Cigare tradicionale, e-cig dhe IQOS. Ndryshon forma, por a ndryshon efekti i tyre në shëndet?

Duhanpirja radhitet si një ndër shkaqet kryesore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në botë. 

Cigaret tradicionale përmbajnë rreth 7000 kimikate. Shumica prej tyre kategorizohen si të dëmshme dhe kancerogjene.

Mendësia e përgjithshme se njerëzit tymosin prej nikotinës, por vdesin nga katrami (lënda organike që digjet), bëri që në vitet 70’ të hidhen hapat e para të terapisë zëvendësuese. Nikotina është një lëndë që krijon varësi në organizëm. Objektivi i terapisë është furnizimi i organizmit me nikotinë, për të zëvëndësuar dozën që mungon nga lënia e cigares. Në këtë mënyrë, duke ia lehtësuar simptomat, ndihmohen shumë pacientët (me varësi të moderuar dhe të lartë), të cilët janë të motivuar për të lënë cigaren.

Por, edhe pse nikotina nuk është kancerogjene, ajo është një lëndë që krijon varësi dhe ka efekt të provuar simpatikomimetik. Rrit rrahjet e zemrës, kontraktimin e miokardit dhe presionin e gjakut, duke u bërë kështu faktor rreziku për vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare.

Duke u nisur nga:

  • publikimi i efekteve shumë të dëmshme të duhanit (sidomos të grimcave kancerogjene që prodhohen nga djegia e katramit)
  • masat e rrepta për duhanpirjen në ambjente të mbyllura dhe publike

Industria e Duhanit është orientuar drejt prodhimit të formave të tjera të duhanpirjes, me më pak efekte anësore për shëndetin.

Cigaret elektronike (e-cig)

Në vitin 2006 u hodhën në treg, për herë të parë, cigaret elektronike (e-cig). Ato morën një përhapje të shpejtë, sidomos mes të rinjve. Janë pajisje elektronike që stimulojnë prodhimin e tymit (faktikisht është thjesht avull), përmes ngrohjes së një rezistence. Kjo rezistencë bën të mundur avullimin (por jo djegien) e një lëndë të aromatizuar, e cila mund të përmbajë ose jo nikotinë. Përbërësit jo-nikotinë të cigareve elektronike prodhojnë nivele shumë më të ulëta të lëndëve kancerogjene. Studime tregojnë se në cigaret elektronike gjenden grimca të përmasave dhe përqëndrimeve të krahasueshme me ato të cigareve tradicionale. Në këto cigare janë gjetur metale të rënda me toksicitet të paqartë kardiovaskular (me shumë mundësi me prejardhje nga vetë pajisja). Megjithëse përmbajnë përqëndrime më të ulëta të lëndëve kancerogjene, krahasuar me cigaret normale, ato përmbajnë nikotinë.

Opinionin mjekësor është i ndarë lidhur me efektet e këtyre cigareve. Mbetet e paqartë, nëse thithja e përbërësve (me bazë nikotine ose jo) të cigareve elektronike është përgjegjëse për efekte fiziologjike akute.

Sipas disa studimeve të kryera, rezulton se cigaret elektronike me përmbajtje nikotine rrisin në mënyrë akute efektin simpatikomimetik në zemër, kurse cigaret elektronike pa nikotinë nuk e bëjnë këtë gjë. Ky efekt nuk duhet marrë si beninj, sepse edhe stimulantë të tjerë të zakonshëm, si, për shembull kafeina, nuk ndikojnë në efektin simpatikomimetik në nivel kardiak.

Edhe siguria vaskulare e cigareve elektronike mbetet akoma për t’u vlerësuar. Sipas një studimi të kryer në vitin 2016, si cigaret tradicionale ashtu edhe ato elektronike kanë efekte jo të favorshme ndaj markerave që diktojnë dëmtimet e enëve të gjakut nga duhanpirja, edhe pse tek ato elektronike rezultuan në nivel më të ulët.

Duhet theksuar se e-cig përbëjnë një burim të ri të varësisë ndaj nikotinës. Duke u fshehur pas mendimit se cigaret elektronike kanë një rrezik më të ulët për shëndetin, krahasimisht me cigaret tradicionale, ato mund të shndërrojnë shumë të rinj në duhanpirës të rregullt.

 

IQOS

Kohët e fundit është hedhur në treg një alternativë tjetër e cigareve tradicionale që quhet IQOS. Është një rrugë e mesme mes cigareve elektronike dhe atyre tradicionale. Në to duhani ngrohet në temperatura të ulëta dhe prodhon atë që quhet ‘tym i ftohtë’.  Përmbajnë duhan të trajtuar dhe jo lëngje, si tek cigaret elektronike (e-cig).  Ato reklamohen si më pak të dëmshme për shëndetin, sepse nuk lëshojnë grimca të djegies së katramit, si cigaret normale, dhe nuk bëjnë ngrohje të lëngjeve, siç ndodh tek e-cig.

Cigaret IQOS përmbajnë duhan të përpunuar dhe nikotinë.

Studime objektive për sigurinë dhe efektin e tyre në shëndet nuk janë bërë akoma, sepse ky është një produkt i ri në tregun botëror. Të dhënat e vetme të publikuara deri tani janë ato që vijnë nga vetë të prodhuesit.

  • Duhet të rikujtojmë që të gjithë produktet me përmbajtje nikotine japin varësi.

Shumë të rinj mund të joshen të provojnë produkte alternative dhe e gjejnë veten të mbërthyer nga nikotina, si një lëndë psikotrope që jep varësi.

Për duhanpirësit, produktet alternative shumë rrallë mund të vlejnë si rrugë për të dalë nga varësia ndaj nikotinës.