Mikrobioma dhe Barnat. Rruga e gjatë drejt kuptimit dhe përkthimit në terma më praktikë

Me gjithë progresin e madh të hulumtimeve për mikrobiomën, ka ende shumë pyetje të cilat nuk e kanë marrë ende një përgjigje përfundimtare në lidhje me speciet mikrobiale dhe trajtimet terapeutike specifike që mund të ndihmojnë dhe nëpërmjet cilëve mekanizma. Ndoshta është herët për të folur për ndërhyrje që manipulojnë mikrobiomën tek pacientët me kancer, pasi ekzistojnë shumë paqartësi, por fokusi aktual mbetet tek speciet specifike që kanë funksionin më të qartë dhe më efektiv. Për momentin është pak e rrezikshme të shkohet në prova klinike eksperimentale tek njerëzit, pasi siç është vënë re edhe për fusha të tjera, në momentin që provat eksperimentale nxjerrin qoftë edhe një rezultat negativ, e gjithë fusha shkencore detyrohet të bëj hapa të panevojshëm pas! Ajo që mund të bëjmë për momentin është të përqendrohemi tek efektet që mikrobioma mund të ketë mbi farmakodinamikën e barnave specifike, për të kuptuar më mirë veprimtarinë e tyre fiziologjike.

Efektet mikrobiale të njohura mbi metabolizmin e barnave: ku jemi?

Flora normale intestinale ndihmon në prodhimin e enzimave të caktuara dhe molekulave të ndryshme të cilat mund të ndikojnë në mënyrën se si barnat aktivizohen ose metabolizohen. Një shembull tipik na vjen nga hulumtime të barit levodopa (shkurt L-dopa), për të cilin studimet kanë demonstruar se ndërveprimet e tij me mikrobiomën intestinale ndihmojnë në
shpjegimin e diferencave në efikasitetin që ky bar ka në individ të ndryshëm.

Në një studim të publikuar në Janar të këtij viti [11], u gjet se si disa specie bakteresh intestinale prodhojnë një enzimë të quajtur tirozinë dekarboksilazë, e cila konverton L-dopadopaminë gjatë kohës që bari është duke kaluar në zorrën e hollë dhe përpara se të mbërrijë në tru nëpërmjet qarkullimit të gjakut. Kur studiuesit testuan mostra fekalesh tek pacientët me Parkinson, ata zbuluan se prania në sasi të bollshme i një gjeni bakterial të tirozinë dekarboksilazës korrespondonte me nevojën për dozë më të madhe të L-dopa, për të vënë nën kontroll simptomat. Një ekip tjetër kërkimor po këtë vit [12], identifikoi një molekulë të vogël inhibuese, e cila me sa duket bllokon veprimin e enzimës tek kavjet. Kur kalon barrierën gjak-tru L-dopa konvertohet në dopaminë prej enzimave të vetë neuroneve për të trajtuar simptomat e sëmundjes së Parkinsonit. Pjesa më interesante është se nuk ekziston një proteinë transportuese për dopaminën (të paktën deri tani nuk kemi ndonjë të tillë të identifikuar!), dhe ajo nuk mund të përshkoi barrierën gjak-tru e vetme, kështu që L-dopa e konvertuar në dopaminë para kohe në zorrë, nuk mund të mbërrij në tru dhe të përdoret aty (shih figurën më poshtë)!


Ndërveprime imunitare të demonstruara

Përveç prodhimit të drejtpërdrejtë të produkteve që mund të veprojnë mbi metabolizimin e barnave, flora normale mikrobiale mund të afektojë veprimin e një bari edhe përmes sistemit imunitar, gjë që është tepër e rëndësishme për reagimin e pacientëve ndaj imunoterapisë. Edhe pse për momentin ne dimë shumë pak për mekanizmat nëpërmjet të cilëve specie të caktuara bakteriale përmirësojnë dukshëm shanset e pacientëve për të pasur sukses në trajtimet e ndryshme imuno-moduluese, ekzistojnë evidenca të mjaftueshme për të kuptuar rolin shkakësor nga studime të cilat krahasojnë reagimin e kavjeve me tumor me mikrobiomë normale dhe kavjeve të cilat iu është shteruar flora normale si pasojë e përdorimit të antibiotikëve. Në një studim [1], flora normale intestinale stimulonte qelizat imune në kavje, që të prodhonin faktorin e nekrozës tumorale (TNF) kur këto kafshë u trajtuan me imunoterapi specifike, e cila përdor copëza të vogla ADN-je të cilat stimulojnë sistemin imunitar që të sulmojnë dhe shkatërrojnë qelizat kanceroze. TNF-ja si përgjigje shkaktoi nekrozë tumorale (=vdekje të tumorit). Në një studim tjetër, të cilin e elaboruam pak më sipër [9], kur kavjet u trajtuan me qeliza T CD8+ imunitare të marra nga kavje të tjera, flora intestinale filloi të promovojë maturimin e qelizave dendritike nëpërmjet receptorit transmembranor TLR4. Qeliza dendritike e maturuar tashmë, në këmbim aktivizoi qelizat T CD8+, duke i induktuar ato të sulmojnë qelizat tumorale (figura më poshtë).

Me gjithë këto njohuri të reja dhe studime shihet se efektet e mikrobiomës mbi metabolizimin e barnave ekziston një potencial për të transformuar praktikën terapeutike dhe parandaluese duke integruar një përqasje që integron fusha dhe informacione të ndryshme për një parandalim dhe trajtim të personalizuar dhe efektiv. E ardhmja duket shumë e ndryshme nëse e shikojmë nga perspektiva aktuale që ndodhet shkenca e mikrobiomës, nutricionit dhe nutrigjenomikës, por premtuese…