Imuniteti nga vaksina apo nga infektimi natyral? Cili është më i mirë?

Analizë e përgatitur nga: Dr.shk. Aldi Pupuleku dhe Dr.shk Erand Llanaj

A është e vertetë që imuniteti nga infektimi natyral është më i fortë dhe më afatgjatë se ai nga i përftuar nga vaksinat?

Kjo pyetje kërkon një analizë shkencore edhe më të gjerë se kjo e paraqitur këtu dhe një panoramë të progresit dhe konsensusit shkencor të deritanishëm. Shkenca nuk bazohet në copëza apo ë një ose dy studime, por në tërësinë e evidencave dhe provave shkencore. Të bazohesh në një copëz, do të thotë të dish një pjesë të së vërtertës, por jo të vëtetën – dhe kjo krijon mundësi serioze për keqinterpretime dhe vendime të gabuara! Një studim i tillë, një copëz, është studimi i Izraelit [1], që është reklamuar gjerësisht dhe shpesh keqinterpretuar. Rezultatet e tij sugjerojnë se:

“Imuniteti nga infektimi natyral është më i fortë dhe i gjatë se ai i vaksinave, të paktën ndaj Deltës.”

Po sa e vërtetë është kjo deklaratë dhe sa cilësor është ky studim? Ky studim edhe pse vërtet ka një numër të konsiderueshëm pacientësh të përfshirë dhe një analizim metodologjikisht inovator, ka disa mangësi themelore që e bëjnë teknikisht të vështirë krahasimin real dhe shpesh të padrejtë ndërmjet të vaksinuarve dhe atyre imun nga infeksioni.

Po paraqesim disa argumente epidemiologjike dhe logjike të cilat e qartësojnë situatën, bazuar në këtë hulumtim dhe në të tjera.

Konkretisht:

1. Çfarë është e nuk është ky studim:

Ky është një studim vëzhgues (observacional), pra jo eksperimental ose ndërhyrës (p.sh. provë klinike e randomizuar) apo studim prospektiv. Të gjitha këto të fundit njihen për nivel shumë herë më të lartë të evidencave shkencore që mund të prodhojnë.

Në drejtimin kohor është një hulumtim retrospektiv (mbrapa-shikues), që do të thotë se të dhënat analizohen duke parë pas në kohë. Kjo bën që grupet të zgjidhen në mënyrë jo rastësore dhe duke u bazuar në të dhënat e disponueshme. Këto lloj studimesh e bëjnë të vështirë ose të pamundur njehsimin e prevalencës ose hasjes së një fenomeni shëndetësor, pasi kjo e fundit zakonisht kërkon përzgjedhje rastësore të kampionit.

2. ‘Bias’ që e shoqërojnë:

Këto studime edhe pse kanë një vlerë të madhe për progresin shkencor, ato vuajnë nga ‘gabime’ ose pasaktësi të shumta, që në epidemiologji dhe shkenca të tjera i quajmë kolektivisht ‘bias-e’ dhe konfondues (ngatërrues).

  • Një bias thelbësor i këtij studimi është fakti që :Testimi ishte tërësisht në dorë të pjesëmarrësve. Kjo bën që krahasimet për shtrime në spital (të cilat u bënë duke krahasuar vetëm 8 individë me 1!!!) mund të ngatërrohen. Për rrjedhojë, ata që kishin kaluar me pak ose aspak simptoma te grupi i ‘imunitetit natyral’ të kenë shumë pak gjasa të përfshihen në studim – duke bërë që të krahasohet një nëngrup i atyre që e kanë kaluar dhe duke shtuar mundësinë që ri-infektimi në këtë grup të nën-raportohet. Kjo e bën krahasimin të brishtë nga ana shkencore. Për më tepër ky bias raportohet dhe nga vetë autorët e studimit në dorëshkrimin e botuar si preprint (=pra që nuk i kaluar filtrat shkencor të peer-review).
  • Ndonëse studimi ka si qëllim krahasimin e ‘imunitetit’ natyral dhe atij të përftuar prej vaksinave, autorët nuk kanë përfshirë asnjë biomarker (shënjues, biotregues) të imunitetit, por përafrime jo të drejtpërdrejta si shtrimet, diagnoza për COVID-19, vdekje dhe shfaqje simptomash. Pra, nuk kemi të bëjmë me një krahasim të ‘imunitetit’ apo komponentëve qelizor e molekular të tij, por me të dhëna retrospektive mbi të dhëna dytësore si shtrime, simptoma dhe diagnoza. Ato janë të dobishme, por mbeten vlerësime përafruese të natyrës dhe cilësisë së imunitetit.
  • Ndonëse në gjitha grupet raportohet të kishte zero vdekje, ky krahasim është i padrejtë. Pse? Sepse në grupin e atyre që e kanë kaluar janë përfshirë vetëm të mbijetuarit e infektimit të parë. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë vetëm me ata që i kanë mbijetuar COVID-19. Pra, ky grup nuk është zgjedhur në mënyrë rastësore dhe për më tepër janë përjashtuar të gjithë ata që kanë vdekur. Kjo konsiderohet si  bias i mbijetesës.
  • Nga ana tjetër, te grupi i vaksinimit janë përfshirë ata të cilët janë vaksinuar dhe që nuk e kishin kaluar më parë COVID-19, dhe asnjë nuk ka vdekur! Pra, në një farë mënyre merren ‘më të mirët’ e një grupi, duke shkaktuar një bias tjetër – atë të përzgjedhjes!

3. Cilët janë kufizimet e ktij studimi?

  • Duke qenë se studimi është kryer gjatë periudhës kur Delta ishte dominant në Izrael, kemi të bëjmë me një krahasim që lë jashtë diskutimit krahasimin për mbrojtjen që ofrohet si nga vaksinat dhe nga ‘kalimi’ për variantet e tjera ose ndaj virusit në përgjithësi. Pra, krahasimi kufizohet vetëm për Deltën, gjë që e bën krahasimin të ketë vlefshmëri të kufizuar.
  • Krahasimi ndërmjet imunitetit natyral dhe ‘kalimit’ bëhet vetëm për vaksinën e Pfizer-BioNTECH, kështu që nuk mund të përgjithësohet për të gjitha vaksinat. Gjithsesi këto rezultate japin një indikacion të përgjithshëm, por mos harroni që mungesa e fakteve nuk është fakt i mungesës!
  • Një faktor që nuk u mor fare parasysh në studim dhe që raportohet dhe nga vetë autorët si kufizim, ishte sjellja e grupeve (p.sh., larja e duarve, distancimi fizik apo vendosja e maskës). Kjo mund të bëjë që në një nga grupet, p.sh. te të vaksinuarit, të kemi ‘shkujdesje’ më të lartë dhe ndoshta ekspozim më të lartë, gjë që mund të ngatërrojë krahasimin.
  • Të mos harrojmë që në këtë hulumtim lihet jashtë diskutimit fakti që rreth gjysma e atyre që i mbijetojnë COVID-19, përjetojnë simptoma jo specifike për thuajse një vit pas ‘kalimit’ – i ashtunjohuri ‘COVID i zgjatur’. Ndërkohë që është provuar se vaksinat mbrojnë nga COVID-19 i zgjatur deri në masën 50% [2] .
  • Një element shumë i rëndësishëm që lihet jashtë diskutimit është gjithashtu rreziku që shoqërohet me infeksionin natyral në lidhje me trombozat venoze. Tashmë është konfirmuar se sëmundja e COVID-19 shkakton deri në 10 herë më shumë tromboza krahasuar me vaksinat [3]. Gjithashtu, në studimin më të madh për COVID-19 të llojit të vetë deri sot, është provuar se në krahasim me vaksinat me adenovirus të dobësuar dhe ato me ARN mesazhere: Sëmundja e COVID-19 shkakton 2 deri në 8 herë më shumë infarkte, trombocitopeni, trombozë arterialetromboza cerebrale dhe ngjarje të tjera trombotike [4].
  • Një kufizim që u raportua edhe nga vetë autorët është fakti se grupi i të vaksinuarve kishte një profil shëndetësor më pak të favorshëm krahasuar me grupin që e kaloi. Kjo është e logjikshme pasi grupet që u prioritizuan të vaksinoheshin në fillim ishin ato më të brishta nga ana shëndetësore (p.sh. pacientë me kancer, me sëmundje kronike të veshkave, sëmundje serioze të zemrës, në moshë madhore, etj.). Në fakt, autorët janë përpjekur që të ‘kontrollojnë’ (=axhustojnë) për këtë aspekt, por përsëri mund të kemi të bëjmë me atë që quhet ‘konfondim prej indikimit’ – që ndodh kur një veçori e pacientëve (profili shëndetësor) është faktor rreziku për një sëmundje te të pa ekspozuarit (ata të cilët vaksinohen) dhe lidhet me ekspozimin e interesit (COVID-19), por duke mos qenë një hap i ndërmjetëm ndërmjet ekspozimit dhe pasojës. Edhe pse ka pak gjasa që ky faktor konfondues të ketë ndikuar në analizë, roli i tij duhet konsideruar. Autorët e kanë përmendur me transparencë këtë aspekt.

Ky studim është një shërbim shumë i vyer për botën shkencore, por tani nevojiten skicime dhe studime të tjera të cilat do të duhet t’i refuzojnë apo mbështesin konkluzionet e tij. Deri atëherë kjo do të mbetet hipotezë dhe përgjigjja më e sinqertë për pyetjen ‘Kush është më i mirë: imuniteti nga vaksina apo infektimi natyral?’ është se:

Nuk e dimë ende me saktësi, por indikacionet janë se imuniteti i përftuar prej vaksinimit është më efektiv dhe cilësor [5]! Nga ana tjetër, ajo që dimë me siguri është se të dyja ofrojnë mbrojtje, por për të arritur mbrojtje nëpërmjet infektimit natyral ka rreziqe shumë të mëdha, ndërkohë që përmes vaksinimit kjo mbrojtje është më efektive dhe më e sigurtë [6].

Po studime të tjera çfarë thonë?

Një tjetër hulumtim me një numër të madh pjesëmarrësish dhe skicim rastësor epidemiologjik, tregoi se personat e vaksinuar me vaksinë mARN (Pfizer-BIONTECH) ose me adenovirus (Astra-Zeneca) kishin një profil imunitar më të mirë dhe të favorshëm ndaj varianteve Delta dhe Alfa [7]. Përveç kësaj, ky studim konstatoi një rënie modeste të efikasitetit, por jo klinikisht të kuptimtë dhe ngarkesa virale maksimale ishte e ngjashme te të vaksinuarit dhe të pavaksinuarit. Më tej, një tjetër hulumtim në pacientët me sëmundje autoimune reumatoide konfirmoi imunologjikisht se ata të cilët nuk e kishin kaluar por ishin të vaksinuar dhe ata që e kishin kaluar por ishin të vaksinuar, kishin profil më të favorshëm dhe më të mirë se ata që thjesht e kishin kaluar [8]. Madje ata që e kishin kaluar dhe ishin vaksinuar kishin nivelin më të lartë të imunitetit. Kujtojmë këtu se niveli biologjik i antitrupave që indikon mbrojtjen nga virusi, nuk dihet, por niveli teknik është përmbushur me sukses nga thuajse të gjitha vaksinat, kundrejt varianteve.

Si të veprojmë?

Konsesusi shkencor i deritanishëm është që:

Imuniteti natyral të konsiderohet si ‘vaksinim me një dozë’,

Të inkurajohet të bëhet të paktën një dozë e çfarëdolloj vaksine pasi e ke kaluar.

Në përfundim, mund të themi se vaksinat mbeten efektive, edhe pse me efektivitet lehtësishttë reduktuar. Madje edhe në studimin e Izraelit u pa që në rast ri-infektimi asnjë prej individëve të vaksinuar në këtë studim nuk humbi jetën dhe ata të cilit e kishin kaluar dhe morën një dozë kishin mbrojte maksimale! Kjo vërtetohet edhe nga studime të mëparshme ku është parë se ata që e kanë kaluar dhe janë të pa vaksinuar kanë dy herë më shumë gjasa të ri-infektohen, në krahasim me ata që e kishin kaluar dhe vaksinuar, por dhe me ata që nuk e kishin kaluar por ishin vaksinuar [9]. Hulumtimet shkencore vazhdojnë dhe duhet të jemi të përgatitur të ndryshojmë mendjen nëse prova të reja dhe cilësore shkencore provojnë diçka ndryshe nga ajo që ne besojmë apo mendojmë se e dimë me siguri. Ky është një ‘përbërës’ thelbësor i ‘recetës’ për ‘rritje intelektuale’ dhe krijimin e një ‘imuniteti mendor’ në shoqërinë tonë, veçanërisht ndajinfeksioneve infodemike!

Lexo edhe:

Ku ndryshon imuniteti i përftuar nga infektimi natyral me atë nga vaksina