Ku ndryshon imuniteti i përftuar nga infektimi natyral me atë nga vaksina?

Analizë e përgatitur nga: Dr.shk. Aldi Pupuleku dhe Dr.shk Erand Llanaj

Sistemi imunitar është një rrjet i ndërlikuar fiziologjik ku përfshihen organe, qeliza dhe molekula të shumta, të cilat ndërveprojnë duke orkestruar një mbrojtje optimale ndaj sulmeve të patogjenëve të jashtëm (p.sh. baktere, viruse, etj.). Kur flasim për përgjigjen imunitare të gjeneruar ndaj një infeksioni të caktuar, qoftë viral ose bakterial, duhet të kemi parasysh që nuk është universale dhe/ose e njëjtë për çdo patogjen, pavarësisht disa mekanizmave universal të sistemit imun. Gjithashtu, sa më shumë ekspozohemi apo stimulohemi ndaj një agjenti sëmundjeshkaktues të caktuar, aq më i fortë dhe cilësor bëhet imuniteti ynë specifik ndaj këtij të fundit.

Lloji, jetëgjatësia dhe cilësia e imunitetit të krijuar pas infektimit natyral ndaj koronavirusit ndryshon nga personi në person dhe varet, ndërmjet të tjerash, prej ashpërsisë së sëmundjes që ky i fundit mund të provokojë.

Tashmë është konfirmuar se:

– Individët që e kalojnë me pak ose aspak simptoma kanë prirje të kenë një nivel antitrupash shumë herë më të ulët se ata që e kalojnë me simptoma të moderuara  ose rëndë, normalisht nëse i mbijetojnë virusit [1][2][ 3][4] [5].

– Infektimi natyral zhvillon një përgjigje imune të gjerë [6], pasi kemi të bëjmë me një infeksion aktiv, por cilësia e përgjigjes imune dhe lloji i imunitetit të krijuar do të varet nga faktorë të shumtë si : p.sh.

  • Doza dhe ngarkesa virale,
  • Lloji i ekspozimit,
  • Gjendja shëndetësore e personit, etj.

Nga ana tjetër, vaksinat, janë njër ndër mjetet parandaluese për sëmundjet infektive. Ato zhvillohen në një kontekst të ‘standartizuar’ dhe të kontrolluar për sa i përket dozës së antigjenit që administrohet, gjë e cila konfirmohet nga

studime rigoroze klinike. Kështu që, për shumicën e individëve të vaksinuar, ne mund të jemi mjaftueshëm të sigurtë dhe të dimë se çfarë lloji dhe cilësie e përgjigjes imunitare do të shkaktohet, por mund të kemi dhe përjashtime

shumë të rralla. Gjithashtu, strategjia që ndiqet për zhvillimin e vaksinave influencon përgjigjen imunitare, në varësi të llojit të antigjenit që përdoret për të stimuluar sistemin imunitar si (p.sh. për disa nga vaksinat aktuale antigjeni specifik është proteina e ‘gjilpërës’, për disa është virusi i çaktivizuar ose një proteinë e tij, etj.) [7]. Gjithasthu vaksinimi shkurton kohën e përhapjes së
virusit, minimizon kohëzgjatjen e simptomave (nëse shfaqen) dhe kufizon shpërndarjen e virusit nëpër inde – gjë që shmang dëmtimin e organeve të tjera (veç mushkërive) [8]. Këto nuk i shohim në rastin e infektimit natyral, pasi gjithçka është e pakontrollluar gjatë infeksionit aktiv.

Shkurtimisht, këto përbëjnë disa prej diferencave më madhore ndërmjet imunitetit që fitohet prej vaksinës dhe atij që përftohet prej infeksionit aktiv. Studime të shumta, të botuara së fundmi, tregojnë gjithashtu se ata të cilët e kanë kaluar infeksionin dhe janë vaksinuar, kanë nivel shumë të lartë mbrojtjeje ndaj SARS-CoV-2 [9].

Madje vaksinat kanë bërë që një 70 vjeçar i vaksinuar tashmë të ketë përafërsisht të njëjtin rrezik për të vdekur në krahasim me një 45 vjeçar jo të vaksinuar [shih raportetkëtu dhe figurën më poshtë].

Lexo edhe:

Imuniteti nga vaksina apo nga infektimi natyral