Pasiguria ushqimore është mungesa e aksesit në ushqim të sigurtë, ushqyes dhe të mjaftueshëm. Ajo përbën një çështje shqetësuese të shëndetit publik, si në vendet në zhvillim dhe në ato të zhvilluara (1). Sipas Organizatës së Ushqimit dhe Agrikulturës (FAO) të Kombeve të Bashkuara, pasiguria ushqimore është në rritje që nga viti 2014 (2), ndërkohë që raportohet se në vitin 2019, 2 miliard njerëz në botë nuk kishin rregullisht akses në ushqim të sigurtë, ushqyes dhe të mjaftueshëm. Nga këta, 750 milion – ose gati një në dhjetë njerëz në botë – ishin të ekspozuar ndaj niveleve të larta të pasigurisë ushqimore (3).
Gjendja paraqitet akoma më shqetësuese vitin e fundit, kur pandemia COVID-19 përkeqësoi situatën dhe projektimet e World Food Program tregojnë një rritje të numrit të njerëzve në pasiguri ushqimore për vitin 2020. Kjo ka ardhur si pasojë e efekteve të pandemisë në ekonomi dhe ndërprerjeve që ajo ka shkaktuar në zinxhirët e furnizimit (4). Një vlerësim paraprak i FAO-s sugjeron se pandemia mund të këtë shtuar midis 83 dhe 132 milion njerëz në numrin e përgjithshëm të të paushqyerve në botë për vitin 2020 (3).
Situata është më problematike te fëmijët, të cilët, nëse preken nga pasiguria ushqimore, mund të jenë në rrezik për efekte negative shëndetësore në të tashmen dhe të ardhmen, pasi mund të ketë pasoja afatgjata në organizmin e tyre në zhvillim (5). Siguria ushqimore arrihet kur të gjithë njerëzit, në çdo kohë, kanë akses fizik dhe ekonomik në ushqim të sigurt, të ushqyeshëm dhe të mjaftueshëm, për të përmbushur nevojat e tyre dietike dhe preferencat ushqimore për një jetë aktive dhe të shëndetshme (6).
Çështja e sigurisë ushqimore ështe studiuar më shumë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që ka një mungesë studimesh në Evropë, edhe përsa i përket një popullate kaq vulnerabël siç janë fëmijët. Duke u nisur nga kjo, në Itali zhvilluam një studim me qëllim vlerësimin e:
- prevalencës së pasigurisë ushqimore në një kampion të fëmijëve italianë,
- faktorëve socio-ekonomikë të lidhur me pasigurinë ushqimore
- një lidhje të mundshme midis pasigurisë ushqimore te fëmijët dhe gjendjes shëndetësore të tyre (7).
Studimi u zhvillua nga Janari 2017 deri në Dhjetor 2018 në gjashtë rajone të Italisë. Mblodhëm informacione mbi faktorët socio-ekonomik, nga prindërit e fëmijëve, dhe të dhëna mbi indikatorët e shëndetit, nga mjekët pediatër që ndiqnin këta fëmijë.
Ndër 573 fëmijë që u përfshinë në studim, u pa se 14.5% e tyre jetonin në një familje që ndodhej në pasiguri ushqimore, por duke qenë se prindërit priren t’i mbrojnë fëmijët, duke u siguruar fillimisht atyre ushqim në sasi e cilësi të përshtatshme, vetëm 9.1% e fëmijëve po përjetonin pasiguri ushqimore.
Analiza tregoi se fëmijët që jetonin në familje nga jugu i Italisë, me tre ose më shumë fëmijë, me më pak se 20,000 € / vit të ardhura dhe që kishin ndjerë një përkeqësim ekonomik gjatë 10 viteve të fundit, kishin probabilitet më të lartë për të përjetuar pasiguri ushqimore. Ndërkohë fëmijët me prindër 30–49 vjeçar kishin shanse më të ulëta të përjetonin pasiguri ushqimore.
Fëmijët që jetonin në familje me pasiguri ushqimore:
- Sipas raportimeve të prindërve, kishin shanse më të larta për t’u sëmurur më shpesh, për të pasur një shëndet jo të mirë dhe një përkeqësim të shëndetit që nga lindja, krahasuar me moshatarët e tyre që jetonin në familje me siguri të lartë ushqimore.
- Bazuar në kartelat klinike të mjekëve pediatër, ata kishin më pak shanse për një zhvillim normal të sjelljes dhe më shumë shanse të përjetonin vështirësi në shkollë. Gjithashtu më pak mundësi të kryenin aktivitet fizik apo dhe të kishin një ekzaminim fizik normal. Nuk u gjet një lidhje statistikisht domethënëse mes pranisë së kariesit apo anomalive në kafshim, dëmtimeve të shikimit, dëgjimit, zhvillimit psikomotor dhe pasigurisë ushqimore.
- Kishin një indeks të peshës trupore (BMI) më të lartë ( më të shëndoshë) në krahasim me moshatarët e tyre në siguri ushqimore.
- Shoqërohen me një sërë efektesh negative shëndetësore, krejtësisht të shmangshme duke siguruar një gjendje sigurie ushqimore.
Duke marrë parasysh rezultatet e këtij studimi dhe mungesës së studimeve rreth kësaj teme në Europë, studime të mëvonshme mund të adresojnë problematikën e pasigurisë ushqimore, faktorët socio-ekonomik që ndikojnë në të dhe efektet e saj në shëndet. Pasiguria ushqimore përbën një kërcënim për të tashmen dhe të ardhmen dhe përpjekjeve për të zgjeruar investimet në mbrojtjen sociale, veçanërisht në lidhje me fëmijët, mund të adresojnë zgjidhje të mundshme.
Referenca
- Loopstra, R., Reeves, A.,& Stuckler, D. (2015). Rising food insecurity in Europe. The Lancet, 385, 2041.
- FAO, IFAD, UNICEF, WFP and WHO. (2019). The State of food security and nutrition in the world 2019. Safeguarding against economic slowdowns and downturns. Rome: FAO. Available at: http://www.fao.org/3/ca5162en/ca5162en.pdf.
- FAO, IFAD, UNICEF, WFP and WHO. 2020. The State of Food Security and Nutrition in the World 2020.Transforming food systems for affordable healthy diets. Rome, FAO. https://doi.org/10.4060/ca9692en
- WFP 2020 Global Report on Food Crisis: Joint Analysis for Better Decisions. Rome: WFP: (2020)
- Rocha, N. P., Milagres, L. C., De Novaes, J. F., & Franceschini, S. C. (2016). Association between food and nutrition insecurity with cardiometabolic risk factors in childhood and adolescence: a systematic review. Revista Paulista de Pediatria, 34, 225–233.
- Coleman-Jensen, A., Rabbitt, M. P., Gregory, C. A., & Singh, A. (2019). Household food security in the United States in 2018, ERR-270, U.S. Department of Agriculture, Economic Research Service. Available at: https://www.ers.usda.gov/publications/pub-details/?pubid=94848.
- Zaçe D, Di Pietro ML, Reali L, De Waure C, Ricciardi W. Prevalence, socio-economic predictors and health correlates of food insecurity among Italian children- findings from a cross-sectional study. Food Security https://doi.org/10.1007/s12571-020-01111-1