Integratorët bimorë që ndërveprojnë me barnat

Integratore barna

Integratorët bimorë përmbajnë botanicals. Me termin botanicals kuptohet çdo lëndë apo preparat bimor që përftohet nga një bimë, algë, kërpudhë apo liken (1) me anë të teknikave të përpunimit, si: ekstraktimi, distilimi, copëtimi, shtrydhja, purifikimi, fermentimi etj. Roli i tyre ushqimor dhe fiziologjik plotëson dietën e zakonshme dhe ndihmon në përmirësimin e shëndetit, për rrjedhojë, në cilësinë e jetës.

Vitet e fundit në shkallë botërore ka një rritje të konsiderueshme të përdorimit nga popullsia të mjekësisë komplementare dhe alternative (CAM, complementary and alternative medicine), ku përfshihen edhe integratorët me origjinë bimore. Cilësia dhe siguria e përdorimit të tyre në Europë garantohen nga Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA, European Food Safety Authority). Është pikërisht ky autoritet që kujdeset për rrezikun e kontaminimeve mikrobiologjike/kimike dhe për sigurinë e sasisë së lëndës bioaktive apo fitokompleksit që përmban integratori.

Para së gjithash është e rëndësishme të kuptojmë se natyrale nuk do të thotë e sigurtë. Edhe integratorët bimorë mund të kenë efekte anësore, ashtu sikurse mund të ndërveprojnë me barnat konvencionale, duke ulur efikasitetin e këtyre të fundit apo duke rritur efektet anësore të tyre. Më poshtë paraqesim dy shembuj:

  • Orizi i kuq i fermentuar (Oryza sativa i fermentuar me Monascus purpureus) përbën një alternative në kontrollin e hiperkolesterolemisë kohët e fundit. Falë përmbajtjes me monakolin K, një statinë natyrale produkt i fermentimit, mund të ushtrojë efekte farmako-toksikologjike të ngjashme  me ato të statinave të sintetizuara, në veçanti të lovastatinës, me të cilën ka një strukturë kimike të ngjashme. Si rrjedhojë, mekanizmi i veprimit farmakologjik është i njëjtë, bllokimi i sintezës së kolesterolit nëpërmjet frenimit të enzimës 3-hidroksimetilglutaril koenzima A (HMG-CoA) reduktaza. Nga ana tjetër mund të japë efekte anësore si dhimbje muskulare, lodhje, hepatit akut, rabdomiolizë (2). Për këtë qëllim EFSA ka vendosur një limit prej 10 mg të dozës maksimale ditore të monakolinës K që duhet të përmbajnë integratorët me oriz të kuq të fermentuar me qëllim ruajtjen e sigurisë të përdorimit te popullsia (3).
  • Ginkgo biloba është një tjetër bimë mjaft e përdorur në formë integratori. Gjethja e saj është e pasur me flavonoide (si kempferol, kuercetine, etj.), acide organike, terpenoide si ginkgolide  A,B, C, J, M, etj. Këto përbërës kanë treguar, në studime preklinike dhe klinike, efekte antinflamatore dhe antioksidante në sistemin nervor qendror, në atë pulmonar dhe kardiovaskular. Nga ana tjetër antagonizmi i ekstraktit të Ginkgo-s mbi faktorin aktivizues të trombociteve ka dhëne episode hemoragjike serioze, sidomos kur integratori ka shoqëruar terapitë antikoagulante (4). Për rrjedhojë, nuk rekomandohet përdorimi i integratorëve me ekstrakte te G. biloba gjatë këtyre terapive, përpara ndërhyrjeve kirurgjikale, gjatë shtatzanisë dhe veçanerisht afër periudhës së lindjes dhe gjatë gjidhënies. Ndërveprimet farmakologjike të Ginkgo biloba lidhen me faktin se, ne disa raste, ka treguar të jetë induktor në doza të ulëta, ose frenues në doza të larta i disa izoformave enzimatike të citokromit P450 (CYP450) (5). Kjo do të thotë se mund të reduktojë sasinë (përqendrimin plazmatik) e barnave konvencionale si omeprazolitolbutamide (4), duke ulur efikasitetin e tyre, por edhe mund të rrisë përqendrimin e barnave qe kanë indeks te ulët terapeutik duke fuqizuar efektet anesore që ata kanë.

Qytetarët duhet të kërkojnë gjithmonë këshillën e specialistit të shëndetësisë, në mënyrë që të sigurohen se po përdorin produkte që janë të sigurta për ta.

Bibliografi

1. https://www.efsa.europa.eu/en/topics/topic/botanicals

2. Mazzanti G , Moro PA, Raschi E, Da Cas R, Menniti-Ippolito F. Adverse reactions to dietary supplements containing red yeast rice: assessment of cases from the Italian surveillance system. Br J Clin Pharmacol. 2017. 83(4):894-908.

3. EFSA Panel on Food Additives and Nutrient Sources added to Food (ANS). Scientific opinion on the safety of monacolins in red yeast rice. EFSA Journal. 2018.

4. Shaito A, Thuan DTB, Phu HT, Nguyen THD, Hasan H, Halabi S, Abdelhady S, Nasrallah GK, Eid AH, Pintus G. Herbal Medicine for Cardiovascular Diseases: Efficacy, Mechanisms, and Safety. Front Pharmacol. 2020; 11:422.

5. Wanwimolruk S, Prachayasittikul V. Cytochrome P450 enzyme mediated herbal drug interactions (Part 1). EXCLI J. 2014. 13:347-91.