Çfarë është metanoli?

metanoli

Metanoli (MeOH) ndryshe i njohur si ’alkooli metilik’ ose ’alkooli i drurit’ i përshkruar për herë të parë në 1661 nga Robert Boyle (1), është alkooli më i thjeshtë ndër alkoolet që ne njohim. Mund të çlirohet në ambient gjatë përdorimit të tij prej industrisë dhe në mënyrë natyrale prej gazeve vullkanikë, bimëve të ndryshme, apo edhe mikrobeve. Ekspozimi ndaj tij mund të na ndodhë prej ajrit ose gjatë përdorimit të tretësve (solventëve) të ndryshëm. Ekspozimi afatshkurtër (akut) ose afatgjatë (kronik) që ndodh nëpërmjet nuhatjes ose gëlltitjes mund të rezultojë në probleme me shikimin, dhimbje  koke, marramendje, të vjella etj. Kërkesat globale për përdorimin e tij arrijnë në 50 miliardë kg për vit (2).

Ku përdoret Metanoli?

  • Kryesisht përdoret prej industrisë si tretës i bojrave, recinës, ngjitësve dhe substancave të ngjyrosura. Përdoret gjithashtu si tretës në përpunimin e kolesterolit, streptomicinës, vitaminave, hormoneve dhe produkteve të tjera farmaceutike.
  • MeOH përdoret si kundrangrirës/shkrirës (antifreeze) për ngrohësit automobilistikë, si përbërës i gazolinës (me funksion agjent shkrirës), dhe si lëndë djegëse gjatë përdorimit të sobave/pjekëseve për piknik. Gjithashtu është një element përbërës i heqësve të bojës dhe llakut.
  •  MeOH përdoret si një lëndë djegëse alternative (2, 3).

Burimet e ndryshme të ekspozimit

  • Ekspozimi në vendin e punës nëpërmjet frymëmarrjes dhe ekspozimit të lëkurës është një formë shumë e përhapur.
  • Individët mund të ekspozohen nëpërmjet ajrit kur avullimi i metanolit ndodh përgjatë përdorimit të tij si tretës, nëpërmjet konsumit të ushqimeve të ndryshme etj. Për këtë të fundit do të shkruajmë edhe të tjerë artikuj në vazhdimësi për të krijuar një kuptueshmëri edhe më të gjerë për këtë lloj alkooli.

Karakteristikat fizike të Metanolit

  • Formula kimike: CH3OH
  • Pesha molekulare: 32.04 g/mol
  • I djegshëm, pa ngjyrë dhe mund të tretet në ujë
  • Ka erë të lehtë alkooli kur është ultra i pastër dhe një erë mbytëse kur është i papastër. Zakonisht është e vështirë që MeOH të dallohet me nuhatje në ajër nëse është në një përqëndrim më të vogël se 2,000 pjesë për milion (ppm) (2,622 mg/m3).

Kliko për të parë posterin e plotë

Referenca

  1. Boyle R.The Sceptical Chymist; or, Chymico-physical Doubts & Paradoxes, Touching theSpagyrist’s Principles Commonly Call’d Hypostatical, as They Are Wont to Be Propos’d and Defended by the Generality of Alchymists. Whereunto Is Praemis’d Part of Another Dis-course Relating to the Same Subject. London: F. Cadwell for F. Crooke, 1661.
  2. Kruse, James A. “Methanol and ethylene glycol intoxication.” Critical care clinics 28.4 (2012): 661-711.
  3. Environmental Protection Agency, Methanol, https://www.epa.gov/sites/default/files/2016-09/documents/methanol.pdf