Çfarë janë integratorët bimorë? A janë të sigurtë?

integratore bimore

Me temrin botanicals kuptohet çdo lëndë apo preparat bimor që përftohet nga një bimë, algë, kërpudhë apo liken (1). Kjo lëndë mund të jetë e gjithë bima ose një pjesë e saj e patrajtuar, përgjithësisht e tharë, si: rrënja, kërcelli, gjethja, lulet, fruti, fara, etj.

Preparati bimor është derivat që përftohet nga lënda me anë të teknikave të përpunimit, si: ekstraktimi, distilimi, copëtimi, shtrydhja, purifikimi, fermentimi etj.

Integratorët bimorë përmbajnë botanicals dhe tregtohen me indikacione specifike përdorimi, sipas historisë së konsumit tradicional që kanë në Europë. Ata nuk kanë aktivitet terapeutik. Roli i tyre ushqimor dhe fiziologjik plotëson dietën e zakonshme dhe ndihmon në përmirësimin e shëndetit, për rrjedhojë, në cilësinë e jetës.

Integratorët bimorë merren pa recetën e mjekut dhe nuk kanë një procedurë të centralizuar tregtimi për Europën. Cilësia dhe siguria e përdorimit të tyre në Europë garantohen nga Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore (EFSA, European Food Safety Authority). Është pikërisht ky autoritet që kujdeset për rrezikun e kontaminimeve mikrobiologjike/kimike dhe për sigurinë e sasisë së lëndës bioaktive apo fitokompleksit që përmban integratori.

Disa botanicals mund të tregtohen njëkohësisht si integratorë bimorë dhe si barna bimore. Mund të përmendim këtu Valeriana officinalis, Serenoa repens, Cassia senna, bioflavonoidet etj.

Ku ndryshojnë nga barnat bimorë?

Barnat me bazë bimore u nënshtrohen legjislacionit të Agjensisë Europiane të Barnave (EMA, European Medicines Agency) (2). Kjo e fundit kujdeset për hedhjen në treg të tyre, pasi ka vlerësuar efikasitetin dhe sigurinë e përdorimit të bazuar në:

  • një histori konsumi 30-vjeçare prej të cilave, të paktën 15 vjet në Europë;
  • literaturë shkencore që verifikon përdorimin e konsoliduar për të paktën 10 vite;
  • studime preklinike dhe klinike.

Bazuar në kriteret e mësipërme dallohen tri kategori tregtimi të barnave bimore:

  1. barna bimore me përdorim tradicional
  2. barna bimore me përdorim të konsoliduar
  3. barna fitoterapeutikë

Barnat bimore mund te jepen edhe pa recetë ose e thënë ndryshe, si OTC (nga anglishtja, “over the counter” -mbi banak -), me këshillën e mjekut ose të farmacistit.

Siguria e përdorimit të tyre?

Vitet e fundit në shkallë botërore ka një rritje të konsiderueshme të përdorimit nga popullsia të mjekësisë komplementare dhe alternative (CAM, complementary and alternative medicine), ku përfshihen edhe integratorët me origjinë bimore.

Para së gjithash është e rëndësishme të kuptojmë se natyrale nuk do të thotë e sigurtë. Edhe integratorët bimorë mund të kenë efekte anësore, ashtu sikurse mund të ndërveprojnë me barnat konvencionale, duke ulur efikasitetin e këtyre të fundit apo duke rritur efektet anësore të tyre. Në literaturën shkencore ka shumë shembuj të tillë.

Mjekët dhe farmacistët duhet të tregojnë kujdes në rekomandimin e integratorëve bimorë tek pacientët, sidomos te nëngrupet më të ndjeshme të popullsisë, siç janë fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit. Gjithashtu, kërkohet ndërgjegjësim i lartë në situata delikate, si: multi-terapitë, insufiçenza renale, e mëlçisë etj.

Nga ana tjetër, qytetarët duhet të kërkojnë gjithmonë këshillën e specialistit të shëndetësisë, sidomos kur gjenden në situata delikate si ato të përmendura më lart.

Bibliografi

1. https://www.efsa.europa.eu/en/topics/topic/botanicals

2. https://www.ema.europa.eu/en/human-regulatory/herbal-medicinal-products