Terapitë Qelizore për COVID-19: Një alternativë e mundshme!

terapi qelizore

Virusi SARS-CoV-2, në fillim u shfaq si një patogjen që shkaktonte pneumoni, por siç u pa ne vijim, ai prek të gjithë trupin duke shkaktuar sëmundje: të sistemit imunitar, të veshkave, kardiake, si dhe të sistemit nervor. U vu re që 15% e pacientëve pësojnë sëmundje të rëndë që sjell pasoja afatgjata. Ndërkohë që pjesa më e madhe e forcës shkencore është e fokusuar në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjes akute, është e rëndësishme të orientojmë forcën kërkimore dhe ndaj pasojave afatgjata që shkaktohen nga COVID-19. Trajtimet qelizore mund të jenë përgjigjja e duhur! Pikërisht këtë kemi trajtuar në artikullin e publikuar para pak kohësh në revistën shkencore Science.

Siç dihet, COVID-19 prek mushkëritë duke shkaktuar Sindromën e Distresit Respirator Akut (SDRA) dhe duke dëmtuar qelizat alveolare. Ky dëmtim mund të shkaktojë fibrozë të mushkërive. Shumë pacientë me dëmtime serioze të mushkërive si pasojë e COVID-19, janë përfshirë në studime shkencore ku po trajtohen me qeliza burimore mezenkimale (MSCs) të cilat reduktojnë përgjigjen e  sistemit imunitar, por mund të ndihmojnë dhe në riparimin e qelizave të dëmtuara. Pacientët të cilët fatkeqësisht kanë pësuar dëmtim dhe fibrozë të mushkërive, mund të ndihmohen nga trajtimi me MSC ose me pneumocite të tipit  II, pasi është parë që në studime të përafërta, ata kanë përmirësuar gjendjen e mushkërive në pacientë me Fibrozë Pulmonare Idiopatike, një sëmundje e rrallë që shkakton fibrozë  të mushkërive.

Sistemi imunitar është gjithashtu një nga pjesët kyçe të trupit që preket nga COVID-19. Pacientët me sasi me të larta të imunogobulinave IgM dhe IgG kanë manifestime më të renda të semundjes. Studimet kanë treguar se këta pacientë kanë sasi më të reduktuar të qelizave T, veçanërisht ata të tipit CD4+ dhe CD8+, qeliza që zakonisht ndihmojnë për të neutralizuar virusin ose qelizat e infektuara.

Për më tepër, nje numër i madh i citokinave pro-inflamatore, proteina që nxisin përgjigje imunitare, shkaktojnë një reaksion ku sasi akoma më të mëdha të ketyre proteinave lëshohen në gjak, dukuri e quajtur stuhia e citokinave, që shkakton dëme të mëdha ne trup. Si pasojë e kësaj përgjigje imunitare ndaj COVID-19, shumë studime shkencore janë duke gjetur qeliza imunitare që mund të ndalojne këto efekte. Natural killer (NK) cells, ose thjesht qelizat natyrore vrasëse, që zakonisht luftojnë patogjenë virale, janë duke u testuar në disa pacientë me COVID-19. Për të shmangur reaksione të fuqishme imunitare si stuhia e citokinave, disa studime po kryejnë testime me T regulatory cells dhe qeliza T të modifikuara nëpërmjet inxhinierisë molekulare (siç janë qelizat CAR-T).

Së fundmi, COVID-19 prek dhe organe të tjera si: zemrën, veshkat, sistemin gastrointestinal, sistemin nervor por edhe gjakun. Një numër i konsiderueshëm pacientësh kanë pësuar infarkt kardiak, hemorragji ose ishemi cerebrale, dëmtime të nervave që mund të çojne në shfaqje të sëmundjeve si Skleroza Multiple, dëmtime akute të veshkave të cilat nuk janë përmirësuar pas shërimit dhe si pasoje po shkaktojnë sëmundje kronike.

Teknologjia e trajtimit me qeliza burimore është zhvilluar shumë vitet e fundit dhe mund të ndihmojë edhe këtë grup specifik pacientësh, të cilët po hasin probleme kronike si pasojë e sëmundjes COVID-19.

Për detaje të mëtejshme mund të lexoni artikullin e plotë: