Si lidhet efektiviteti i vaksinës anti-COVID-19 me stresin?

stres

Një qasje e bazuar në evidencë

Sipas hulumtimeve të deritanishme, zgjedhjet që bëjmë për stilin e jetës afër momentit të vaksinimit, ndikojnë në përgjigjen tonë imunitare. Në vazhdim do të bëjmë një zbërthim të thjeshtë të evidencave që lidhin efektivitetin e vaksinave me stilin e jetës, kryesisht stresin.

Ndryshime të thjeshta të sjelljes mund të përmirësojnë mënyrën se si trupi ynë përgjigjet ndaj vaksinës COVID-19 dhe sa kohë do të duhet të jemi të mbrojtur ndaj koronavirusit të ri. Këta faktorë janë shumë të rëndësishëm, pasi në nivel popullate mund potencialisht të diktojnë suksesin e përgjithshëm të fushatës vaksinuese. Deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli janë administruar më shumë se 150 milionë doza të vaksinave kundër COVID-19. Megjithatë jo çdokush që bën vaksinën do të ketë ekzaktësisht të njëjtën përgjigje ndaj saj. Edhe pse shumica dërrmuese do të ndërtojnë përgjigjen imunitare të tyre brenda pak javëve, një pjesë e vogël mund të mos bëhen imun – prandaj efektiviteti i vaksinës nuk është 100%! Megjithatë edhe mes atyre të cilëve do të përgjigjen favorshëm, faktorë të tillë si mosha, gjinia, niveli i stresit dhe momenti gjatë ditës në të cilën kryhet vaksina mund të ndikojnë në fuqinë e këtij imuniteti, në shpejtësinë e krijimit të tij, në kohëzgjatjen dhe efektet anësore që potencialisht mund të hasen.

Ndoshta moshën nuk e ndryshojmë dot, por ekzistojnë strategji të caktuara psiko-sociale dhe sjellore të cilat mund të ndikojnë substancialisht në përgjigjen tuaj imunitare ndaj vaksinës – ekzistojnë prova eksperimentale në njerëz që e tregojnë këtë. Konkretisht, në një hulumtim studentëve të mjekësisë ju administrua vaksina e Hepatitit viral B (konsulto studimin origjinal [1]). Një pjesë e studentëve të mjekësisë e morën këtë vaksinë gjatë periudhës së provimeve – periudhë kjo që konsiderohet përgjithësisht si një periudhë shumë stresuese për ta (tmerr për disa!). Ata të cilët ishin më të stresuarit e krijuan përgjigjen mbrojtëse me antitrupa pas një kohe shumë më të gjatë, në krahasim me ata që ishin më pak të stresuar. Këto gjetje u konfirmuan në një studim tjetër në një grup individësh që kujdeseshin për pacientët që vuanin nga demenca (=sëmundje degjenerative e sistemit nervor qendror), ku u tregua se këta individë kishin një përgjigje me antitrupa më të dobët në krahasim me ata që nuk kishin stresin e të kujdesurit për personat me demenca (konsulto studimin origjinal [2]). Për më tepër ky studim e vlerësoi nivelin e stresit duke u bazuar jo vetëm në vetë-raportimet e personave të përfshirë në studim, por edhe duke u bazuar në nivelet e kortizolit (=hormoni i stresit) në pështymë! Pas gjashtë muajve imuniteti i kujdestarëve ra më shpejt në krahasim me grupin e kontrollit.

Sistemi ynë imunitar nuk ka komponent të vetëm antitrupat, por këta të fundit janë një lloj treguesi që mund të na ndihmojnë të deduktojmë dhe interpretojmë efikasitetin e vaksinave. Studime të tjera kanë vazhduar të mbështesin në mënyrë konsistente lidhjen që ekziston me humorit pozitiv në ditën e vaksinimit me një përgjigje imunitare ndaj vaksinës së gripit, që shoqërohet me prani më të lartë të antitrupave (konsulto studimin origjinal [3]).

Literatura shkencore është shumë e pasur me studime që provojnë se si stresi mund të modifikojë përgjigjen ndaj vaksinës – do të ishte çudi që ky efekt të mos ekzistojë edhe në rastin e vaksinave ndaj COVID-19 (për më tepër konsultoni studime të tjera në njerëz: [4,5]).

Referenca
  1. Kiecolt-Glaser, J.K.; Garner, W.; Speicher, C.; Penn, G.M.; Holliday, J.; Glaser, R. Psychosocial modifiers of immunocompetence in medical students. Psychosomatic medicine 1984, 46, 7-14, doi:10.1097/00006842-198401000-00003.
  2. Vedhara, K.; Cox, N.K.; Wilcock, G.K.; Perks, P.; Hunt, M.; Anderson, S.; Lightman, S.L.; Shanks, N.M. Chronic stress in elderly carers of dementia patients and antibody response to influenza vaccination. Lancet 1999, 353, 627-631, doi:10.1016/s0140-6736(98)06098-x.
  3. Ayling, K.; Fairclough, L.; Tighe, P.; Todd, I.; Halliday, V.; Garibaldi, J.; Royal, S.; Hamed, A.; Buchanan, H.; Vedhara, K. Positive mood on the day of influenza vaccination predicts vaccine effectiveness: A prospective observational cohort study. Brain, Behavior, and Immunity 2018, 67, 314-323, doi: https://doi.org/10.1016/j.bbi.2017.09.008.
  4. Glaser, R.; Kiecolt-Glaser, J.K.; Malarkey, W.B.; Sheridan, J.F. The influence of psychological stress on the immune response to vaccines. Annals of the New York Academy of Sciences 1998, 840, 649-655, doi:10.1111/j.1749-6632.1998.tb09603.x.
  5. Segerstrom, S.C.; Schipper, L.J.; Greenberg, R.N. Caregiving, repetitive thought, and immune response to vaccination in older adults. Brain Behav Immun 2008, 22, 744-752, doi:10.1016/j.bbi.2007.11.004.

Analiza e mësipërme është origjinale dhe produkt i platformës HEDA Albania  www.heda.al