imuniteti i tyre ka gjasa ende të  mbrojë nga sëmundja e rëndë, kjo falë qelizave T( =qelizat vrasëse, pjesë e sistemit tone imunitar).

Kur flasim për imunitetin ndaj koronavirusit, e gjithë vemendja shkon te antitrupat, veçanërisht ata neutralizues, të cilët pengojnë që virusi të shumëfishohet në organizëm. Një rënie e nivelit të antitrupave neutralizues rrit shanset për të patur një infeksion simptomatik. Rritja e numrit të varianteve që qarkullojnë po tregon se imuniteti i bazuar në antitrupa është i brishtë, por qelizat T janë më të qendrueshme. Qelizat T kanë një sërë funksionesh imunitare, duke përfshirë dhe aftësinë e tyre si vrasëse të qelizave të infektuara, duke kufizuar përhapjen e infeksionit e ,mundësisht dhe shanset për të shfaqur sëmundje të rëndë. Nivelet e qelizat T nuk zbehen aq shpejt sa ato të antitrupave neutralizues pas një infektimi apo vaksinimi, gjithashtu ato mund të njohin më shumë zona të proteinës spike, duke i bërë këto qeliza të afta të njohin kështu dhe variantet e reja.

Referenca:

Flemming, A. Omicron, the great escape artist. Nat Rev Immunol (2022). https://doi.org/10.1038/s41577-022-00676-6

‘Killer’ immune cells still recognize Omicron varianthttps://doi.org/10.1038/d41586-022-00063-0

Vaksina kundër COVID-19 : zhvillimi dhe studimet. OMICRON: Përse po shqetëson?