Lodhje dhe nxehtë: Çfarë të bëjmë?

lodhje dhe nxehte

Stina e verës, aq e pëlqyer, shoqërohet shpesh me temperatura të larta, zagushi e lodhje fizike. Temperatura e trupit tonë rritet si nga faktorë të jashtëm ( kur është nxehtë) dhe nga vetë metabolizmi ynë. Megjithatë trupi ka mekanizma vetërregullues të temperaturës (termorregullimi) së brendshmë duke e ruajtur atë në vlera të qendrueshmë 36-37oC, në mënyrë që të gjithë mekanizmat fiziologjik thelbësorë për jetën të kryhen në mënyrën e duhur.

Ruajtja e temperaturës së brendshme kryhet përmës zgjerimit të enëve të gjakut apo djersitjes, duke eliminuar nxehtësinë e tepërt. Zgjerimi i enëve të gjakut sjell rënie të presionit të gjakut duke na bërë të ndihemi më të lodhur e të kemi dhe fryerje të këmbëve.

Nga ana tjetër dhe djersitja shërben për të ulur temperaturën. Djersa përbëhet nga ujë ( 99%), kripëra minerale dhe lëndë të tjera organike. Nëse nuk zevendësohet sasia e ujit që humbasim përmes djersitjes atëherë mund të kalojmë në dehidrim, i cili sjell lodhje muskulore, vështirësi në përqëndrim, duke sjellë dhe rënie të mëtejshme të presionit të gjakut.

Kur bën shumë nxehtë dhe ka shumë lagështirë në ajër, mekanizmat e mësipërm mund të mos jenë të mjaftueshëm për të mbajtur konstante temperaturën e trupit.

Çfarë të bëjmë?

1. Qëndroni të freskët:

  • Vishni rroba të gjëra, me ngjyrë të hapur, prej pambuku.
  • Qëndroni në ambiente me ajër të kondicionuar sa më shumë të jetë e mundur. Nëse nuk keni mundësi, bëni dush me ujë të vakët sa më shpesh.
  • Kufizoni, kur është e mundur, daljet në oraret kur bën shumë nxehtë gjatë ditës.
  • Përdorni krem dielli, pasi dhe djegiet nga dielli kufizojnë aftësinë e trupit për të përballuar temperaturat e larta.
  • Shmangni konsumin e ushqimeve të rënda e të nxehta.

2. Hidratohuni

  • Konsumoni ujë dhe atëherë kur nuk keni etje.
  • Shmangni konsumin e pijeve me sheqer  apo pijeve alkolike, pasi ato mund të sjellin humbje të mëtejshme të lëngjeve nga trupi.
  • Zëvendësoni kripërat minerale që humbisni përmës djersitjes duke konsumuar pije të freskëta e duke ngrënë ushqime me përmbajtje të lartë uji (Kliko)

3. Informohuni

  • Qëndroni të informuar mbi parashikimin e motit, në mënyrë që të merrni masa paraprake parandaluese.
  • Tregoni kujdes të veçantë për individët më të rrezikuar si:

– fëmijët deri në 4 vjeç,

– të rriturit ≥ 65 vjeç,

– Individët që janë mbipeshë

– të sëmurët kronikë

Referenca:

Gauer R, Meyers BK. Heat-Related Illnesses. Am Fam Physician. 2019 Apr 15;99(8):482-489. PMID: 30990296.

Leyk D, Hoitz J, Becker C, Glitz KJ, Nestler K, Piekarski C. Health Risks and Interventions in Exertional Heat Stress. Dtsch Arztebl Int. 2019 Aug 5;116(31-32):537-544. doi: 10.3238/arztebl.2019.0537. PMID: 31554541; PMCID: PMC6783627.

www.cdc.gov