Analizë e përgatitur nga: Dr.shk Erand Llanaj dhe Dr.Shk. Aldi Pupuleku
Në terma afat-shkurtër, mund të themi që evolucioni i virusit do ketë tendencë ta bëjë virusin më të ‘përshtatshëm’ për mbijetesë. Konkretisht, aspektet të cilat kanë më shumë gjasa të ndryshojnë janë:
1. Numri riprodhuesR0( ose numri i personave që një individ i infektuar është në gjendje të infektojë) mund të vazhdojë të rritet, duke bërë që të infektohen më shumë njerëz prej një individi të infektuar. Kjo gjithashtu ka implikime praktike për imunitetin e tufës, i cili bëhet një objektiv jo i afërt.
2. Intervali serial do të reduktohet – me fjalë të tjera, të infektuarit do të jenë në gjendje të infektojnë më herët të tjerët.
3. Vaksinat do të jenë potencialisht më pak efektive ndaj varianteve që i shmangen imunitetit e si rrjedhojë do të kemi shtim të mundshëm të evazionit vaksinor.
Në parim këto janë ndryshime të pritshme, por nuk mund ta dimë ende se cila do të jetë magnituda e këtyre ndryshimeve dhe sa shpejt do t’i shohim efektet e tyre, edhe pse disa prej tyre po fillojnë të shfaqen…
Nga ana tjetër, ekzistojnë prova se ndoshta ky virus është duke ju afruar ‘pikut’ të përshtatshmërisë së tij evolucionare [1], por ende nuk e njohim plotësisht këtë virus për të pasur bindje të forta për këtë gjë.
Grupe kërkimore shkencore në shumë vende, kanë filluar të eksplorojnë skenarët e mundshëm të ndryshimeve afat-gjata që mund të pësojë virusi. Në raportin e Grupit Këshillimor Shkencor të Emergjencave(SAGE) në Mbretërinë e Bashkuar thuhet se do të kemi shumë shpejt një ‘drift antigjenik’ – ndryshim drastik, por që do të vijë prej grumbullimit të mutacioneve të vogla[2]. Nëse kjo gjë ndodh, vaksinat do të bëhen më pak efektive dhe dozat përforcuese për grupe të caktuara në rrezik të lartë do të jenë një mjet thelbësor në luftimin e virusit.
Nëse një dozë përforcuese do të jetë e nevojshme, teknologjia e mARN, ndër të tjera, ofron mundësinë e përshtatjes së shpejtë të antigjenit (në këtë rast të proteinës së ‘gjilpërës’). E gjitha duhet vlerësuar në mënyrë të veçantë, sidomos në rastin hipotetik të shfaqjes së një varianti i cili mund t’i shmanget, edhe më mirë se variantet aktuale, përgjigjes imunitare të krijuar nga vaksinat aktuale.
Më tej, i njëjti raport shkruan se ndryshimetdramatike (’shift antigjenik’), të cilat mund të vijnë si pasojë e ri-kombinimit me koronaviruse të tjera njerëzore, janë një ‘mundësi reale’.
Kjo do të kërkojë një ri-konfigurim edhe më të thellë të vaksinave.
Grupi SAGE ka propozuar si një mundësi reale gjithashtu fenomenin e ‘zoonozës së anasjelltë’, gjë që do të çojë në ndryshime të virusit, të cilat mund ta bëjnë atë më patogjenik (të dëmshëm) për njerëzit dhe të aftë për të shmangur patrullën imunitare të prodhuar nga vaksinat aktuale. Ky skenar në raportin e SAGE, është një skenar ku SARS-CoV-2 infekton kafshët, të ndryshojë dhe të infektojë njerëzit. Këtë fenomen e kemi parë vitin e kaluar me infektimet e minks-ave, familjes feline (të maceve) dhe brejtësve [3].
Po a do të bëhet më vdekjeprurës virusi?
Versionet e virusit që shkaktojnë sëmundje më të rëndë te strehuesi (njeriu) kanë virulencë të lartë dhe janë përgjithësisht të disfavorizuar nga pikëpamja evolucionare [4].
Kjo pasi njeriu do të ketë më shumë gjasa të vdesë apo të izolohet, gjë që i ul ndjeshëm shanset e virusit për t’u përhapur dhe shumuar më tej.
Grupi SAGE (Grupi Këshillimor Shkencor i Emergjencave) në Mbretërinë e Bashkuar mendon se ecuria aktuale ka pak gjasa ta bëjë virusin më pak virulent (vdekjeprurës) në afat-shkurtër, por në terma afat-gjatë vlerëson se kjo është një mundësi reale. Në raportin e tyre thuhet se shtama të reja virulente kanë shumë gjasa të zhvillohen si pasojë e ri-kombinimit (diçka që koronaviruset e tjera e bëjnë) [5].
Përgjigjja e sinqertë e kësaj pyetje është:
- Nuk e dimë nëse virusi do të bëhet më vdekjeprurës me kalimin e kohës.
- Nga ana tjetër, nuk mund të presim që virusi të bëhet më pak virulent në mënyrë të papritur.
A mund të kemi pandemi të ardhshme?
Teoria e evolucionit ka një paralajmërim për pandemitë e së ardhmes! Një mutacion që lejon virusin të fitojë akses ndaj species më të hasur dhe më gjerësisht të shpërndarë gjeografikisht në planetin Tokë (njeriun), ka shumë gjasa që të favorizohet – siç është edhe rasti i një grushti të vogël mutacionesh që bënë një koronavirus të kapërcejë nga lakuriqi te njeriu [6]! Rrjedhimisht, pritshmëritë për pandemitë e ardhshme janë reale dhe pandemia e radhës nuk është larg… Ajo që dimë me siguri është se marrja e masave si maskat, distancimi, higjiena personale, shmangja e ambienteve të mbipopulluara, të mbyllura dhe me ajrosje të pamjaftueshme, do të na mbrojnë gjithnjë!
Për momentin përgatituni për një dimër të vështirë!
Lexo dhe:
Imuniteti nga vaksina apo nga infektimi natyral? Cili është më i mirë?
Ku ndryshon imuniteti i përftuar nga infektimi natyral me atë nga vaksina?
A po e ndryshojnë vaksinat virusin? A do na duhen doza ‘përforcuese’?