T’i lëmë fëmijët të shohin, të prekin, të shijojnë dhe t’i ndjejnë gjërat

“Nëse besojmë se lodrat e shtrenjta duhet ta bëjnë një fëmijë të lumtur, jemi totalisht në rrugë të gabuar. Me fat është ai fëmijë që është lënë të përpiqet që t’i bëjë gjërat vetë, të improvizojë me lodrat dhe të përdorë zotësinë e tij.” Maria Montessori

Ne, si qenie njerëzore, i marrim eksperiencat nga kjo botë përmes pesë shqisave. Dr. Montessori besonte se eksperiencat shqisore/sensoriale fillojnë që në lindje.

Përmes shqisave fëmija mëson, studion dhe fillon të kuptojë ambientin ku jeton.

0-6 vjeç janë vitet më të rëndësishme për zhvillimin e trurit dhe krijimin e personalitetit të njeriut. Duhet t’i lëmë fëmijët të shohin, të prekin, të shijojnë dhe t’i ndjejnë gjërat. Shumë
njerëz mund të thonë që bebet nuk kanë nevojë për lodra apo për lojë.

Është totalisht e kundërta dhe ka shumë aktivitete për bebet që mund të realizohen në kushte shtëpie, me qëllim që t’i mbajmë të zënë në mënyrë efektive, të argëtohen dhe të nxënë.

E gjitha kjo realizohet përmes lojës.

Të shohim se çfarë mund të realizojmë në kushte shtëpie, pa shpenzuar shumë.

0-3 muajsh lodrat janë shumë të pakta, mund të themi që raketaket mjaftojnë. Por mund të realizojmë një aktivitet për bebin. Gjithmonë nën vëzhgim, mund të vendosni pranë fëmijës një shami prej pambuku, leshi, mëndafshi etj. Me lëvizjet e tij instiktive fëmija do arrijë ta prekë dhe ta kapë. Lëreni fëmijën ta ndjejë kontaktin, sepse po krijon eksperiencat e veta.

Pas 3-mujorit të parë fëmija ka filluar të forcojë trupin dhe ‘tummy time’ duhet të jetë pjesë e rutinës së tij të përditshme. Me një rreth të madh ‘Hula Hoop’ mund të realizoni një objekt tërheqës për fëmijën, duke e bërë qëndrimin në bark shumë argëtues dhe duke stimuluar lëvizjen e gjymtyrëve. Mund ta realizoni shumë lehtë duke lidhur në rreth copa me ngjyra dhe materiale të ndryshme.

Fëmija mëson marrëdhënien shkak-pasojë me ndihmën e një zileje të lidhur me një fill apo një spango e të varur në drejtim të fëmijës, në një distancë sfiduese për të, të cilën nuk mund ta kapë por arrin ta prekë mjaftueshëm sa për ta goditur dhe për të dëgjuar tingullin e saj.

Librat me ‘Prek dhe Ndjej’ janë pjesë shumë e rëndësishme e aktivitetit të përditshëm të fëmijës. Seritë në gjuhën shqipe janë në formate të vogla dhe me materiale reale. Drejtojeni dorën e fëmijës në pjesën që është për t’u prekur, flisni me të dhe tregojini për ndjesitë që po ndjen. Këndoni sa më shumë këngë dhe lexoni sa më shumë libra. Fëmija përballet me gjuhën që në lindje, madje studimet tregojnë se, që në barkun e nënës, fetusi dëgjon dhe reagon ndaj tingujve.

Shporta e ndjesive është një tjetër aktivitet që mund ta realizoni për fëmijën tuaj pas moshës
6 muajshe me objekte që i keni në shtëpi. Sigurohunin që objektet e zgjedhura të mos dëmtojnë fëmijën. Të mos jenë të mprehta apo të vogla, sepse fëmija mund t’i gëlltisë.

Ju mund ta ndryshoni përmbajtje e shportës kur vini re që fëmija juaj nuk shfaq më interes për të.

Shishet e ndjesive. Mund t’i mbushni disa shishe me objekte që bëjnë zhurmë dhe kanë ngjyra të ndryshme, si p.sh. misër, fasule, gurë. Ose mund të mbushni shishet me ujë të ngjyrosur. E keni ju në dorë.

Mos harroni lojrat me ujë. Fëmijët e duan shumë ujin. Një tas i madh me ujë dhe objekte që pluskojnë në të është thjesht e përkryer për të vegjlit që kanë dëshirë të bëjnë rrëmujë.

Lërini fëmijët të bëhen pis me ushqim, të provojnë dhe të shijojnë çdo gjë. Kështu do të mësojnë të ushqehen vetë dhe të bëhen të pavarur.

Dhe mos harroni të dilni në natyrë, lërini të zvarriten në bar, të thithin ajrin e pastër dhe të jetojnë shëndetshëm.